Kapen 25 kg hashash në autobusin e Tiranës
Policia e Gjirokastrës kanë goditur një rast të trafikimit të lëndëve narkotike, duke shfrytëzuar autobusët e udhëtarëve. Droga e llojit marijuanë është gjetur në bagazhet e një autobusi të linjës Gjirokastër-Tiranë, ndërsa si transportues të saj policia lokale ka shoqëruar dy persona. Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë e Policisë në Gjirokastër, rreth orës 17:00, gjatë një kontrolli të ushtruar në një autobus që udhëtonte nga Gjirokastra për në Tiranë, në vendin e quajtur Luftinjë, rreth 7 kilometra larg qytetit të Memaliajt, specialistët e Krimit të Organizuar kanë zbuluar dy valixhe, me të cilat transportohej një ngarkesë me lëndë narkotike. “Brenda valixheve të gjetura në bagazhet e autobusit ne zbuluam 44 pako, në të cilat mund të jenë paketuar rreth 25 kilogramë marijuanë”, - thonë burimet policore ndërsa vazhdojnë hetimet për këtë ngjarje. B. Shehu