Rreziku i kredive të këqija, Banka Qendrore “luftë” me bankat private
Bankat private nuk janë transparente me kredimarrësit shqiptarë. BSH-ja gati ndryshimet rregullative për administrimin e rrezikut
Ervin Koçi
Rreziku nga kreditë e këqija, por edhe nga të gjitha efektet negative që mund t’u vijnë kredimarrësve të shumtë shqiptarë nga ndryshimet e mundshme të normave të interesit, kanë detyruar Bankën e Shqipërisë që t’i bjerë prej disa kohësh “çangës së alarmit”. Kohët e fundit BSH-ja ka nisur përgatitjen dhe marrjen e një serie masash parandaluese për rreziqet e mundshme, edhe pse bankat private nga ana e tyre nuk po duken bashkëpunuese. BSH ka përgatitur një paketë ndryshimesh rregullative dhe ia ka paraqitur bankave të nivelit të dytë për mbikëqyrjen e kredive. Guvernatori i BSH-së, Ardian Fullani, u shpreh gjatë takimit të organizuar me drejtues të lartë të sistemit financiar dhe bankar në Shqipëri se nga konstatimet e bëra prej ekspertëve duket se bankat “po rendin të zënë treg, shpeshherë duke mos treguar kujdesin e duhur për cilësinë”. Sipas Fullanit, treguesi i kredive me probleme ndaj totalit të portofolit të kredive në terma bruto përllogaritet 3.6 për qind në fund të janarit 2008. "Aktualisht jemi dëshmitarë të një strategjie marketingu shumë agresive për produktet e kredisë në monedhë të huaj", - tha Fullani. Sipas tij, “ende bankat po vazhdojnë të nënvlerësojnë rrezikun e kursit të këmbimit”. Në këtë kuadër, u shpreh guvernatori, ndryshimet në rregulloren “Për administrimin e rrezikut të kredisë”, në rastet kur klienti nuk është i mbrojtur ndaj rrezikut të kursit të këmbimit do të përfshijnë detyrime për bankat, që janë krijimi i fondeve rezervë për humbjet nga kredia dhe rritja e kapitalit kur shkelet një kufi i caktuar ndaj ekspozimit në monedhë të huaj.
Marrëdhëniet me klientët
Për të siguruar fitime të larta, bankat private në vendin tonë po abuzojnë me dhënien e kredive si në drejtim të normave të larta të interesit, ashtu edhe me transparencën. Gjatë konstatimit që ka bërë BSH-ja në lidhje me këtë çështje tepër delikate, guvernatori Fullani ka lëshuar kritika të ashpra ndaj bankierëve, duke paralajmëruar nga ana tjetër forcim të rregullave të mbikëqyrjes dhe masa administrative ndaj bankave private. Shqetësimi i BSH-së qëndron edhe në faktin se, përveç rritjes së ritmit të kredisë, bankat më së shumti e japin huan në valutë, ndërkohë që të ardhurat janë në lekë, duke u bërë reklama dhe duke i nxitur klientët që kredinë ta tërheqin vetëm në valutë. Sipas Fullanit, "të financosh konsumin e individëve në valutë është njësoj sikur të shesësh produkte ushqimore pa afat skadence”. Sipas BSH-së, këtë e tregon edhe shtimi i kredive me probleme. Treguesi i kredive me probleme ndaj totalit të portofolit të kredive në terma bruto, përllogaritet 3,6 për qind në fund të janarit 2008. Kjo përqindje një vit më parë nuk ka qenë më pak se 2 për qind, ndërkohë që abuzime të rënda vihen re edhe në normat e interesit. Përqindjet për kredinë në lekë vazhdojnë të jenë të larta. Duke iu referuar kredisë me afat njëvjeçar, sipas të dhënave të janarit 2008, ekziston një diferencë prej 7,3 pikë përqindjeje ndaj interesit të depozitave në lekë me të njejtën afat, në një kohë, që i njëjti tregues për valutën është 4 për qind.
Bankat private
Për të mënjanuar rrezikun për kthimin e kredive, bankat e nivelit të dytë duhet të japin hua në valutën që klienti ka të ardhurat. Nëse një i interesuar për të blerë shtëpi me kredi e merr rrogën me lekë, edhe kredinë duhet ta marrësh po në këtë monedhë. Shqetësimi i BSH-së për monedhën në të cilën kreditohet vjen pas disa zhvillimeve në ekonominë botërore, sidomos në atë amerikane. Shumë klientë shqiptarë që morën kredi në vitin 2002 zgjodhën dollarin, për shkak se interesi bazë i valutës në fjalë ishte shumë i ulët. Kështu, interesi mujor për kredinë në dollarë sipas zhvillimeve ekonomike të 2002-shit i favorizonte mjaft klientët, të cilët do të paguanin më shumë nëse do të ishin kredituar në lekë ose në euro. Mirëpo, gjatë tre viteve të fundit, interesi bazë i dollarit është rritur dukshëm, duke ndikuar automatikisht në rritjen e interesave të atyre që zgjodhën valutën e gjelbër për të marrë hua. Në tregun amerikan këto lëvizje kanë krijuar probleme në tregjet financiare, duke rrezikuar falimentimin e shumë institucioneve kredidhënëse. Ekspertët vlerësojnë se kthimi i kredisë është më i garantuar kur merret në monedhën që ke të ardhurat. Por aktualisht bankat në vend kanë zgjedhur një strategji marketingu shumë agresive për produktet e kredisë në monedhë të huaj, ndërkohë që me përjashtim të një rasti, është totalisht inekzistente për huat në lekë. Me këtë strategji bankat e anashkalojnë totalisht rrezikun që mund të vijë nga kursi i këmbimit.
BSH-ja hedh në shitje 22.4 miliardë lekë bono thesari
Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, zhvilloi dje ankandin e radhës për shitjen e bonove të thesarit të qeverisë. Sipas Departamentit të Operacioneve Monetare pranë kësaj banke, në këtë ankand Ministria e Financave nxori për shitje bono thesari me maturim 12, 6 dhe 3-mujor, të cilat do të përdoren për Bankën e Shqipërisë dhe për bankat e nivelit të dytë. Këto bono do të emetohen respektivisht në datat 05.04.2009, 11.10.2008 dhe 12.07.2008. Nga totali prej 22.4 miliardësh lekësh, 12.5 miliardë do të jenë bono me maturim 12-mujor, 6.4 miliardë lekë do të jenë bono me maturim 6-mujor dhe 3.4 miliardë lekë bono me maturim 3-mujor.
5 Prill 2008