Ftesa nga pritesi dokument i domosdoshem
Një ftesë nga pritësi është e nevojshme, përpos detyrimeve të tjera që një shtetas shqiptar duhet të plotësojë për të kaluar pa probleme kufirin italian. Autoritetet policore të vendit fqinj kanë kthyer në katër ditët e fundit 86 shtetas shqiptarë. Shumica e të kthyerve kanë qenë me vendim dëbimi nga shteti italian dhe të paktë ata që janë sprapsur për pamjaftueshmëri mjetesh financiare dhe mungesë ftese nga pritësi. Megjithatë, prania e këtyre rasteve e bën të nevojshme pajisjen me një ftesë nga familjarët apo personat e tjerë që të presin në Itali a në vende të tjera të zonës Shengen, ku qytetari shqiptar do të shkojë duke kaluar përmes Italisë. Paraditen e djeshme, numri i të kthyerve ka qenë vetëm tre duke dëshmuar se njerëzit kanë nisur të ndërgjegjësohen për kriteret që duhet të plotësojnë për të lëvizur të lirë në Europë. Në policinë kufitare të Durrësit deklarojnë se numri i të kthyerve është i vogël dhe se procesi po ecën normalisht, pa probleme.