Thika ne kofshe i merr jeten te riut
Një grindje për një femër mes dy të rinjve ka përfunduar tragjikisht. Një 31-vjeçar i sapoliruar nga burgu ka gjetur vdekjen nga një thikë e ngulur në këmbë, ndërsa autori i krimit, një 23-vjeçar, ka arritur të humbasë gjurmët. Ngjarja ka ndodhur pak para mesnatës së të dielës, kur dy të rinjtë janë vënë përballë njëri-tjetrit për të sqaruar çështje që kishin të bënin me një femër, e cila, si zakonisht nuk ishte prezente, e me gjasë nuk e dinte ç’po bënin dy të rinjtë për të.
Sipas shokëve të të dy protagonistëve të ngjarjes, të rinjtë nuk kishin pasur ndërmend të përlesheshin, por fare qetësisht kishin ndaluar të sqaroheshin. Kur 31-vjeçarit nga Gjashta e Sarandës, Edmond Mullai dhe djaloshi laçian, disa vite më i vogël dhe më i pakët në trup, nisën të sqaroheshin, shokët qëndruan larg, për të mos u përzier në muhabet “intime”. Por biseda u nxeh shpejt dhe pa u dhënë mundësi “spektatorëve” të ndërhynin, nga kacafytja përfundoi në përdorimin e thikës.
Policia saktësoi se sherri nisi në afërsi të kazinosë “Europa”, në sheshin e agjencisë së udhëtarëve në qytetin e Sarandës, pak para mesnatës. Ishte ora kur sheshi i agjencisë ishte pothuaj i zbrazur, pasi ishte nisur edhe autobusi i fundit për në Tiranë.
Në përleshje e sipër, 23-vjeçari Besmir Uka nga Laçi, i cili nuk mund ta përballonte fizikisht kundërshtarin e tij, ka nxjerrë një thikë që e kishte në brez dhe ia ka ngulur në kofshë. Për shokët e dy të rinjve, që u ndodhën aty, kjo ishte një kthesë e papritur e “bisedës”. Në kohën që vëmendja e tyre ishte tek i plagosuri, autori i krimit përfitoi dhe u largua nga vendi i ngjarjes. I plagosuri u transportua me shpejtësi në urgjencën e spitalit “Petro Nako” të Sarandës, por për shkak të plagës së vetme në këmbë, 31-vjeçari Mullai ndërroi jetë pas mesnate. Mjekët thanë se thika kishte prekur femurin e këmbës së djathtë dhe brenda një kohe të shkurtër ai ka humbur shumë gjak.
Mësohet se autori i krimit është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes dhe policia e ka pasur të vështirë të bjerë në gjurmët e tij. Disa orë pas krimit, nga burime policore u mësua se 23-vjeçari Besmir Uka nga Laçi u shpall në kërkim policor dhe për të mos lejuar kalimin e tij për në Greqi u bë së pari lajmërimi i pikave të afërta të kalimit kufitar.
Kjo është vrasja e katërt në Sarandë për vitin 2010. Më parë në këtë rreth u vra shtetasi Ndriçim Isufi në Lukovë, Tonin Qendro në Ksamil dhe Vasil Roshi në fshatin Çukë.