Mediu: Riformatim koalicioni mbi principe te djathta
Kryetari i PR-së flet edhe për fenomenin e shfaqur në PD, atë të klaneve
'"S'pranoj asnjë lloj anatemie që bëhet për çdo njeri që kontribuon ose ofrohet në politikën shqiptare"
TIRANË- Klanet e krijuara në Partinë Demokratike dhe lufta e ftohtë që zhvillohet mes tyre ka tërhequr jo vetëm deputetët demokratë, por edhe aleatët e PD-së në qeveri. Fatmir Mediu, kreu i PR-së dhe ministër në qeverinë Berisha, nuk ka mundur të rrijë larg dhe të lërë pa komentuar këtë luftë klanesh brenda PD-së, duke atakuar sa të rinjtë që kanë aderuar në PD, ata që ndryshe njihet si prurje të Komitetit të Orientimit të Politikave, ashtu edhe pjesën e vjetër, ata që më shumë kanë kontribuuar për selinë blu. "Ata që quheshin shpresa e ndryshimit kanë filluar t'i krahasojnë me parazitë njerëzit që marrin pjesën e atyre që kishin lënë kockat për partinë dhe po këta që flasin kundër këtyre prurjeve të reja në politikën shqiptare, pranojnë çdo kockë që u hidhet, pavarësisht nga krahu politik, duke pështyrë mbi atë që u ndërtua me mundim nga të gjithë ne", është shprehur ministri Mediu. Por, kreu i republikanëve nuk ka lënë pa atakuar as vetë Partinë Demokratike si parti politike dhe organizimin e zgjedhjeve të reja të saj sipas parimit "një anëtar, një votë". Duke deklaruar se sot problemi më i madh i partive politike është organizimi politik i tyre, kreu i PR-së theksoi nevojën që partitë, para se të rendin pas konceptit "një anëtar, një votë", duhet të kuptojnë demokracitë horizontale. "Ka ardhur koha të kuptojmë se organizimi politik i partive politike është problemi më i madh, përpara se të rendin pas konceptit "një anëtar, një votë", duhet të kuptojmë demokracitë horizontale që duhet të funksionojnë në partitë politike",- është shprehur Mediu.
Riformatimi i koalicionit
Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ka kërkuar sërish dje riformatim të koalicionit qeverisës, organizimi strukturor dhe statutor, mbi bazën e të cilit të përcaktohet qartë spektri politik i djathtë. Duke folur gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të PR-së, ministri Fatmir Mediu ka lënë të nënkuptohet se ky riformatim mund të nxjerrë jashtë koalicionit parti që sot janë brenda saj, por të cilat nuk kanë një orientim të djathtë. Kjo pasi, Fatmir Mediu ka theksuar se ka ardhur koha që të shmangen parcelizimet apo debatet pa vlerë dhe të organizohet një e djathtë e unifikuar në qëndrime dhe politike, në organizimin e saj strukturor dhe statutor, pra të përcaktohet qartësisht spektri i djathtë. "Besoj se pas riformatimit apo riorganizimit të PD-së duhet të ketë një koncept për riorganizimin dhe riformatimin e gjithë së djathtës. Unë e vlerësoj të gjithë prurjen e re jo vetëm në PD, por edhe në të gjitha partitë, dhe nuk pranoj asnjë lloj anatemie që bëhet për çdo njeri që kontribuon ose ofrohet në politikën shqiptare. Kjo e djathtë duhet të riformatohet bazuar mbi principe dhe koncepte të djathta, duke përcaktuar qartë raportin politik tonin të djathtë dhe organizimin tonë politik, i cili duhet të jetë përfshirës dhe jo përjashtues",- u shpreh ministri Mediu, sipas të cilit, ky riformatim nuk mund të bëhet nëpër kafene, por në një dialog kumtimesh dhe debatesh të përbashkëta.
Sekretarët e rinj të PR të zgjedhur dje nga Asambleja
Arben Tafaj sekretar politik
Artur Hasanbelliu sekretar për marrëdhëniet me jashtë
Besnik Bisha sekretar për marrëdhëniet me publikun
Roland Bejko sekretar organizativ
Arjan Madhi, i zgjedhur sipas statutit nga kreu i PR