Si i transferoi Enveri nëpër rrethe njerëzit më të afërm të Byrosë
Gazeta amerikane paraqet gjendjen e vështirë ekonomike në fillim të 1966-s. Rivendosja e marrëdhënieve me disa shtete të bllokut dhe ndëshkimet në parti
David Binder
BEOGRAD – Zhvillimet e kohëve të fundit në shtetin e izoluar komunist, të cilat po përqendrohen në politikat e brendshme dhe të jashtme, kanë nxitur një interes dyshues këtu (në Beograd, - shën. red.). Mbrëmë, Radio Tirana njoftonte se katër anëtarë të Byrosë Politike janë transferuar në të tjera poste partiake dhe qeveritare “për një kohë të gjatë”. Në mënyrë të ngjashme, transferime nëpër organizatat bazë të partisë ishin njoftuar për zyrtarë të ministrive dhe të tjerë. Në të njëjtën kohë, diplomatë nga Europa Lindore dhe zyrtarë jugosllavë kanë theksuar një “rritje të armiqësisë” në drejtim të vendeve të tjera prej propagandës shqiptare dhe një mospërfillje në rritje në raportet e ndërsjella. Thashetheme janë duke qarkulluar këtu dhe në kryeqytete të tjera europiano-lindore rreth ndryshimit të marrëdhënieve të Shqipërisë me aleatin e saj të madh ideologjik, Kinën komuniste, ku flitet se janë ftohur në muajt e fundit për shkak të zhgënjimit në lidhje me disa çështje të asistencës ekonomike kineze.
Antagonistë të Rusisë
Asnjëri prej thashethemeve ose ngjarjeve nuk përputhet me gjendjen aktuale, por është e dukshme se disa ndryshime janë në rrugë e sipër. Që nga viti 1961, Shqipëria ka ndërtuar varësi në mënyrë të thellë në aleancën e saj me Kinën dhe ka qenë antagoniste kundrejt Bashkimit Sovjetik dhe miqve të tij. Thashethemet rreth marrëdhënieve shqiptaro-kineze kanë qenë më tepër të frymëzuara nga fakti se qeveria shqiptare ka zbuluar në tërësi rezultatet e Planit të fundit 5-vjeçar, i cili përfundon më 31 dhjetor, si dhe ka përvijuar planin tjetër 5-vjeçar. Është shpresuar se Pekini do të rrisë kreditë për Shqipërinë, siç e ka bërë një gjë të tillë në vitin 1961, kur dha 123 milionë dollarë për planin 5-vjeçar, i cili është ende në zbatim. Së fundmi, një delegacion shqiptar u kthye nga kryeqyetti kinez, ku dukej qartë se nuk kishte siguruar huadhënie prej Pekinit.
Disa vëzhgues besojnë se shqiptarët janë zemëruar në lidhje me këmbënguljen kineze për t’u përqendruar vetëm te bujqësia, në vend të zhvillimit industrial. Kontradiktor me këtë vlerësim është informacioni i fundit falënderuar nga ana e shqiptarëve për mbërritjen e një anijeje kineze me farë patatesh.
Përsa i përket përtëritjes së kontakteve me Europën Lindore, ajo ka theksuar se shqiptarët dërguan një delegacion në një konferencë ballkanike të gazetarëve në dhjetor dhe se ata ftuan sportistët dhe shkrimtarët jugosllavë që të ndjekin ndeshjet e basketbollit që do të zhvillohen së shpejti në Tiranë. Javën e fundit, Polonia dërgoi një ambasador në Tiranë për herë të parë në këta pesë vitet e fundit. Në Budapest, i ngarkuari me punë i Shqipërisë bisedoi me zyrtarët e lartë të Ministrisë së Jashtme hungareze në lidhje me spekulimin se një rifillim i plotë i marrëdhënieve diplomatike mund të jetë i pamundur për t’u bërë mes dy vendeve. Tregtia midis vendeve të Europës Lindore dhe Shqipërisë, megjithëse në kuota minimale, është duke u rritur në mënyrë të shpejtë krahasuar me vitet e kaluara. Një delegacion tregtar jugosllav ndodhet sot në Tiranë për nënshkrimin e një protokolli dypalësh. Po ashtu, që prej vitit 1963 nuk ka patur incidente madhore në kufirin midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Është thënë se kryeministri rumun Ion Gheorghe Maurer ka hedhur idenë e bashkëpunimit ballkanik gjatë vizitës së tij të fundit në Beogradi në muajin janar të këtij viti, ku përfshihet edhe Shqipëria.
Jugosllavia është dakord me këtë ide dhe zyrtarët këtu, në mënyrë private, e komentojnë se qeveria e tyre, mesa duket, do të jetë “e gatshme të paguajë” në formë huadhënie për të përmirësuar marrëdhëniet me Shqipërinë.
Goditen njerëzit më të afërm
Ndryshimet partiake të njoftuara mbrëmjen e kaluar në Tiranë goditën ndihmësit më të afërm brenda Byrosë Politike të Sekretarit të Parë Enver Hoxha. Gogo Nushi u transferua nga Tirana për drejtimin e partisë në rrethin e Beratit. Manush Myftiu ishte caktuar në rrethin e Tiranës. Rita Marko ishte transferuar në rrethin bregdetar të Durrësit. Haki Toska ishte emëruar që të ndihmonte kryeministrin Mehmet Shehu. Zonja Marko dhe zoti Toska janë gjithashtu në Sekretariatin e Komitetit Qendror të Partisë dhe kjo ishte konsideruar e çuditshme nga shumë vëzhgues pasi atyre mund t’u jepen detyra shtesë. Radioja shtetërore thoshte se këto dhe të tjerë zyrtarë që ishin transferuar do të mbeteshin në pozicionet e tyre partiake.
Këtu ka spekulime se ndryshimet mund të jenë një hap në përgatitjen e kongresit të ardhshëm, i cili ka afatin për t’u zhvilluar brenda një viti. Gjithashtu, në disa aspekte, ka mendime se kjo mund të sjellë pakënaqësi në Shqipëri.
Shkrimi është publikuar në “The New York Times” më 11 shkurt 1966.
Titulli origjinal i shkrimit është: “Shift in Albanian policy hinted; Dispute with Peking rumored”
Përgatiti: Albert Gjoka
Në numrin e ardhshëm do të lexoni:
Shkaqet që çuan në hapjen e Shqipërisë me Lindjen
Gazetari amerikan David Binder analizon situatën e vështirë të Shqipërisë në vitin 1966, pas disa vitesh izolimi
Oferta që iu bë disa vendeve nga Europa Lindore për vendosjen e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare
Premtimi për hua të tjera nga Kina komuniste dhe shkrirja e raporteve të Tiranës zyrtare me Beogradin
Për më shumë, na ndiqni në numrin pasardhës
21 Mars 2008