E Diel, 1 Nëntor 2026

“Lordi i luftës”, rusi që furnizoi me armë të gjitha konfliktet

Kush është Viktor Bout, i arrestuar një javë më parë. Cili është ndikimi në qarqet politike i trafikantit të vdekjeS
Biznesmeni rus, që mendohet si njëri prej trafikantëve më të mëdhenj të armëve në rang botëror, u arrestua një javë e gjysmë më parë në Tailandë, në një operacion të kryesuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prej kohësh, nga autoritetet e këtij vendi akuzohej për konspiracion dhe përpjekje për t‘u shitur raketa rebelëve kolumbianë. Biznesmeni 41-vjeçar, Viktor Bout, dyshohet si një ndër përgjegjësit kryesorë për furnizimin me armë të talebanëve dhe "Al Kaedës", si edhe për transportimin e sasive gjigante të armatimeve luftarake për llogari të zotërve të luftës në Afrikë. Për këtë, ka përdorur flotën e tij ajrore, që është edhe një prej faktorëve kryesorë për mbajtjen gjallë të konflikteve civile në kontinentin e zi. Ai u arrestua nga autoritetet tajlandeze në një hotel të Bangkokut, falë një operacioni gjatë të cilit disa agjentë të maskuar si rebelë të Forcave të Armatosura Revolucionare të Kolumbisë (FARC) kërkonin të blinin armë nga rusi. Prokurorët federalë në Nju Jork thanë se do të kërkonin menjëherë ekstradimin e trafikantit dhe të një bashkëpunëtori të tij të afërt, të quajtur Andrei Smulian, edhe ky i arrestuar të premten në Bangkok. Që të dy do të dalin përpara gjykatësve amerikanë nën akuzën e konspirimit për furnizimin e organizatave terroriste me material luftarak. Megjithëse zyrtarë të lartë amerikanë thanë se shteti tailandez mezi priste ta largonte nga trualli i vet trafikantin rus, nuk dihet ende me saktësi kur do të mundësohet ekstradimi në Shtetet e Bashkuara. Maikëll J. Garsia, prokurori i Shteteve të Bashkuara për Distriktin Jugor të Nju Jorkut, tha se Bout "ishte arrestuar gjatë fazës përfundimtare të marrëveshjes për shitjen e armëve tepër të rrezikshme për llogari të njerëzve, të cilët i besonte si përfaqësues të një prej organizatave kryesore që përbëjnë forcat guerilase kolumbiane".
Prangat
"Arrestimi shënon kulmin e një operacioni të gjatë nën maskim të D.E.A. ("Drug Enforcement Administration"), i cili u shtri në shumë vende të globit", - tha Garsia. "Shënon gjithashtu fundin e mbretërimit të një prej trafikantëve më të kërkuar të armëve në rang global". FARC është një lëvizje e majtë, e armatosur, e cila lufton prej dekadash qeverinë kolumbiane dhe mendohet se e financon ekzistencën e saj në masë shumë të madhe përmes trafikut të kokainës. Në kodin kriminal të Shteteve të Bashkuara, kjo lëvizje përkufizohet si grup i huaj terrorist dhe çdo lloj ndihme ndaj një grupi të tillë përbën krim. Arrestimi u vu në jetë nga D.E.A. amerikane, e cila njoftoi autoritetet tajlandeze që Bout do të udhëtonte drejt këtij vendi, - shpjegoi koloneli i policisë Petçarat Sengçai, i Divizionit të Luftës ndaj Krimit në Bankog, i cili kryesoi edhe skuadrën që kreu arrestimin. Sipas një deklarate publike të bërë në Manhatan mësohej se planet për një takim me rusin kishin marrë trajtë gjatë kontakteve më të hershme, në më të shumtën e rasteve të kryera nga Smulian dhe nga agjentë të maskuar si rebelë kolumbianë. Këto kontakte ishin zhvilluar në antilet holandeze, në Danimarkë dhe në Rumani. Bisedat mes agjentëve dhe krahut të djathtë të kryetrafikantit qenë regjistruar në fshehtësi.
Profili
Bout ka lindur në atë që tani është Taxhikistani dhe është shkolluar në Institutin Ushtarak të Gjuhëve të Huaja të Moskës. Mendohet se ka nisur të operojë në tregun e armatimeve pas shpërbërjes së njësisë së tij me rënien e Bashkimit Sovjetik. Rreth mitit të tij flitet që në vitet nëntëdhjetë, por përmasa publike mori në vitin 2002, kur u shfaq papritmas në një stacion radiofonik moskovit, në një intervistë ku këmbëngulte se qe i pafajshëm dhe se kurrë nuk kish pasur kontakte me përfaqësues të "Al Kaedës" apo të talebanëve. Tha se akuzat ndaj tij ishin më të përshtatshme "për skenarin e ndonjë filmi hollivudian". "Mund të them vetëm një gjë: kurrë nuk u kam dërguar ndonjë armë apo të kem bërë diçka të ngjashme. Nuk kam qenë kurrë në kontakt as me përfaqësues të "Al Kaedës" dhe as me ata të talebanëve", - sqaroi gjatë intervistës. Thuhet se karriera dhe jeta e Viktor Bout është paraqitur në filmin e famshëm hollivudian "Zoti i luftës", rolin kryesor të të cilit (atë të të arrestuarit në fjalë) e luan aktori Nikolas Keixh. Sipas autoriteteve amerikane, Bout ka nën kontroll flotën më të madhe private të avionëve (të epokës sovjetike) në botë. Përgjatë viteve, Viktor Bout ka shfrytëzuar kompanitë e veta dhe ato që kishin kontakte me to, për të operuar në tregun e armëve, duke shitur gjithçka, nga pushkët e automatikët, te tanket e helikopterët, që sipas amerikanëve kanë ushqyer konfliktet në Afganistan, Angola, Kongo, Liberi, Ruandë, Sierra Leone dhe Sudan. Në qershor të vitit 2004, Departamenti Amerikan i Thesarit ngriu të gjitha llogaritë dhe kompanitë e Viktor Bout, të gjendura në juridiksionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Edhe në 2005-n të njëjtën gjë bëri, edhe me 30 shoqëri e katër njerëz të dyshuar për lidhje me trafikantin.

Bout, aksioni vendimtar në vitin 2007

Në vitin 2007 u vazhdua me ngrirjen e aseteve të shtatë kompanive të tjera, si dhe të tre njerëzve, për të cilët autoritetet amerikane shpjeguan se bashkëpunonim me Viktor Bout, për të transportuar armë në Kongo. Pas kërkesës së amerikanëve, Organizata e Kombeve të Bashkuara përfshin në listën e sanksioneve pjesën më të madhe të kompanive dhe njerëzve të identifikuar si bashkëpunëtorë të Viktor Bout. Ed Rois, senator republikan nga Kalifornia, njëherësh edhe një prej emrave kryesorë në panelin parlamentar amerikan kundër terrorizmit dhe armëve bërthamore, tha se përpjekjet ndërkombëtare për shuarjen e konflikteve civile në Afrikë janë dëmtuar vazhdimisht nga Viktor Bout, i cili "i ka hedhur benzinë zjarrit". "Në të gjitha raportet e njëpasnjëshme të OKB-së, Bout citohet si shkelësi kryesor i sanksioneve për tregtinë e materialeve luftarake, duke furnizuar me armë këdo që qe i gatshëm të paguante", - shtoi Rois. 49-vjeçari Riçard Çiçakli, qytetar amerikan dhe mik i afërt i Viktor Bout, nën akuzë për bashkëpunim me të nga Departamenti i Thesarit, i hedh poshtë akuzat që i drejtohen atij vetë dhe Viktor Bout. Çiçakli mohoi kategorikisht çdo lidhje biznesi me Viktor Bout dhe është larguar nga trualli amerikan, pasi aktivitetet dhe llogaritë e tij bankare u bllokuan në vitin 2005.

I gjithë tregu “nën këmbët” e lordit

Viktor Bout, një prej figurave më të njohura të botës së nëndheshme të trafikut ndërkombëtar të armëve, pas largimit nga Forcat Ajrore Ushtarake me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik bleu një flotë avionësh transportues. Në atë kohë, kjo gjë u bë nga shumë ekuipazhe, të cilët thjesht përvetësuan avionët dhe prisnin të punonin kundrejt pagesës. Biznesi i tij nisi të lulëzonte falë idesë për të blerë gladiola në Afrikën e Jugut e për t‘i shitur në Arabinë Saudite. Më pas e shtriu aktivitetin te pulat e ngrira, për t‘u hedhur përfundimisht në tregtinë e diamanteve, të pajisjeve për miniera, automatikëve kallashnikovë, municioneve e armëve për helikopterë. Emri i tij nisi të bëhej i rëndësishëm në çastin kur në rrethin e tij miqësor dhe tregtar u përfshinë krerë të lartë shtetesh si Masudi, Mobutu, Savimbi, Teilori e Bemba. Në çastin kur u kap nga radarët e shërbimeve të fshehta amerikane mendohej se kishte arritur të ngrinte rrjetin më të frytshëm të transportit të armëve në botë. Trafikantët e armëve patën rast të shtinin në dorë jo vetëm sasitë e pafundme të armatimeve të trashëguara nga Bashkimi Sovjetik, por njëherësh edhe një sistem tërësisht operativ transporti klandestin, ku nuk mungonin as kanalet e zhvendosjes së parave, ekspertë që dinin t‘i përdornin armët dhe më e rëndësishmja, korridore të garantuara transporti. Viktor Bout e shfrytëzoi këtë sistem më së miri, madje e zgjeroi edhe më tej. Në vitin 2000, Viktor Bout qe bërë ‘McDonald‘s‘ i trafikut të armëve", - thotë Aleks Vines, një hetues që punon për llogari të organizatës "Human Rights Watch". Piter Hain, ish-ministër britanik, i cili e njeh mirë tregtinë e diamanteve për armë, e ka cilësuar si "kryetregtari i vdekjes në Afrikë". Në një raport të vitit 2005, lëshuar nga "Amnesty International", Viktor Bout cilësohet si "biznesmeni i huaj më i rëndësishëm" i përfshirë në tregtinë e armëve me vendet ku diçka e tillë ndalohet nga OKB-ja, përfshi këtu Bullgarinë, Sllovakinë, Ukrainën dhe Kurgizistanin.

21 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›