E Shtunë, 31 Tetor 2026

Midhja e Butrintit, edhe këtë sezon pa eksport

Embargoja nga BE

SARANDë. Midhja e Butrintit ka dalë në treg. Prodhuesit e saj parashikojnë rritje me disa tonë më tepër, ndërkohë që dyert e tregut europian ende ka fare pak shpresë që të hapen për midhjen tonë. Midhja e Butrintit prej pak kohësh ka nisur të ndihet dhe shijohet jo vetëm në tregun e qytetit, por edhe më gjerë. E ndërsa vitin e kaluar është prodhuar rreth 1300 tonë, për këtë vit prodhimi parashikohet të jetë rreth 1500 tonë, sipas Arjan Demirit, drejtor i Ndërmarrjes së Rritjes dhe Zënies së Peshkut. Edhe pse prej tyre ekziston ambicia që midhja e Butrintit të kalojë kufijtë për eksport jashtë vendit, pasi mundësitë janë të mëdha, ende nuk janë hapur dyert e tregut europian. Demiri tha se hapja e tregut ndërkombëtar për midhjen është thjesht një vendim politik, pasi midhja e Butrintit, ndryshe nga sa thuhet, i plotëson të gjitha kushtet për eksport.

Bashkimi Europian ka vendosur një embargo ndaj midhjes së Butrintit, kur ajo eksportohet e gjallë, për shkak se në disa periudha të vitit, deti fut në liqen një sasi algash të dëmshme përtej normave të lejuara nga BE-ja. Në këto raste, mbledhja e midhjeve duhet të ndalohet deri sa niveli i algave të ulet brenda normës së lejuar. Sipas këshillave nga Brukseli, autoritetet e menaxhimit në Sarandë duhet të dëshmojnë se janë në gjendje të bëjnë analizat vazhdimisht dhe të ndalojnë mbledhjen e midhjeve sa herë që vërehet rritje tej normave e elementeve të dëmshme. Por deri tani, të gjitha rishikimet e embargos nga ana e Komisionit Europian kanë dalë në konkluzionin se sistemi i kontrollit nuk është funksional brenda standardeve të kërkuara.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›