E Diel, 1 Nëntor 2026

Projektuesit belgë: Çfarë u ofrojmë shqiptarëve në qendër të kryeqytetit



Johan Anrys dhe Freek Persyn, dy partnerë të studios belge 51N4E, që ka fituar projektin e qendrës së Tiranës, për herë të parë zbardhin të plotë imazhin e tyre për zemrën e kryeqytetit të shqiptarëve. Të ftuar në emisionin Opinion të gazetarit të njohur Blendi Fevziu, transmetuar dje në mbrëmje në Tv KLAN, dy partnerët belgë bënë një panoramë të plotë dhe të detajuar të ideimit të projektit të tyre për qendrën e Tiranës duke qartësuar shumë në imazhin e të interesuarve që kohët e fundit, sidomos përmes debateve publike, duket se janë të shumtë.

Blendi Fevziu

Fevziu: Z.Aners, pse morët pjesë në konkurs?
Anrys: Pse kemi marrë pjesë në konkurs? Gjetëm njoftimin, i cili ishte një tender ndërkombëtar. Si një zyrë arkitekturore-urbanistike, menjëherë e kuptuam se një projekt i tillë ishte një sfidë e vërtetë.
Fevziu: Pse iu duk sfidë?
Anrys: është qendra historike e qytetit, e cila vë në konkurs një projekt prej 65 m2 brenda një zone që është, le të themi qendra historike dhe një sfidë për të gjetur një realitet të ri.
Fevziu: A është e vështirë t’i japësh një pamje tjetër sheshit që u ndërtuan nga italianët në kohën e mbretit, pastaj gjatë komunizmit mund të hasni arkitekturën italiane, ruse dhe përpara atë kineze. A ka qenë e vështirë ta ndryshoni këtë zonë?
Persyn: Ndryshimi u bë nga masterplani. Ai vërtet ndryshoi ambicien e sheshit. Më parë ishte projektuar për të qenë një shesh shumë i hapur, pothuajse si një kryqëzim trafiku, ku bashkohen të gjitha bulevardet.
Fevziu: Në fillim...
Persyn: Në fillim. Para 40 vjetësh, në kohën e komunizmit, ishte projektuar për të qenë më shumë një udhëkryq, se sa një shesh. Masterplani francez e ndryshoi këtë identitet dhe e ktheu atë në një zonë këmbësorësh, e cila është më aktive, që i jep më shumë hapësirë njerëzve për t’u mbledhur në mënyrë informale.
Fevziu: Problemi është se ky shesh nuk është një shesh për njerëzit, zakonisht është një shesh administrativ. Aty kemi ndërtesat e ministrive, Bashkinë e Tiranës, këtu kemi një ndërtesë administrative, hotelin dhe muzeun. Si do vijnë njerëzit këtu? Ndoshta njerëzit duan një kafene, disa dyqane suvenirësh, librari, s’e di, por pse do vijnë njerëzit këtu?
Persyn: Ajo që kemi parë është se Tirana është e mbushur me kafene. Mendojmë se është e rëndësishme që ky shesh të jetë më shumë se një kafene. është pjesë e një sekuence urbane, e një shëtitoreje, bulevardit, të cilën mund ta shohim këtu. Të dielave për shembull, njerëzit shëtisin përgjatë bulevardit. Ata shijojnë dritat, hapësirë, diellin, bisedojnë me njëri-tjetrin. Projekti ynë e bën të mundur këtë. Rrit mundësinë e shëtitjeve, takimeve. Kemi projektuar një shesh që konsiston në dy ndërhyrje kryesore.
Fevziu: Cilat janë ato?
Persyn: E para është të bëjmë një qendër bosh. Një qendër bosh nga e cila mund të shihen të gjitha ndërtesat historike që rrethojnë sheshin.
Fevziu: Ndërtesat historike do t’i ruani?
Persyn: Absolutisht. Mendojmë se kjo është thelbësore për historinë e sheshit.
Fevziu: Pse?
Persyn: Gjithashtu edhe për të ardhmen e sheshit. Ndërhyrja e dytë; do të bëjmë një koleksion parqesh dhe lulishtesh të vogla me shumë gjelbërim përgjatë sheshit, që rrethon këtë zonë. Pra, do të ketë një dualitet. Në njërën anë do të jetë sheshi formal, i cili do të jetë bosh dhe nga ku mund të shihet historia. Një histori, që për ne është diçka që evoluon dhe që do të ndryshojë në të ardhmen. Nga ana tjetër do të jetë moria e parqeve përqark tij, ku do të ketë hije, mjaft pajisje urbane, si stola, ku do të ketë shumë bar dhe gjelbërim. Gjithashtu edhe zona ku të luajnë fëmijët. Pra, projekti do të jetë shumë i ndryshëm.
Anrys: Dëshiroj t’i përgjigjem edhe unë pyetjes suaj, sepse ishte një pyetje mjaft interesante. Tirana është një nga të paktat qytete evropiane, ku të gjitha ndërtesat publike, si ministritë, libraritë, ndodhen në qendër. Ky është një avantazh që duhet shfrytëzuar.
Fevziu: Edhe bulevardi më parë ishte projektuar për të qenë një zonë administrative, me ndërtesa administrative në të dyja anët.
Anrys: Kjo është diçka që ne e kemi vlerësuar.
Fevziu: Mendoj se kjo, në përgjithësi, nuk është gjë e këndshme për njerëzit.
Anrys: Nuk do ta thosha me domosdoshmëri këtë. Nëse e kalojmë bulevardin në plan të dytë, keni një aktivitet të madh tregtar, që po rritet. Do të ketë bare, restorante, dyqane, e kështu me radhë. Pra, nëse shkon në një zonë si Blloku, njerëzit janë plot gjallëri, është shumë i populluar, njerëzit lidhen me njëri-tjetrin në hapësirat publike duke pirë një kafe, duke bërë pazar, duke shkuar nëpër restorante. Kjo qendër është ndryshe. Dhe është e rëndësishme të jetë e tillë. Në këtë vend, njerëzit mund të jenë në marrëdhënie me njëri-tjetrin, pa qenë në kafene, restorante, pa u dukur me makina.
Fevziu: Një filozofi tjetër jetese.
Anrys: Po, pikërisht. Mendoj se shqiptarëve ju pëlqen kjo gjë. Ata e bëjnë këtë. është pjesë e historisë së tyre. Ata ecin, pa pirë kafe.
Fevziu: është traditë.
Anrys: është traditë. Ne jemi të vetëdijshëm se kjo cilësi nuk duhet humbur. Qendra nuk duhet komercializuar. Duam ta ruajmë dhe ta zhvillojmë më tej faktin që përreth sheshit kemi këto ndërtesa të rëndësishme historike.
Fevziu: Gjatë masterplanit francez ka ekzistuar ideja për ta mbyllur pak sheshin dhe për të mbuluar disa ndërtesa, si për shembull ndërtesën e Tirana International Hotel, apo muzeun kombëtar, sepse unë mendoj se arkitektura e tyre nuk është shumë e këndshme.
Persyn: Unë mendoj se thelbi i masterplanit është se nga njëra anë kemi unazën, e cila është zonë tregtare dhe kafenesh, ajo për të cilën ju folët dhe në qendër të kësaj unaze do të ketë një zonë kalimtarësh.
Anrys: Kalimtarësh. Mendoj se ky është thelbi i projektimit të masterplanit.
Persyn: Ne e kemi ruajtur të paprekur këtë princip të masterplanit.
Anrys: Masterplani në përgjithësi jep direktiva. Ata kanë përcaktuar disa zona që duhen detajuar dhe zhvilluar. Ai nuk mund të hynte në detaje. Sheshi për të cilin po flasim nuk është vetëm ky. Ajo që masterplani po bën shumë mirë, është përcaktimi se qendra është e gjithë zona.
Fevziu: Qendra është më e madhe se sheshi kryesor.
Anrys: Dhe kjo është pika kyçe. Masterplani shkon nga unaza, tek hapësira që është pas Operës, e cila ndodhet pas ministrive. Masterplani e kishte kuptuar shumë mirë, që nuk është i rëndësishëm vetëm ndërtimi i qendrës historike, por edhe të përpiqesh të lidhësh qendrën me zonën tregtare, e cila ndodhet pas.
Fevziu: E cila duhet të jetë pranë unazës.
Anrys: Po. Ata, sigurisht që kanë sugjeruar ndërtimin e ndërtesave të reja. Arsyeja qëndron në faktin se ekziston një rrezik. E kemi këtë rrezik edhe në qytete të tjera perëndimore. Kur rinovojmë qendrën e qytetit tonë, shpesh bëjmë gabimin e historianizimit të tyre, për turizëm. I përcaktojmë ashtu si mendojmë se kanë qenë në një kohë të caktuar, në atë zonë. Ajo që masterplani kërkon këtu, është se përveç ndërtesave historike, duhet të ketë ndërtesa të reja. Ndërtesa që të jenë...
Fevziu: Ku do të ishin ato?
Anrys: Le të themi brenda kësaj zone. Ai nuk e përcakton me saktësi se ku. Ndërtesat e reja, sot nuk janë qëllimi i punës sonë. Angazhimi ynë është vetëm sheshi. Në të ardhmen, masterplani përcakton se duhet të ketë tenderë të tjerë për ndërtesat e reja.
Fevziu: Ndërhyrja juaj do të jetë vetë vetëm në sheshin kryesor këtu, apo edhe në zonat rreth saj.
Anrys: Ajo që shikoni ju është e gjithë zona. 65 000 m2.
Persyn: Në thelb është një projekt horizontal. Ajo që është mbi tokë dhe poshtë saj. Gjithçka ne e kemi propozuar në termat e zhvillimit në të ardhmen, në një mënyrë urbanistike, që do të vijë në të ardhmen.
Anrys: Për ndërtimin e ndërtesave që do të jenë në të ardhmen. Që e ardhmja të lidhen me të jashtmen. Ndoshta duhet t’ju tregojmë disa skica.
Fevziu: Po. Do kisha disa pyetja para se të filloni të tregoni. Në fillim, thatë se projektimi i këtij sheshi, para 4 ose 45 vjetësh, nuk e di me saktësi, ka qenë ideja e një kryqëzimi, pra kryqëzimi i rrugëve dhe trafikut nga kudo. Tani ai duhet të jetë një zonë pa makina, që do të thotë zonë këmbësore. A është e mundur për Tiranën që ta përballojë trafikun me këtë unazën e vogël?
Persyn: Trafiku është pjesë e propozimit.
Fevziu: Nëse ktheheni, do të shikoni se në këtë zonë lëvizin shumë makina.
Anrys: Para 40 vjetësh në qytet nuk ka pasur makina.
Fevziu: 100 në të gjithë Tiranën.
Anrys: Nuk e imagjinoj dot. Do të ishte fantastike.
Fevziu: Mund t’ju jap disa filma, disa foto për të krijuar një ide. është shumë interesante.
Anrys: Nëse ndodhesh në shesh, mund të shohësh gjysmë kilometër në rrugën e Durrësit, rrugën e Kavajës, bulevardin kryesor. Pra, do të thotë se i gjithë ky përqendrim, të gjitha këto rrugë, kanë pasur akses vizual në këtë qendër. është një kryqëzim, jo një rrethrrotullim për makina. Le të themi, vendi ku këto rrugë bashkoheshin. Tani, pas 20 vjetësh, kur qyteti është plot me makina, Tirana ka probleme trafiku më shumë se çdo qytet evropian. Ky problem do të zgjidhet në të ardhmen. Kjo është jashtë qëllimit të këtij projekti. Trafiku është trajtuar në plane të ndryshme. Sigurisht që ne këtë projekt e kemi projektuar në lidhje me masterplanin e rregullimit të trafikut të të gjithë qytetit, i cili është një sistem unazash të ndryshme. Për shembull, kjo është unaza e brendshme, por ka edhe 4 unaza, që përpiqen ta zgjidhin këtë problem.
Fevziu: Ky është problemi ynë, jo i juaj. Ju thatë se punoni në zonën horizontale, që do të thotë në sheshin kryesor e zonën përreth, me parqet e gjithçka. A do të ndërhyni në fasadat e ndërtesave historike si pallati i kulturës këtu, apo muzeu? Apo vetëm në zonën horizontale?
Persyn: Një pjesë e rëndësishme e projektit është ndriçimi. Po të shihni, jashtë është shumë rrëmujë. Partner në skuadrën tonë është një ekspert ndriçimi nga Franca, i cili ka marrë pjesë në projekte te rëndësishme në Francë dhe jashtë saj. Në ndërtesa historike në Betlehem, Jerusalem. Ai ka projektuar një projekt ndriçimi, që cilësitë e tyre arkitekturore të dalin në pah dhe mendoj se ky do jetë një vlerë e rëndësishme e planit. Kemi propozuar disa ndërhyrje në fundin e disa ndërtesave, për të ndryshuar marrëdhënien e tyre me sheshin.
Fevziu: Për shembull.
Persyn: Për shembull xhamia do të ketë një platformë të re, e cila do përshtatet më shumë me sheshin.
Anrys: U tmerrova kur pashë se nuk kishte dritë kur njerëzit faleshin mbi rrugë. Makinat për pak sa nuk i shtypnin.
Fevziu: Xhamia është ndërtuar në 1822, pra para 200 vjetësh, kur Tirana kishte 300 banorë.
Anrys: Një ndërhyrje do ishte ndërtimi i një tapeti të madh para xhamisë, që t’i jepej një adresë sheshit.
Fevziu: Ku njerëzit të kishin më shumë hapësirë.
Anrys: Një shembull tjetër do të ishte teatri i kukullave. Teatri i vogël.
Fevziu: Parlamenti i dikurshëm i Shqipërisë.
Anrys: Ajo është një ndërtesë shumë e vogël, e këndshme dhe historike, e fshehur pas pemëve. Edhe kjo ndërtesë duhet të lidhet me sheshin. Kjo është më miqësore ndaj fëmijëve. Para tij do krijojmë një shatërvan, gjithashtu pas tij do të jetë një kënd lojërash, ku fëmijët të mund të luajnë. Do të jetë një vend i përsosur ku familjarët të mund të rrijë. çdo vend në qendër, është projektuar për të lidhur ndërtesat me çdo mjedis. Madje edhe lulishtja. Ideja e lulishtes do të qëndrojë, por do ta zvogëlojmë barin, që të mund të funksionojë si një zonë e hapur, një lulishte festival.
Fevziu: Do të kemi më shumë lulishte në qendër të qytetit të fund të projektit tuaj?
Persyn: Absolutisht.
Anrys: Do të mbillen 400 pemë.
Fevziu: 400 pemë. Ku?
Anrys: është shumë e rëndësishme të kuptohet se sheshi është dy gjëra. E para, sheshi është një zonë e hapur. Do të ketë diell gjatë ditës, errësirë gjatë natës. Ajo që është e rëndësishme është se ai i jep një adresë të gjitha ndërtesave që ndodhen këtu. çdo momenti historik të çdo rëndësie historike në historinë e Shqipërisë. Kjo është e para. E dyta, do të krijojmë një unazë që e lidh këtë shesh me unazën e trafikut. Edhe ky vend, do jetë një vend ku njerëzit mblidhen. Në hije, në gjelbërim. Do të jetë një klimë shumë e këndshme aty. Do jetë më errët, shumë e rehatshme gjatë verërave të nxehta. Kjo hapësirë i lejon ndërtesat të komunikojnë.
Persyn: Ky është një shembull i pamjes që do të krijohet.
Fevziu: Ju do merreni edhe me pemët?
Anrys: Po.
Persyn: Ky ishte një propozim i parë.
Fevziu: ç’lloje pemësh do mbillen aty?
Persyn: Kjo jep një ide të pemëve që ekzistojnë dhe atyre që do mbillen. Këtu ka shumë pemë, edhe këtu, edhe atje. Këto janë pemët ekzistuese.
Persyn: Kjo jep një ide të pemëve që do të mbillen. Disa do jenë të mëdha dhe disa më të vogla. Do mbillen në vendet ku përshtaten më shumë.
Fevziu: Kjo do të thotë 400 pemë më shumë në qendër të qytetit, vetëm në zonën rreth sheshit kryesor.
Anrys: Nuk do vëmë pemë që të ndërthuren me njëra-tjetrën. Ndonjëherë do krijomë kopshte lulesh, që në pranverë të lulëzojnë, ose në një moment tjetër, do kemi pemë frutore, pra çdo vend rreth sheshit, do ketë pemë të llojeve të ndryshme. Ndonjëherë drita do jetë shumë e zbehtë. Pishat në qendër, në kopsht, ato krijojnë errësirë dhe janë më të larta. Pra, çdo kopsht do ketë karakterin e vet, nga pikëpamja e ndërtesave dhe gjithashtu edhe nga pikëpamja e gjelbërimit. Ne i quajmë anteshmbër. Ato lidhin qytetin me sheshin. Krijojnë qetësinë e një qyteti shumë të zhurmshëm kundrejt qendrës.
Persyn: Në gjithë këtë është edhe një aspekt tjetër shumë i rëndësishëm. Sigurisht, nëse e zhvilloni planin është më e rëndësishme të flasësh për atë që sheh, por unë mendoj se ky projekt është pothuajse 50 %, e gjëra që ju nuk do të shihni. Ka të bëjë me infrastrukturën nëntokësore.
Fevziu: A keni një ide për infrastrukturën e nëndheshme të sheshit kryesor?
Anrys: Ekzistueses?
Fevziu: Po. Si është ajo?
Anrys: Një rrëmujë e vërtetë.
Fevziu: Unë mendoj se është ndërtuar për një qytet me 250 000 banorë, jo për një milion.
Anrys: Për këtë keni të drejtë. Fitimi i një tenderi të tillë, është fundi i fillimit. Kjo do të thotë se e ke të qartë se si do të jetë arkitektura, por pastaj duhet të fillosh. Atëherë e kupton se nëse mbulon këtë shesh vetëm me një shtresë gurësh, nuk është zgjidhje. 30-40% i buxhetit që kemi parashikuar për këtë shesh, do të shkojë për infrastrukturën nëntokësore.
Fevziu: 30-40% e projektit do të shkojë në nëntokë?
Anrys: Pikërisht. Dhe kjo nuk i shërben vetëm sheshit, por gjithë qytetit.
Fevziu: Absolutisht. Mendoni se në fund do të kemi një infrastrukturë nëntokësore për të ardhmen?
Anrys: Pikërisht. Do të jetë aty për 50 vjet të tjera.
Persyn: Ajo që kemi projektuar së bashku me një skuadër inxhinierësh vendas, është sigurimi i sistemit të tuneleve, që do të mbeten të kalueshme edhe pasi sheshi të mbyllet. Ky sistem tunelesh do sigurojë fleksibilitin e ndërtimit të një infrastrukture të re. Për shembull, nëse pas 5 vjetësh do të duhet të futet një tubacion i ri që duhet të kalojë përmes sheshit, mund të kalojë poshtë tij, pa e hapur sheshin. Pra, është një investim afatgjatë, i cili mendoj se do t’i japë sheshit fleksibilitetin, që është thelbësor për qendrën e Tiranës.
Anrys: Nëse e shikoni këtë imazh. Kjo është situata konkrete. Kemi vizatuar të gjitha kabllot, ato elektrike, e të tjera që kalojnë nëpër shesh. Siç e shikoni, ato janë instaluar pa një vizion. Pamja tjetër ju tregon se si do të pastrohet. çdo kabllo do të rilokalizohet dhe do t’i vendosim në një sistem tunelesh. Nga lindja në perëndim dhe jugu në veri do krijojmë tunele që do ju lejojnë të hyni.
Fevziu: Tunele ku mund të hyhet?
Anrys: Tunele ku mund të hyhet. Sot edhe në unazë... Humba në hapësirë sepse po shohim të gjithë projektin. Sot në unazë ka një tunel ekzistues. Ne do ta përdorim, do ta lidhim, me tunelet e reja.
Fevziu: Kam një pyetje. Shumë njerëz në Shqipëri, arkitektë, mendojnë se nëse sheshi mbyllet për makinat, do ishte më mirë që tunelet të ndërtoheshin që nga rruga e Durrësit, apo ajo e Kavajës, në lindje të Tiranës, ose të lidhnin dy bulevardet kryesore. A është kjo e mundur, apo jo?
Persyn: Nuk e kemi studiuar këtë lloj projekti. Nuk ishte kjo pyetja që na u drejtua. Duke parë atë që ndodhi në qytete, si Brukseli, për shembull, në qytete që zgjerohen kaq shumë sa është zgjeruar Tirana dhe ku njerëzit mendojnë ende në aftësitë e vogla, kur duhet të kërkojnë zgjidhje në aftësi të mëdha. E kam shumë të qartë se hapja e një tuneli poshtë një sheshi, vetëm sa do ta përkeqësonte problemin. Urbanistika në Tiranë duhet të krijojë më shumë hapësirë.
Anrys: Kjo është një çështje mentaliteti. Sot nëse dikush niset të shkojë nga lindja në perëndim të qytetit, mendon të shkojë të qendër e më pas të vazhdojë matanë. është e vërtetë. Sot qyteti kështu është. Po të kishim parë skemat e trafikut, të cilat tani aplikohen pjesë-pjesë, ideja e menaxhimit të të gjitha makinave, është që njerëzit të mësohen me faktin që kur arrijnë këtu, të kalojnë anash dhe jo në qendër, për të krijuar probleme. është një ndryshim mentaliteti. Mendoj se ideja e urës...
Fevziu: Mendoj se sot kemi probleme pasi kemi vetëm një unazë, që u ndërtuan nga italianët para 60-70 vjetësh, kur Shqipëria kishte 1 000 makina. Sot është komplet ndryshe. Në fakt, ne duhet të ndërtojmë unazat.
Anrys: Ky njeri ka qenë vizionar, e dinte se ç’do të ndodhte në të ardhmen.
Fevziu: Mendoj se kanë qenë arkitektët e mirë, ata që ndërtuan qendrën e Tiranës. Qendra e rrethit do të ketë formën e një piramide me një lloj diference nga qendra, në anë, pse kjo lloj tendence?
Persyn: Ndërhyrja e bërjes së një rrethi që ngrihet në qendër...
Fevziu: Cila do jetë diferenca?
Anrys: 2,7.
Fevziu: 2,7.
Persyn: Në një hapësirë aq të madhe, do të thotë se pjerrësia, nuk do të jetë më e madhe se pjerrësia e një rruge. Pra, njerëzit nuk do të ndjejnë, nuk është mal, është vetëm një pjerrësi e butë, për shkak të hapësirës së madhe, menjëherë pasi gjendesh në qendër, ndodhesh 2,7 metra më lart. Kryesorja e kësaj është se do të kesh një pamje të ndërtesave, si për shembull muzeu, opera që janë shumë monumentale. Duke e bërë sheshin si një baraspeshë për këtë monumentet, balanca e historisë do ndryshojë dhe të jetë më njerëzore.
Anrys: Këto ndërtesa janë bërë që të ngresh kokën e t’i shohësh. Njerëzit qëndronin pranë Enver Hoxhës dhe këto ndërtesa ishin monumente për Enver Hoxhën. Njerëzit duhet të ngrenë kokën për të parë këto ndërtesa. Ky shesh të lejon të mos i ndryshosh ndërtesat, sepse ato mbrohen, janë pasuri kulturore, por të ndryshosh perspektivën në lidhje me ndërtesat. Perceptimi juaj do të jetë tërësisht ndryshe, vetëm duke e ngritur atë. Kjo ishte një lloj zgjidhjeje, për të ndryshuar ndërtesat sepse ato ishin interpretuar si të pakëndshme. Ne gjetëm zgjidhjen që të mbronim ndërtesat, sepse kjo ishte kërkesa e masterplanit, dhe njëkohësisht, të mendonim si t’i ndryshonim këto ndërtesa. Kështu, ne gjetëm një zgjidhje për të mos i prekur, por për t’i ndryshuar. Në këtë mënyrë, respektojmë ndërtesat historike të qendrës së qytetit, por gjetëm një mënyrë të re, për t’i parë...
Fevziu: Në Shqipëri, do keni surpriza, por po flasim për anën teorike.
Anrys: Nga ana teorike, 20 – 24 muaj do jenë të mjaftueshme për të përfunduar punën.
Fevziu: Nëse do të hasni në disa probleme shqiptare?
Anrys: Një Zot e di.
Persyn: Për një projekti, të tillë, bashkëpunimi mes të gjitha palëve është thelbësor. Ndodh në çdo projekt të madh, nëse të gjitha palët që bëjnë nuk bashkëpunojnë, atëherë nuk do e realizojmë dot sipas planit.
Anrys: Po ju them diçka, këtë konkurs e kemi fituar në 2008. Në atë moment, kur morëm vesh se kishim fituar, u habitëm. Nuk e kishim menduar se do fitonim. Ju e dini si është konkurrenca. Vërtet u habitëm.
Fevziu: Sigurisht. Kishte shumë pjesëmarrës në garë.
Anrys: Absolutisht, por pas një jave kuptuam, se ky ishte vetëm fillimi i një projekti shumë të vështirë. Po të shihnit skuadrën tonë, do kuptonit se është një projekt i vërtetë evropian.
Fevziu: Sa njerëz punojnë për këtë projekt? Në anën tuaj.
Anrys: Kemi bërë një skicë për këtë, sepse edhe ne i kemi bërë vetes të njëjtën pyetje. është vërtet e habitshme të shohësh të gjithë njerëzit. Për këtë lloj projekti, nuk mund të veprosh ndryshe përveç se të punosh me specialistë shqiptarë, të cilët njohim infrastrukturën nëntokësore, hidrologjinë. Kemi një skuadër prej 4 – 5 inxhinierësh shqiptarë. Kemi ekspertë ndërkombëtarë nga Franca, Kanadaja, Hollanda, Gjermania. Kemi një kontraktues, i cili është gjithashtu i një kombësie tjetër, pra është vërtet një projekt evropian. Pra, duhet të bashkëpunojmë. Na u desh një vit të siguroheshim që ky projekt është një projekt i mirë dhe tani po fillojmë. Përsëri, është shumë e rëndësishme që të gjitha palët e përfshira të mbështeten në mënyrë që të realizojmë një projekt të suksesshëm...
Fevziu: E imagjinoj si do jetë qendra e Tiranës pas dy vjetësh, dhe për këtë duhet të tregohemi optimistë, por si e gjeni qendrën e Tiranës në krahasim me herën e parë që keni qenë këtu?
Persyn: ç’lloj përshtypjesh na jep?
Fevziu: Po.
Persyn: është e njëjta përshtypje që më krijohet edhe tani me muzikën. Herën e parë që erdhëm këtu, menduam se ishte një vend i Evropës Lindore, sepse në mendimet tona ishte ende ndryshimi Evropës Perëndimore dhe asaj Lindore. Kur mbërritëm këtu u habitëm që gjetëm një vend kaq mesdhetar, një vend ku njerëzit jetojnë kaq shumë jashtë dhe takohen jashtë, gjithashtu një vend shumë i ngrohtë, kjo jo vetëm në kontekstin e klimës, por edhe se si i takoni njerëzit, humanitetit. Na pëlqen shumë të vijmë këtu.
Anrys: Në njëfarë mënyrë, këtë projekt donim që t’ua jepnim aftësive njerëzore. Këtë vlerësojmë vërtet nga shqiptarët. Ata janë shumë humanë. Gjithashtu edhe të gjenim një shesh monumental. Ishte një kontrast që duhej zgjidhur. Të mbetej ana monumentale dhe njëkohësit t’i jepej humaniteti që duhet. Ky ishte kontrasti që kapërcyem në këtë projekt.
Fevziu: Ju pyeta edhe në fillim, por dëshiroj t’ju pyes përsëri, a ka qenë e vështirë t’i jepje një identitet një sheshi ku disa nga ndërtesat janë me arkitekturë italiane, këtu kemi një arkitekturë ruse, të projektuar nga një prej arkitektëve më të njohur rusë dhe përballë kemi disa arkitektë shqiptarë, nën influencën e disa arkitektëve kinezëve dhe urbanistikës kineze.
Anrys: Mos harroni ndërtesën shumë të bukur të Bankës Kombëtare.
Fevziu: Banka Kombëtare ka një arkitekturë italiane, si edhe bulevardi kryesor dhe ministritë. Dhe gjithashtu dhe ndërtesa me arkitekturë austro-hungareze që dikur ka qenë parlamenti, ndërsa tani teatri i kukullave.
Anrys: Nëse ma bëni këtë pyetje tani, nuk do përdorja më fjalën ndryshim. Do të përdorja fjalën rehabilitim, të një sheshi të humbur, që sot nuk po gjen dot identitetin e tij.
Fevziu: Mirë. Do shtoni ndonjë gjë?
Anrys: Jo.
Fevziu: Shumë faleminderit për intervistën. Ju uroj fat.
Anrys & Persyn: Shumë faleminderit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›