E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Klodi” si valvul shkarkimi mediatike

BELINA BUDINI

Travestitë, biseksualë, homoseksualë por edhe halabakë, ekzibicionistë, psikopatë, si edhe modelë, këngëtarë, sportistë... Jo të ...zakonshmit, por "të veçantët" në mes të të zakonshmëve po i popullojnë tanimë shtëpitë e klonuara televizive sipas modelit "Big Brother" anekënd globit. Qëllimi? Të prodhohet skandal, spektakël dhe provokacion. Rezultati? I garantuar: Audiencë e lartë, shumë reklamë, debat i ndezur publik. Në fakt, asgjë të keqe në vetvete nuk ka tek skandali, spektakli, provokacioni, ashtu si nuk ka doemos gjë të keqe as te kërkimi i audiencës maksimale, reklamave dhe debatit publik. Përkundrazi, mund të jenë të dëshiruara dhe përgjithësisht zhvilluese. Mund të nxisin debate të qenësishme dhe në të njëjtën kohë t'i shërbejnë vetë televizionit si media për të avancuar në ide, teknologji dhe profesionalizëm. Madje importimi i formateve të Endemol-it është i vonuar në tregun mediatik shqiptar në raport me vende të tjera të rajonit, ku këto skandalet me travestitë dhe homoseksualë janë konsumuar tashmë.
Përtej debatit me "homofobë" dhe "homofilë"
Në Shqipëri mbeten ende të pakonsumuara publikisht plot nga "skandalet" e modernitetit, edhe pse jetët e zakonshme janë të mbushura me të tilla "të fshehta". Rasti i Klodit të "Big Brother" po shërben si valvul shkarkimi mediatike, siç kanë shërbyer skandale të tjera publike në Shqipëri të natyrave të ngjashme (po të kujtojmë skandalin e publikimit të fotove nudo të Ramës dhe furinë mediatike që pasoi, si edhe skandalin e Pangos pak kohë më parë, shoqëruar me po kaq patos). Kjo nuk e bën protagonistin e skandalit as plotësisht hero dhe as plotësisht viktimë në fakt. Madje viktimizimi ose pamja prej të diskriminuari ekstrem në rastin e Klodit mund të ketë lidhje edhe me karakteristika të tjera të tij si personazh përveç homoseksualitetit (fakti që është verior, pak i kultivuar dhe me një pamje jo fort tërheqëse, mund të ishin arsye të mjaftueshme për ta vendosur atë, sigurisht të pamerituara, në karrigen e të diskriminuarit edhe pa faktin e të qenit homoseksual). Nga ana tjetër, "viktimizimi" i tij mund të interpretohet si i kërkuar, për sa kohë që ka vendosur ta "shesë" homoseksualitetin e tij në këmbim të futjes në "Big-Brother" dhe momentit të famës, edhe pse kjo nuk e bën atë as më pak "të guximshëm", as më pak "kavie eksperimentale" dhe as më pak të cenueshëm si qenie njerëzore. Filozofia e moralit mund të thotë mjaft në këtë drejtim, megjithatë diskutimi rreth asaj se çfarë është më shumë apo më pak morale në këtë histori me shumë aktorë, mbetet disi delikat. Duke e anashkaluar një diskutim të tillë të koklavitur, po marrim nga filozofia e etikës pohimin relativizues, sipas të cilit "të vërteta morale të vlefshme për të gjithë njerëzit në të gjitha kohët nuk ka", edhe pse progresi moral është i mundur. Në fund të ditës, ai (morali pra) sërish do të mbetet jo i përkryer dhe në nevojë për reformim të vazhdueshëm. Nga pikëshikimi i filozofisë morale na bëhet e qartë gjithashtu të vërejmë se në një çështje si kjo e homoseksualitetit, njerëzit e vendosur në kampe të ndryshme nuk ndahen në fakt për sa u përket vlerave njerëzore që bartin dhe mbrojnë, por për sa u përket besimeve të tyre vetjake dhe kulturore. Prandaj është artificiale t'i kategorizosh ata si "homofobë" ose si "homofilë" dhe është më korrekte t'i konsiderosh si njerëz me besime të ndryshme për sa i përket seksualitetit. Aq më tepër që, këtu nuk përjashtohet as mundësia që ata, të cilët rreshtohen publikisht pas njërit kamp, të ndihen më pranë tjetrit në të vërtetë, pra besimet e tyre të jenë në fakt të tjera nga ato që shfaqin për efekt "moderniteti" apo "namuzi". Mund të jetë pra më realiste të shkohet përtej një debati me "homofobë" dhe "homofilë", me "regresistë" dhe "progresistë", pa predikime të tepërta morale nga të dyja kampet. Asgjë kaq e tmerrshme nuk ka ndodhur se dolën ca tifozë lezhjanë të shfryjnë ndaj një simboli të homoseksualitetit, pasi në sajë të mediatizimit, Klodi i "Big Brother" mund të thuhet se e ka fituar këtë status për momentin në Shqipëri. Në mos qoftë e orkestruar, ajo protestë duhet konsideruar si gjë krejt normale, pa i dhënë rëndësinë e një skandali apo kundër-skandali. Nuk më duket kësisoj e arsyeshme që nga një protestë aq minimale të lexohen domethënie të mëdha për moralitetin dhe vlerat e Shqipërisë aktuale.
Në kërkim të të zakonshmëve "skandalozë"
Duke iu rikthyer formatit të emisionit që prodhoi Klodin, në kërkim të skandaleve dhe provokacioneve, nuk është ndonjë çudi e madhe që të orkestrohen dhe stisen ngjarje dhe histori, pasi janë të njohura tanimë fakte të tilla për "sivëllezër" të "Big Brother" në vende të ndryshme të botës. Megjithëse zhanri vazhdon të mbijetojë, shumë nga iluzionet ose pritshmëritë, në lidhje me vërtetësinë ose realitetin e brendshëm të tij po shuhen. Një nga iluzionet në shuarje është pikërisht ai i rrëfimit të një historie me personazhe të zakonshme, reale. Duket se nuk ka gjë më irreale sesa kjo pritshmëri naive për demokratizimin e ekranit, për kalimin e njerëzve të zakonshëm në ekran si të zakonshëm. Më të favorizuarit, sigurisht mbeten të zakonshmit disi "skandalozë", ose ata që janë nga pak modelë, nga pak aktorë, nga pak sportistë dhe së fundi, ata që kanë për të shitur nga pak "dramë familjare", "intimitet" dhe "karakter të keq". është tipike e "Big-Brother" që, për hir të spektaklit dhe për të pasur një show të garantuar, zgjedh kësisoj të ndryshmit apo devijantët, në mes të të zakonshmëve, gjë që krijon nga ana tjetër idenë e gabuar se shoqëria dominohet prej tyre. Ndodh shpesh të dëgjosh në ambiente të ndryshme këto ditë vlerësime të tilla si "sa shumë po shtohen këta homoseksualët mor vlla" dhe nga taksia tek auditoret e studentëve të vëresh një lloj paniku shoqëror, provokuar mediatikisht. A duhet marrë seriozisht? Jo më tepër sesa virusi Sars, gripi i pulave apo i derrave…

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›