E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabit bankën dhe rrëmben studenten, vajza: Dialogu im me pengmarrësin



Etleva Delia

Tirana “mbajti frymën” për disa minuta ndërsa Romeo Leka, një 25-vjeçar krejt i panjohur deri dje, pasi kishte grabitur bankën, mbajti peng me armë një studente 19-vjeçare, duke kërcënuar se do ta vriste. Qindra qytetarë të ndodhur në bulevardin kryesor të Tiranës dhe në zonën e ish-bllokut u terrorizuan dje rreth orës 13:00, pasi personi me armë në dorë, mori peng një kalimtare pranë “Librit universitar” dhe lëvizi me armë në duar për disa minuta përgjatë trotuarit pranë Presidencës. Protagonisti i situatës, Romeo Leka e filloi aventurën e tij, dje në ora 12:30, kur hyri qetësisht në ambientet e hotel “Rogner”, pranë Kryeministrisë, duke lëvizur drejt filialit të bankës “Raiffeisen”, i cili ndodhet brenda hotelit. Sapo kaloi rojet e sigurisë, grabitësi qëndroi pranë arkëtares, të cilës i drejtoi pistoletën dhe e detyroi t’i mbushte me para një çantë që i riu nxori nga xhupi. I pa maskuar, me pistoletë në dorë dhe me çantën me paratë e grabitura, Romeo Leka doli gjakftohtë nga hoteli dhe vrapoi në drejtim të “Librit universitar” tek ish-Blloku. Policia e Tiranës, u njoftuar menjëherë për grabitjen, bllokoi të gjitha rrugët, duke mos i lënë hapësirë grabitësit për t’u larguar. Një patrullë policie lajmëroi se personi i armatosur që doli nga “Rogner”, po lëvizte në këmbë. Ngjarja mori përmasa të mëdha, kur 25-vjeçari u afrua pranë supermarketit “Euromax”, poshtë “Librit universitar” dhe pa rritjen e numrit të forcave të policisë. Në këtë kohë, i riu, kapi nga krahu një kalimtare të rastit dhe i drejtoi pistoletën në kokë duke e mbajtur peng atë ndërsa lëvizte për t’i ikur policisë. Gazetarë të ndodhur në ndjekje të aktiviteteve politike pranë Kuvendit, mësuan lajmin dhe në pak minuta, zona ku zhvillohej ngjarja u mbush me kameramanë, kalimtarë të rastit dhe njerëz që dolën nga lokalet aty rrotull për të ndjekur “skenën aksion”.
PENGMARRJA
Drejtues të policisë së kryeqytetit, efektiva të komisariateve nr.1 e nr.2 dhe forcat speciale RENEA u vunë në lëvizje duke rrethuar zonën pranë sheshit “Wilson”, për të neutralizuar autorin e ngjarjes. Qindra qytetarë krijuan një tjetër kordon, veç atij të policisë, për të parë se si do të rridhte ngjarja. Policia vëzhgonte me imtësi çdo lëvizje të grabitësit e pengmarrësit, në mënyrë që të mos ndërhynte para kohe për të vënë në rrezik jetën e studentes 19-vjeçare. I riu qëndroi për disa minuta pranë supermarketit, duke biseduar me vajzën që mbante peng, të cilën e kishte kapur nga dora. Romeo Leka hodhi çantën ku mbante paratë e grabitura dhe me dorën e djathtë mbante një pistoletë tip “Bereta”, me 15 fishekë dhe plumb të mbushur, që e drejtonte nga njerëzit dhe herë nga policia. Pasi forcat e rendit i afrohen, ai nxjerr në tufë parash, ia hedh policisë dhe u kërkon t’i blejnë një Red Bull. Pak minuta më pas, i riu drejtohet nga Presidenca, duke mbajtur vazhdimisht vajzën nga dora dhe me dorën tjetër drejtonte pistoletën. Duke parë drejtimin e tij, policia, forcat speciale RENEA, janë pozicionuar për të ndërhyrë në momentin më të përshtatshëm, ndërkohë që rrotull vendngjarjes në ndërtesa ishin instaluar ndërkohë skuadrat e snajperëve.
LIRIMI I PENGUT
Katër snajperistë të RENEA-s, kishin në shënjestër autorin e grabitjes dhe të pengmarrjes, ndërsa prisnin një urdhër për të qëlluar. Grabitësi lëvizte në trotuar ndërsa në rrugën ngjitur drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, negociatorë të RENEA-s dhe oficerë të tjerë, duke formuar një trupë të lëvizshme ndiqnin nga afër lëvizjet e të riut, ndërsa komunikonin drejtpërdrejt me të. Policia i bëri thirrje grabitësit të lëshonte armën dhe të lironte vajzën e marrë peng. Autori nuk bindej, madje kërcënonte policinë, duke thënë që do vriste këdo në rast se ata nuk largoheshin. Oficerët e RENEA-s duke drejtuar armët nisin t’i afrohen, në të njëjtën kohë pala tjetër vazhdonin negociatat me të. Në të njëjtën kohë, spajperistët morën leje të qëllonin për çdo lëvizje që mund të bënte i riu. Ai siç duket kupton se rrethi i mundshëm i lëvizjes së tij po ngushtohej gjithnjë e më shumë dhe në fund, vendos të hedhë armën. Një oficer i forcave speciale arrin të finalizojë operacionin, duke kapur me njërën dorë pistoletën dhe me dorën tjetër qafën e pengmarrësit. I gjendur mes dy “gorrillave” të RENEA-s, 25-vjeçari dërgohet në furgon dhe shoqërohet në polici me akuzat “vjedhje me armë me pasoja të rënda”, “armëmbajtje pa leje” dhe “heqje e paligjshme e lirisë”.

Dëshmitarja: Pengmarrësi ishte i hutuar
“Gjithë skena e pengmarrjes më kaloi para syve, derisa grabitësi pengmarrës ra në prangat e policisë”. Nazelia, gazetashitësja në kryqëzimin pranë “Librit universitar” ishte nga të paktët dëshmitarë të të gjithë ngjarjes së mesditës së djeshme në kryeqytet. Dëshmitarja tregon se ai mbante në dorë një çantë blu, që më pas muri vesh se ishte mbushur me pra. “Ja, kaq e madhe, ishte çanta”, rrëfen gazetashitësja, duke treguar me dorë madhësinë e çantës rreth 40 centimetër të lartë, të të riut Romeo Leka. “Isha në vendin e punës kur ai djali, grabitësi kaloi kryqëzimin nga lulishtja përballë Presidencës, përpara meje dhe eci drejt supermarketit të “Euromaks”. Dukej i hutuar dhe vraponte nëpër makinat e shumta me pistoletë në dorë. Në dorën tjetër mbante çantën”, tha dëshmitarja.

Ngatërresa me bankën
Në momentet e para të ngjarjes së ndodhur dje, në zonën e ish-bllokut në Tiranë, policia u sinjalizua se një person i armatosur kishte marrë peng punonjësen e një banke. Sipas raportimeve të para në polici, autori i ngjarjes kishte hyrë në banke dhe kishte marrë peng një punonjëse aty. Ndërkohë brenda pak minutave policia dokumentoi se nuk bëhej fjalë për punonjësen e bankës, ku ishte kryer grabitja. Hetuesit verifikuan aty dhe konfirmuan se punonjësit ndodheshin në ambientet e tyre. Pas kësaj, hetuesit e policisë filluan të verifikonin identitetin e vajzës që mbante peng 25-vjeçari. Gjatë kësaj kohë, në polici mbërritën informacione se grabitësi nuk kishte qenë i vetëm, por kishte bashkëpunuar me një person të dytë.

ore pas ore

Ora 12:30
Romeo Leka hyn nga porta kryesore e “Rogner” dhe në pak sekonda mbërrin te zyra e bankës, ku nën kërcënimin e armës i kërkon arkëtares t’i hedhë paratë në çantën e tij.

Ora 12:40
Pasi kishte mbushur çantën me para, 25-vjeçari del nga “Rogner” dhe i ndjekur nga disa kameramanë si dhe rojet e sigurisë, drejtohet për në zonën e ish-bllokut, në kryeqytet.

Ora 12:55
Autori i grabitjes mbërrin në zonën e ish-bllokut, pranë “Librit universitar” ku para vetes shikon grumbullimin e forcave të policisë. Ai kap për krahu një vajzë kalimtare të cilës i drejton armën.

Ora 13:05
Pasi qëndron në vend për disa çaste, i riu fillon të lëvizë bashkë me vajzën në drejtim të bulevardit kryesor të Tiranës, forca të policisë ndërkohë rrethojnë zonën.

Ora 13:20
Romeo Leka pasi afrohet te bulevardi, kalon rrugën, del në krahun e Presidencës dhe bashkë me vajzën, kthehet drejt “Librit universitar”. Negociatorët e RENEA-s afrohen dhe i bëjnë thirrje për dorëzim.

Ora 13:30
Grabitësi vazhdon lëvizjen drejt “Librit universitar”, ai shtyn përtokë disa motorë të parkuar në zonë, ndërsa nënqesh dhe bisedon me vajzën që mbante peng.

Ora 13:40
Pas kërkesave të vazhdueshme të policisë, ndërsa po afrohej te kordoni i makinave dhe forcave të policisë, pak metra larg portës veriore të Presidencës, Romeo Leka hedh armën. Ai arrestohet nga policia ndërsa forcat e rendit bllokojnë armën dhe marrin në dorëzim studenten e mbajtur peng

Flet vajza peng: Grabitësi më tha se s‘do më vriste

Lori Hatellari, 19-vjeçarja e marrë peng dje në Tiranë tha se pengmarrësi nuk ishte i dhunshëm madje ishte sjellë mirë ndaj saj. Vetëm pak orë pas ngjarjes, Hatellari rrëfeu në studion e “Ora News” për gazetarin Alfred Peza, momentet e qëndrimit nën “tutelën” e pengmarrësit. Sipas saj, ndonëse shtrëngonte dorën e një njeriu të armatosur, gjatë gjithë kohës ai i kishte garantuar se nuk do t’i ndodhte asgjë e keqe. Përreth 20 minuta Hatellari tregoi në mënyrë kronologjike gjithë rrjedhën e ngjarjes së rëndë dhe fjalët e shkëmbyera me pengmarrësin.
Si ndodhi që u bëtë padashur protagoniste e një ngjarje të rëndë, si kjo që ndodhi sot (dje)?
“Quhem Lori H. Jam nga Skrapari. Studioj në Fakultetin Juridik, në Tiranë. Banoj në Tiranë. Ndodhesha në Bankën Kombëtare Tregtare rreth orës 12.00 kur një person më kapi nga xhupi dhe më vuri një pistoletë në kokë. Isha shumë konfuze në ato momente. Nuk po u besoja syve, por ja që ndodhi.
A ishte i dhunshëm me ju personi që ju mbajti peng?
- Jo, nuk ishte aspak i dhunshëm. Ishte shumë i qetë me mua. Ishte i armatosur që në fillim dhe në dorën tjetër mbante një thes me lekë. Në momentin që më kapi mua në shpinë, lëshoi lekët. U larguam disa hapa. Më saktë u ulëm te shkallët e “Euromax” dhe biseduam disa minuta qetësisht.
çfarë ndodhi më pas?
- Më vonë erdhi policia. Ishim te shkallët e vogla të “Euromax”. Bëmë biseda të ndryshme. Më pyeti për emrin, për mbiemrin, nga isha. Më tregoi një foto të së dashurës së tij në portofol. Ishte rreth 25 vjeç. Pasi biseduam, ishte I qetë. Me mua ishte I qetë, ndërsa me policinë shumë i acaruar. Ndërkohë që bisedonte me mua bisedonte edhe me policinë.
A pati ndonjë moment kur ju qëndruat vetëm me personin?
- Vetëm qëndruam rreth 20 minuta. Me policinë ai acarohej shume shpesh. Lekët i hidhte. I gjuante me shqelm. I gjuante policisë me lekë.
çfarë përshtypje ju la?
- Ishte si i droguar. Nuk kuptohej. Herë qeshte, herë acarohej. Nuk kuptohej fare.
çfarë ju tha?
- Më tha që jam nga Lezha. Më tha që kishte qenë në Amerikë. Nuk do të vras - më thoshte - mos u bëj merak. Nuk të vras unë ty. Për Zotin unë ty nuk të vras. Nuk ta marr jetën. Thoshte që kam bërë shumë krime në Amerikë.
Si u soll me ju gjatë kësaj kohe?
- Me mua u soll shumë qetë. Në momentin që i thoshte policisë që “do ta vras edhe këtë apo ndonjërin nga ju” mua më thoshte që “nuk të bëj gjë unë ty” dhe këtë ma ka përmendur shumë shpesh.
- Kam qëndruar me të rreth 20 minuta. Më kapi për dore dhe më thoshte “mos e lësho dorën time”. Ndërkohë që me vinte pistoletën në kokë, rreth 2-3 herë ma ka vendosur, më thoshte që “nuk të bëj gjë, por e bëj vetëm për policinë. Qe të dukem në sy të policisë.
- Këto lekët do t’i mbash ti – më tha- nuk do t’ia dorëzosh policisë. Ishin rreth një milion. Ai nuk e tha shifrën, por mesa u numërua ishin rreth 1 milion.
Si reagonit ju gjatë kësaj kohe?
- Unë isha shumë e qetë në ato momente. As vetë nuk e kuptoj si isha aq e qetë. E mbajta situatën nën kontroll. Më dukej si ëndërr.
- I kërkoi Redbull policisë. Mori dy. Kur sollën ujë, ai kërkoi Redbull. Më detyroi të hapja Redbullin dhe më tha “gëzuar”.
- Më thoshte ‘më kap prej dore’.
çfarë kërkonte personi që po ju mbante peng, gjatë kohës që mbërriti policia?
- Donte që të ikte policia, pasi donte të largohej.
- “Dua të iki, dua të iki”- thoshte, por e kuptonte edhe vetë që nuk kishte shpëtim.
- Snajperët apo elementë të tjerë policorë ai nuk diktoi. Vetëm kur shikonte policë të fshehur acarohej shumë. Acarohej dhe përpiqej ta shprehte tek unë atë acarimin qe kishte.
Cili ishte momenti më i vështirë?
- Momenti më i vështirë për mua ishte momenti i parë, kur më kapi dhe momenti i fundit, kur më lëshoi.
- Në momentin e parë isha shumë e tronditur. Vetëm bërtisja dhe qaja por pastaj e kuptova situatën. Nuk e di, Zoti më dha fuqi që e përballova situatën.
çfarë ju tha në momentin e parë?
- Më tha që i kishte vjedhur në bankë paratë. Nuk më tha emrin e bankës. Bëhet çdo gjë për lekë – më tha. “Ja, i shikon këto, çdo gjë bëhet për këto”. Ishte shumë i qartë për ato që thoshte.
A komunikuat me persona të tjerë ndërkohë që po ju mbante peng?
- Më ka marrë shoqja ime në telefon. Herën e parë ia mbylla. Herën e dytë ai më lejoi të hapja telefonin. Më tha të flisja qetësisht. Pasi mbylla telefonatën, qetësisht më kapi për dore dhe vazhduam rrugën drejt Presidencës.
- Mendova që nuk do të zgjaste shumë, pasi edhe ai vetë ishte i ndërgjegjshëm që nuk do të zgjaste shumë akti i tij. Ishte i rrethuar nga forcat e policisë dhe nuk kishte nga t’ia mbante. Duke qenë i rrethuar, nuk kishte shpëtim tjetër. Edhe vetë e kuptoi dhe në fund fare u dorëzua, hodhi pistoletën dhe me tha mua të ikja.
- Rrugës nga “Libri” deri te Presidenca ai kërkonte një makinë. Por makinës nuk dinte t’i jepte. Makinën e donte me kambio automatike. Nuk e gjeti. Ndërkohë pa një makinë të parkuar aty pa njerëz brenda. E pa që ishte me marshe dhe i gjuajti xhamit me qytën e pistoletës. Motorët që gjente rrugës, i shtynte, i rrëzonte.
- Nuk mbaj mend se ç’më thoshte më. Vetëm se më thoshte që “nuk të bëj gjë”, “mos ki frikë”.
- Në momentin që më la të lirë ishte një moment kritik. Nuk kishte zgjidhje tjetër. Ishin tre policë me uniforma, dukshëm. E kishin drejtuar armën nga ai. Ishin dhe të tjerët që e kishin rrethuar. Ai e kuptoi që në çastin e parë që ishte i pashpresë. Tha që ‘nuk e liroj vajzën pa u larguar që këtu”. Më thoshte mua që “ti je shpëtimtarja ime; vetëm duke pasur ty mund të shpëtoj nga kjo situatë’.
- Në momentin e fundit ai nuk më foli fare.
çfarë ndodhi pas ngjarjes?
- Pas ngjarjes isha në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Deklarova për ngjarjen. Në polici u sollën shumë mirë me mua.

Tentoi rrëmbimin e taksistit dy ditë më parë në Tiranë
Greqi, grabitësi vrau me thikë në 9 mars, emigrantin shqiptar

TIRANE – Grabitësi i bankës, i cili mbajti peng për disa minuta dje vajzën 19-vjeçare duket të ketë precedentë të rëndë penale jashtë Shqipërisë. Sipas burimeve nga policia greke, Romeo Leka, grabitësi i djeshëm në Tiranë, akuzohet se më 9 mars 2010, ka vrarë me thikë një emigrant shqiptar në Greqi. Viktima ka qenë 22-vjeçari nga Kukësi Renato Krasniqi. Vrasja ndodhi në një banesë në rrugën “Pratinu” në Athinë dhe sipas policisë, grabitësi i djeshëm Romeo Leka ishte i njohur me viktimën e vrasjes, Renato Krasniqi. Ky i fundit e kishte prezantuar pengmarrësin me një vajzë, e cila ishte shoqja e të dashurës së emigrantit nga Kukësi. Por pengmarrësi i djeshëm ka ngacmuar edhe të dashurën e shokut të tij, ndërsa vajza i ka treguar gjithçka emigrantit nga Kukësi. Kaq është dashur që të dy shqiptarët të përfshihen në konfliktin që përfundoi me vrasjen e Renato Krasniqit nga Kukësi. Autori i krimit sipas policisë greke është Romeo Leka, autori i grabitjes së bankës dhe pengmarrjes së vajzës ndodhur dje në Tiranë. Por i riu nga Lezha, ka precedentë të tjerë kriminalë jashtë Shqipërisë. Ai është dënuar për vjedhje bankash dhe trafik droge në SHBA. Menjëherë pas arrestimit të Romeo Lekës, policia e Tiranës deklaroi se ai është person me CV të pasur kriminale. Romeo Leka dy vite më parë ishte liruar nga Burgu 313, ku kishte kryer një dënim pas tentativës për të vjedhur një makinë tip “Benz”, me targë TR 0797 K, në Tiranë. I riu nga Lezha, ishte deportuar nga SHBA. Të enjten në mbrëmje, ka tentuar të vjedhë bankomatin e “Union Bank” në lagjen “Ali Demi” në Tiranë, por është diktuar nga roja i sigurisë dhe është larguar. Po atë natë, në afërsi të Unazës së Re, 25-vjeçari ka hipur në një taksi dhe ka mbajtur peng drejtuesin e saj, të cilin e ka drejtuar deri në fshatin Mëzes, për t’i marrë me forcë makinën. Sapo ka arritur në destinacion, i riu ka ndërruar mendje dhe e ka lënë të lirë taksistin. Romeo Leka ishte larguar me familjen në SHBA në vitin 1998, pasi kishte përfituar nga lotaria amerikane. Pasi u vendos në SHBA, 25-vjeçari i dënua me dy vjet e gjysmë burg për vjedhje bankash dhe trafik droge dhe në vitin 2007 u depërtua, duke u kthyer në Shqipëri. Nga ajo kohë ai ndryshoi disa herë vendbanimet në Burrel, Durrës, Kavajë dhe Tiranë. m.c/e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›