E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leksionet e krizës greke për Shqipërinë

ADRIAN CIVICI

Kriza financiare e sociale, por që shumë shpejt mund të marrë profilin edhe të një krize ekonomike që po kalon Greqia, përveçse ...vrojtimit të kujdesshëm në lidhje me implikimet e mundshme në ekonominë shqiptare, duhet parë e vlerësuar edhe nën një këndvështrim tjetër. Ashtu si për çdo krizë, edhe në këtë rast, ekspertët dhe analistët e çështjeve ekonomiko-financiare po tentojnë të bëjnë një skaner të plotë të skenarit grek dhe të kuptojnë shkaqet themelore që e çuan situatën deri në gjendjen e rëndë që ndodhet sot Greqia. A është kjo një krizë specifike greke, apo ajo duhet analizuar si një krizë, faktorët e së cilës ekzistojnë potencialisht në çdo vend? Përgjigja duket unanime. Të njëjtat gabime e zgjedhje të bëra nga Greqia, mund të çojnë cilido vend në të njëjtën lloj krize. Kjo është dhe arsyeja, përse edhe në Shqipëri, përtej faktit se jemi një vend kufitar dhe i lidhur me shumë fije me ekonominë dhe financat e Greqisë, "leksionet" e krizës greke mund të jenë të vlefshme. Kjo mund të shihet e lidhur ngushtë me tre aspekte kryesore.
Së pari, "kujdesi ndaj ekuilibrave buxhetorë e financiarë" të vendit duhet bërë në vazhdimësi e me konsistencë dhe jo me fushata apo në zgjidhje emergjente. Në janar të këtij viti, Greqia pranoi "shpërthimin" e deficitit të saj buxhetor që rezultonte 13%, ose 10% më shumë se kriteri i lejuar për vendet anëtare të Eurozonës. Dhe natyrisht, kjo situatë nuk u prodhua në një vit, por erdhi si akumulim i gabimeve në politikat buxhetore apo thjesht si nënvleftësim i rregullave të Manstrihtit, në emër të politikave populiste. Shqetësime të kësaj natyre janë aktualisht më se prezentë edhe në Shqipëri. Të mësuar nën diktatin dhe prezencën shtrënguese të FMN-së, gjatë gjithë periudhës 1992-2008, Shqipëria e kishte prioritet të padiskutueshëm mbajtjen nën kontroll të rreptë të deficitit të saj buxhetor. Qeveritë e majta apo të djathta, kanë paraqitur preferenca të ndryshme për ngarkesën fiskale dhe financimin e sektorëve të ndryshëm të ekonomisë apo shërbimeve, por pothuajse asnjëherë nuk kanë vënë në diskutim tejkalimin e "tavanit të lejuar" të deficitit buxhetor. Ndërkohë, në vitet 2008 e 2009 si pasojë e efekteve të krizës globale financiare, ndryshimit të statusit të FMN-së duke e kaluar atë nga "detyrues" në "këshillues", si dhe efekteve të ardhura nga politikat buxhetore me theks të fortë elektoral e populist, deficiti buxhetor i Shqipërisë u përkeqësua ndjeshëm, dhe pothuajse u dyfishua në krahasim me objektivin prej 4%. Shumë qëndrime, manovrime, korrektime apo deklarata të Qeverisë, në lidhje me buxhetin vjetor apo dhe atë afatmesëm duket se reflektojnë një vëmendje e kujdes më të madh, në lidhje me zvogëlimin dhe mbajtjen nën kontroll të deficitit buxhetor si për vitin 2010 ashtu dhe për 2-3 vitet në vazhdim. Rekomandimet e deklaratës së fundit të FMN-së në Tiranë nuk linin asnjë ekuivok për domosdoshmërinë e kësaj mase dhe për rrugët kryesore të reformave në këtë aspekt. Me gjithë angazhimet e Qeverisë "për ngushtimin e deficitit buxhetor dhe tendencën drejt bllokimit të borxhit duke filluar që nga ky vit fiskal", shtrëngimet e konsiderueshme buxhetore në realizimin e të ardhurave të planifikuara dhe deklarimi se "përparësitë në investime, në infrastrukturë, në moshën digjitale dhe burimet njerëzore, në rritjen e rrogave dhe pensioneve, etj.", duket se e bëjnë mjaft komplekse dhe me disa të panjohura situatën. Aq më tepër, që në 2-3 vitet në vazhdim, rritja ekonomike, megjithëse pritet të jetë pozitive, nuk parashikohet të arrijë shifra të larta të nivelit 6,7 apo 8%. Kësaj situate i shtohet dhe fakti, se sipas parashikimeve të bëra nga Ministria e Financave në dokumentin e programit ekonomik afatmesëm 2010-2012, parashikohet që vitet 2011, 2012 do të njohin një rritje të madhe të interesave dhe ripagesave të borxhit të jashtëm në shifrën e rreth 900 milionë dollarëve. Ndërkohë, ne po bëhemi gati të marrim një borxh të ri prej 350 milionë eurosh në formën e emetimit të eurobonove. Deri tani, Shqipëria ka qenë "një borxhli i mirë", por eksperienca greke dhe veçanërisht shqetësimi dhe debati i madh ndërkombëtar i hapur për "rritjen marramendëse të borxheve nga shumë vende e qeveri të botës, si dhe rreziku i vështirësive për shlyerjen e tyre në 3-4 vitet në vazhdim" është një kambanë alarmi që duhet dëgjuar me kujdes.
Së dyti, "rënia e besimit te shifrat e ofruara nga qeveritë greke në një periudhë disa vjeçare, duke filluar nga viti 2001". Greqia ju nënshtrua një sërë vlerësimesh e opinionesh mjaft negative për cilësinë, transparencën dhe vërtetësinë e shifrave dhe treguesve të paraqitur prej saj në lidhje me treguesit kryesorë makroekonomikë e financiarë. është vështirë të thuhet nëse këto shifra ishin manipuluar me qëllim, apo nëse sistemi statistikor grek nuk ishte cilësor dhe nuk arrinte të pasqyronte si duhet realitetin financiar e ekonomik të vendit. Por një gjë është e sigurtë : shifrat jo reale, me të cilat veprohej e merreshin vendimet më të rëndësishme të politikave ekonomike e financiare, ndikuan ndjeshëm në arritjen në gjendjen aktuale të krizës. Aq e rëndësishme ishte kjo, sa që një nga masat e para të marra nga BE, ishte që agjencia greke e statistikave ELSTA të vihej nën tutelën e Eurostat-it ose nën survejimin e njërës nga agjencitë e statistikave të vendeve të tjera të BE-së". Natyrisht, që situata e të dhënave kryesore statistikore ekonomiko-financiare në Shqipëri nuk konsiderohet shqetësuese në këto përmasa, por megjithatë, vënia në dyshim nga një pjesë e politikës, (zakonisht opozita në 10-12 vitet e fundit) e çdo shifre që nxjerr sidomos INSTAT si "të pavërtetë...si mashtrim i radhës...si fshehje e realitetit, etj", apo akoma më tej në formën e akuzave publike ndaj INSTAT, vë shumë pikëpyetje mbi besueshmërinë dhe garancinë që japin këto shifra në shprehjen transparente të realitetit. INSTAT është e duhet të jetë institucioni shtetëror më i specializuar e më kompetent në lidhje me statistikat kombëtare. Natyrisht që ai ka nevojë të përmirësohet e modernizohet që t'i përgjigjet në kohë e me cilësinë e duhur kërkesave të ekonomisë, biznesit, vendimmarrjes, politikës, etj., por ajo që dëmton seriozisht reputacionin dhe besueshmërinë e shifrave tona është mbi të gjitha krijimi i imazhit se "ato, dmth shifrat, mund të manipulohen në funksion të interesave politike apo konjukturore", apo mund "të sulmohen dhe injorohen" sa herë mendohet se nuk janë transparente e të vërteta, apo sa herë që i pëlqejnë apo nuk i pëlqejnë njërit apo tjetrit.
Së treti, "evidentimi i Greqisë si një vend me një ekonomi delikate jo shumë performante" në krahasim me vendet e tjera të zonës euro në veçanti dhe atyre të BE në përgjithësi. Që nga viti 2001, kur Greqia u fut në zonën euro, rritja ekonomike greke, megjithëse e lartë dhe e vlerësueshme në ritmet e rritjes së saj (me një mesatare 4.2% në vit), konsiderohet si një "rritje ekonomike delikate e mbështetur mbi baza të paqëndrueshme afat-gjata". Kjo rritje u shkaktuar nga investime publike të mëdha, nga rritja shpesh artificiale e pagave dhe kërkesës së brendshme (faktorë këto që krijuan premisat bazë të krizës financiare greke), nga efekti fillestar që shkaktoi përdorimi i euros si monedhë e fortë, etj. Por, nga ana tjetër, ekonomia greke reflekton një fuqi të dobët eksportuese e konkurruese, një deficit tregtar në rritje të vazhdueshme, një sektor industrial e prodhues të dobët, një sektor shërbimesh e turizmi të prekur nga kriza botërore, etj. Të gjitha këto konsiderohen si një shkak madhor që ndikoi në krizën aktuale greke dhe mbi të gjitha si një shkak që vështirëson edhe një dalje të shpejtë të saj nga kjo situatë e vështirë. Nga ky këndvështrim, është evidente se edhe ekonomia shqiptare reflekton shumë nga simptomat e ekonomisë greke: deficit i lartë tregtar, vështirësi serioze dhe nivel i ulët konkurrueshmërie e eksporteve, sektor industrial dhe prodhime "made in Albania" shumë të pakta e fragmentare, sektor shërbimesh e turizëm,nga ku pretendohet shumë, por që janë akoma larg standardeve e cilësisë së kërkuar e pretenduar, dëshirë që investimet publike të rriten vazhdimisht, duke shpresuar që të mbushin dhe boshllëkun e investimeve private apo investimeve të huaja direkte, rritja e pagave dhe pensioneve në kuadrin e politikave sociale ambicioze, etj., krijojnë në jo pak raste paralele me "gabimet" greke. Në 2010, mbas dy dekadave të "modelit ekonomik të tranzicionit" në të cilin rritja ekonomike u bazua kryesisht në faktorë të tillë si të ardhurat nga remitancat, privatizimet masive, ndihmat dhe kreditë e buta, etj., ka ardhur koha që debatin e hapur së fundi në Shqipëri "për një model të ri ekonomik", ose e përkthyer ndryshe "për të gjetur burime të reja të qëndrueshme që furnizojnë rritjen ekonomike afatgjatë të vendit", ta transformojmë shpejt në politika ekonomiko-financiare e sociale të qëndrueshme e cilësore me sens të qartë perspektiv.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›