E Diel, 1 Nëntor 2026

Çmimi i energjisë, Bello: Shkak është keqmenaxhimi

Kërkesa për të rritur cmimin e energjisë elektrike nga kompania CEZ shpërndarje nuk bazohet mbi argumenta ekonomikë por është pasojë e keqmenaxhimit. Ky është vlerësimi i ish zëvendës ministrit të energjetikës Pajtim Bello, i cili shtron pyetjen se përse duhet që edhe një herë tjetër të penalizohet konsumatori i rregullt.

• Luhatjet e energjisë, digjen pajisjet elektroshtëpiake
• Durrës, CEZ nuk dërgon faturat

"Përse konsumatori duhet të paguajë keqmenaxhimin e kompanisë? Dhe kur them konsumatori, them për atë që paguan, sepse prapë ata që s'kanë paguar në atë kohë s'do paguaj përsëri. Por e gjithë kjo rëndesë bie mbi konsumatorin i cili respekton kontratën, është klient i rregullt", thotë Pajtim Bello, ish zv ministër i Enegjetikës.

Një argument tjetër që sillet në kundërshtim të rritjes së kërkuar nga CEZ është edhe fakti se shërbimi edhe pas privatizimit nuk ka asnjë përmirësim. "Përditë në sportele njerëzit ankohen, u faturohet me cmim më të lartë, sasi që nuk i kanë konsumuar, ndërkohë nuk u kthen njeri përgjigje, dhe kur vjen te cmimi ne shohim që vitin e parë të privatizimit, cmimi u rrit me dy shifra, 12 për qind. Kërkohet përsëri një rritje cmimi po 12-13 për qind", vijon Bello.

Edhe tregu rajonal i energjisë shkon në të kundër të tendencës shqiptare të rritjes së cmimit të energjisë. Dhe për zotin Bello e gjitha kjo po bëhet nën presionin e monopolit privat CEZ.

"Tregu i energjisë elektrike jashtë Shqipërisë ne jemi përballë një rënieje të cmimeve të energjisë elektrike, nuk ka rritje. Sepse ka qenë kriza, efektet e krizës janë pasqyruar në një rënie të cmimeve në tërësi dhe një rënie të konsumit. Kurse te ne po ndodh e kundërta,  konsumi po bie dhe cmimi po rritet, nga vjen kjo. Vjen nga fakti që energjia elektrike është monopol. Pra, monopoli shtetëror dje ka kaluar në monopol privat sot dhe monopoli privat krijon gjithmonë presion më të madh se monopoli shtetëror", tha ai.

Kërkesa e CEZ për rritjen e cmimit është argumentuar nga kjo kompani me nevojën për investime. Enti Rregullator i Energjisë pritet të japë një përgjigje për këtë në javën e parë të dhjetorit.

Adi Darsi Azhornuar së fundi ( e premte , 26 nëntor 2010 )

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›