E Diel, 1 Nëntor 2026

Fullani: Banka do ta kthejë inflacionin në nivelin normal

Pavarësisht rritjes së vazhdueshme të çmimeve, Banka e Shqipërisë do të marrë masat e duhura për të kthyer inflacionin në nivelin e caktuar.

 “Banka Qendrore ka për qëllim të kthejë rritjen e çmimeve brenda shkallës së objektivit të saj me 1 për qind pikë më shumë, apo më pak se 3 për qind”, ka deklaruar Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, gjatë forumit të  organizuar nga ambasada shqiptare në Londër. Forumi, i pari i këtij lloji, kishte për qëllim thithjen e investitorëve të huaj në Shqipëri. Jehona e këtij aktiviteti ka zënë edhe faqet e mediave vendase, kryesisht ekonomikes “Bloomberg”. Sipas Fullanit, Banka Qendrore është e kënaqur me nivelin e deritanishëm të lekut. “Bërja e lekut të tregtueshëm lirshëm është një nga strategjitë më të mira që kemi ndërtuar që në fillim të viteve ‘90. Ky ka qenë një element shumë i mirë për lehtësimin e inflacionit dhe presioneve nga jashtë”, ka thënë guvernatori. Deklarata e Fullanit vjen në një kohë kur niveli i inflacionit në vend ka kapërcyer kufirin e vendosur nga Banka e Shqipërisë dhe qeveria. Ashtu si edhe më parë, kreu i Bankës Qendrore ka vënë theksin se duhet investuar në zhvillimin e agro-kulturës në vend. Ndërkohë kreu i BSH-së ka thënë se Shqipëria mund të aplikojë për t’u bërë pjesë e BE-së brenda një dekade, ndërsa investimet e huaja po rriten dhe qeveria po lëviz drejt një ekonomie tregu. “Kjo do të ndodhë në 10 vitet e ardhshme, me siguri”, ka thënë ai.
Pronat
Ftesa e marrë për anëtarësimin në NATO duket se ka nisur të japë efektet e saj pozitive në ekonominë e vendit dhe shumë investitorë pronash e shikojnë Shqipërinë si vend tërheqës për investimet e tyre. Liam Bailey, kreu i studimit ndërkombëtar për “David Stanley Redfern” ka dhënë një arsye të parashikueshme për popullaritetin aktual të Shqipërisë. “Në 2-3 vitet e fundit Shqipëria i ka lënë pas tensionet politike e etnike dhe ka filluar të shohë një rritje solide ekonomike, me rreth 8 për qind të GDP-së në mesatare. Personalisht besoj se duke parë vendet e tjera në rajon, si Bullgaria dhe Mali i Zi, fillimin e nxitjes në shkallën ndërkombëtare të investimit, e ka nxitur këtë qeveri dhe të gjithë popullsinë shqiptare të marrë hapat e nevojshëm për t’i dhënë fund tensioneve për të mirën e të gjithë atyre. Shqipëria është rritur edhe me fuqinë e saj, por BE me ndihmat dhe borxhet ka ndihmuar në përgatitjen e vendit për anëtarësimin e plotë, duke kërkuar rritje edhe më të madhe”, shtoi Liam. Sipas tij, rruga e gjatë dhe puna që nevojitet për të fituar hyrjen në BE është aktualisht e mirë për investimet e pronës, sepse prona tani është me çmime të ulëta për blerje. Kjo e bën Shqipërinë një vend me destinacion të qartë investimi, edhe përballë mjerimit global. David Stanley Redfern Ltd ka disa prona pyjore në Shqipëri dhe të gjitha janë në zona parësore. Tre prej tyre janë në Liqenin Artificial në Tiranë dhe një me pamje nga mali i Dajtit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›