E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fullani: Bankat jo transparente. Të argumentohen cmimet e shërbimeve

Mungesa e theksuar e transparencës është sëmundja që po vuan më së shumti sistemi bankar shqiptar. Konstatimi vjen nga autoriteti më i lartë i këtij sistemi, guvernatori Ardian Fullani i cili në konferencën e katërt të Bankës Qëndrore me bankat e nivelit të dytë sistemit, deklaroi publikisht se klientëve të bankave po ju imponohen produkte të shtrenjta.

“Në Bankën e Shqipërisë jo rrallë vijnë ankesa nga qytetarë, përdorues të rregullt ose rastësisht të shërbimeve bankare në lidhje me kostot që aplikojnë bankat për këto shërbime. Rezulton që në mjaft raste qytetarët vendosen përpara faktit për të kryer përsa i takon detyrimeve ndaj bankës për shërbimet e përfituara, pa patur më parë një informacion të mirëfilltë rreth arsyes dhe madhësisë së këtyre detyrimeve. Në raste të tjera përdoruesi i shërbimit nuk gjen shpjegimin e nevojshem dhe bindës nga ana e bankës për arsye e lindjes së detyrimit dhe mënyrën e llogaritjes së tij” thotë Fullani.

Për guvernatorin Fullani cmimet e komisioneve bankare janë të paargumentuara, të padokumentuara dhe vendosen në kushtet e një mungese të theksuar të konkurencës.“Në lidhje me mënyrën e vendosjes së komisioneve, bankat orientohet prej institucioneve konkuruese në treg dhe nuk rezulton të ketë një politikë aktive dhe njëkohësisht vizionare të zhvillimit të shoqërive bankare duke mbështetur rritjen e përdoruesve që lehtësisht mund të kthehen në klientë potencialë të bankave” thotë Fullani.

Përballë këtij qëndrimi të bankave tregtare guvernatori ka folur për një publik të matur drejt të cilit ka drejtuar edhe një mesazh për ta mbështetur me të njëjtin përkushtim sistemin bankar të vendit: “Më shumë besim tek monedha jonë kombëtare! Më shumë besim tek sistemi ynë bankar! Më shumë besim te analiza e Bankës së Shqipërisë dhe sistemit bankar! Më shumë depozita do të thotë më shumë kredi. Më shumë kredi do të thotë më shumë mirëqënie për vendin tonë”.

Adi Darsi < I mëparshmi

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›