Fullani: Ekonomia jonë po karakterizohet nga përmirësimi gradual i treguesve

Tiranë, 31 gusht, NOA - Të dhënat nga ekonomia botërore konfirmojnë rimëkëmbjen progresive të aktivitetit ekonomik e në këtë kuadër, ekonomia shqiptare ka vijuar të karakterizohet nga përmirësimi gradual i treguesve ekonomikë, duke konfirmuar një aktivitet në rritje, por gjithsesi, relativisht të ngadaltë të saj.
Një fakt të tillë e ka shprehur sot guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, sipas të cilit, statistikat zyrtare flasin për norma pozitive rritjeje në tremujorin e parë të vitit, ndërkohë që rezultatet e vrojtimeve të besimit dhe të dhëna të tjera të tërthorta sugjerojnë për vazhdimësinë e këtyre ritmeve edhe në tremujorin e dytë.
Aktiviteti ekonomik në Shqipëri është mbështetur nga rritja e kërkesës së jashtme dhe e eksporteve shqiptare, ndërsa kërkesa e brendshme ka patur një rritje më të ngadaltë. Kjo ecuri është reflektuar në një rritje më të shpejtë të sektorit të industrisë dhe të shërbimeve, ndërkohë që sektori i ndërtimit dhe ai i bujqësisë kanë patur një kontribut të ulët në rritjen ekonomike. Ajo është shoqëruar gjithashtu me krijimin e kapaciteteve të pashfrytëzuara në ekonominë shqiptare dhe presione të ulëta inflacioniste nga kërkesa e brendshme, deklaroi ai lidhur me zhvillimin e ekonomisë vendase.
Më tej, Fullani ka theksuar se konsumi privat vlerësohet të ketë dhënë kontribut pozitiv në aktivitetin ekonomik në tremujorin e dytë.
Investimet private po i kthehen gradualisht ritmeve rritëse, por në nivele dukshëm më të ulëta se ato të mëparshmet. Klima më pozitive e besimit të bizneseve; mbështetja në rritje me kredi bankare; rritja e shfrytëzimit të kapaciteteve në ekonomi; dhe rritja e importit të mallrave kapitale dhe atyre të ndërmjetëm, sugjerojnë se niveli i investimeve private është rritur gjatë muajve të fundit. Tregues të besimit evidentojnë pritje pozitive edhe për tremujorin e tretë të vitit, duke mbështetur vlerësimet tona për një nxitje të kërkesës agregate nga sektori privat, tha ai.
Në fund, ka deklaruar se sektori publik ka shënuar frenim të ekspansionit fiskal, që prej fillimit të tremujorit të dytë.
Defiçiti buxhetor në fund të muajit korrik rezultoi 23.1 miliardë lekë, nivel ky i cili është rreth 42 % më i ulët se një vit më parë. Të ardhurat buxhetore janë rritur me 3.7 për qind në terma vjetorë, ndërkohë që shpenzimet janë tkurrur me 5.1 për qind, shtoi Fullani.
n.e/NOA