E Diel, 1 Nëntor 2026

“Heritage Foundation”: “Në Shqipëri ekonomia pengohet nga korrupsioni dhe problemet me pronën”



Pak kohë më parë një organizatë amerikane, “Heritage Foundation”, publikoi mbi Indeksin e Lirisë Ekonomike për gjithë botën, ku përfshihej edhe Shqipëria. “Heritage Foundation” vlerësoi se në Shqipëri prona dhe korrupsioni mbajnë peng Shqipërinë. Indeksi i lirisë ekonomike, publikuar në Uashington nga gazeta “Wall Street” dhe nga organizata amerikane “Heritage Foundation” saktëson se Shqipëria ka një liri ekonomike prej 61.4 përqindësh. Niveli i lirisë në ekonomi është rritur me 0.6 për qind gjatë vitit 2007 dhe duke u nisur nga këto detaje, jeta në Shqipëri, cilësohet nga raporti, është nën nivelin mesatar. Në përgjithësi, niveli në Shqipëri është pak i ngjashëm me vendet e tjera të Ballkanit, si Kroacia dhe Maqedonia, por përsëri mbetet shumë mbrapa me vende si Greqia, e cila është pjesë e Bashkimit Europian. Liria fiskale, liria nga qeveria, liria monetare janë të larta, por pikët Shqipërisë i redukton performanca e dobët në të drejtat e pronës dhe liria nga korrupsioni. Ky raport është prezantuar para përfaqësisë më të rëndësishme të biznesit në botë, atë të Wall Street-it, të përfaqësuar nga të gjitha vendet e botës. Shqipëria është rreshtuar në vendin e 30-të në listën e 41 vendeve europiane dhe e 66-ta nga 161 vende të botës në vitin 2007. Duke iu referuar indeksit të publikuar, ekonomia e Shqipërisë është në zhvillim. Duket se problemet parësore që ndikojnë keq për Shqipërinë janë çështja e pronës dhe korrupsioni. Problemi i pronës në Shqipëri ka mbetur i pazgjidhur për shkak të ndërhyrjeve të politikanëve dhe të problemit ligjor, përmendet në raport. Shqipërisë i janë rritur pikët të shtatë vitet e fundit, por kjo rritje gjatë viteve ka qenë e vogël në krahasim me shumë vende. Shqipëria në përgjithësi ka taksa të ulëta dhe duket se rezultatet e luftës kundër korrupsionit do të japin pikët e dëshiruara për Shqipërinë. Rezultati i këtij raporti e rendit Shqipërisë në vendin e 66-të nga 161 vende të ekzaminuara nga raporti i “Heritage Foundation”. Pavarësisht se Shqipëria në vitet e fundit po ecën para, përsëri liria për të investuar një investitor i huaj mbetet e pakët. Raporti i “Heritage Foundation” ka si synim që të tregojë se sa e lirë është një ekonomi për të investuar. Ky është edhe përfundimi i raportit të kësaj organizate me qendër në Wall Street.

15 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›