Në gjyq dosja e dhunës ndaj Bazes
TIRANE - Prokuroria e Tiranës njoftoi dje avokatët e biznesmenit Rezart Taçi dhe dy të pandehurve të tjerë Bledar Lilo dhe Irgen Selfo se do të dorëzojë në gjykatë dosjen penale me akuzën "goditje për shkak të detyrës" ndaj gazetarit Mero Baze. Vetë biznesmeni është paraqitur dje në Prokurori me avokatët ku është njohur me kërkesën për gjykimin e çështjes. Ndërkohë prokuroria ka njoftuar dje avokatët e shtetasve Bledar Lilo dhe Irgen Selfo për tu paraqitur ditën e sotme në organin e akuzës, ku do të njihen me kërkesën për gjykimin e çështjes. Avokati i Rezart Taçit mësohet se nuk ka pranuar akuzat e ngritura nga prokuroria duke thënë se biznesmeni nuk ka marrë pjesë në asnjë veprim të dhunshëm. Ndërkohë mbrojtësi ligjor ka pohuar se në gjykatën e Tiranës gjatë procesit do të paraqiten prova që hedhin poshtë akuzën e ngritur.