E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: ”Puna në zbatimin e projekteve vazhdon, pavarësisht deklaratave politike”



Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, deklaroi se politika nuk do të bëhet pengesë për punët që do të kryhen për komunitetin e kryeqytetit. Sipas tij, politika e vjetër dhe ndërthurja e interesave politike që prodhojnë akuza të ndërsjella nuk do të mund të bllokojnë ndërtimin e rrugëve në kryeqytet. “Pavarësisht të gjitha përpjekjeve të politikës së vjetër, e cila ka si ushqim të vetin hallet e qytetarëve, që nuk duhen zgjidhur por duhen përdorur thjesht dhe vetëm për interesa politike dhe për prodhim akuzash të ndërsjella, ne vazhdojmë shkojmë përpara. Ne vazhdojmë të ndërtojmë, vazhdojmë hapim fronte pune dhe 17 hektarë të tjera, nga një territor jashtë çdo cilësie, do të kthehen në një tjetër territor të integruar, me të gjithë infrastrukturën e nevojshme për të gjitha moshat, ku të gjitha familjet që banojnë në këtë zonë do të ndihen pjesë e kryeqytetit, jo vetëm kur dalin në rrugën kryesore dhe ku edhe vlera e truallit dhe vlera e pronave të këtyre njerëzve do të shumëfishohet pas përfundimit të këtij investimi”, - deklaroi Rama. Kryebashkiaku Rama, e bëri këtë deklaratë gjatë inspektimit të fillimit të punimeve për rikonstruksionin e infrastrukturës në Bllokun Nr. 63, në Njësinë Bashkiake Nr. 5, (kufizuar nga rrugët: “Irfan Tomini”, “Viktor Eftimiu”, “Komuna e Parisit”, “Sulejman Delvina”, Bulevardi “Bajram Curri”). Fondi i vënë në dispozicion për rikonstruksionin e këtij blloku është 185 632 222 lekë, nga të ardhurat e Bashkisë së Tiranës. Blloku Nr. 63 ndodhet në pjesën jugperëndimore të qytetit të Tiranës dhe sipërfaqja që parashikohet të trajtohet është rreth 17 hektarë.

12 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›