E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreu i PS-së: “Deputetët socialistë do të vijojnë bojkotin”



Gjatë konferencës së djeshme për shtyp, Rama konfirmoi vijimin e bojkotit të Parlamentit nga ana e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. Rama theksoi se bojkoti do të vazhdojë, pasi nëse do të ndodhë e kundërta, atëherë Partia Socialiste do t’i japë legjitimitetin maxhorancës, e cila i grabiti zgjedhjet e 28 qershorit. “Opozita nuk do të hyjë në Parlament derisa Parlamenti të rivendoset mbi themelin e legjitimitetit që ka të bëjë direkt me zgjedhjet. Ne i kemi dhënë Sali Berishës dhe shumicës së sotme parlamentare që qeveris me vota të grabitura mundësinë e këtij legjitimiteti, duke hetuar zgjedhjet e shkuara, duke hetuar votat në kutitë e votimit, duke hetuar procesin e numërimit, listat e zgjedhësve, procesverbaleve dhe të gjithë komponentët e tjerë, në mënyrë që pa shpërndarë mandatet të rivendosim ligjin në bazën e procesit zgjedhor dhe t’i japim mundësi procesit të ardhshëm zgjedhor që të mos jetë si ai që lamë pas. Kjo shumicë ka zgjedhur të bëjë shurdhin dhe të propagandojë në mënyrë të përditshme me një gjuhë që bëhet përditë e më vulgare, diçka që është tërësisht e kundërta e kësaj që ne kërkojmë dhe që është tërësisht në konflikt me interesin e shqiptarëve dhe të demokracisë në Shqipëri. Është rruga e gabuar, pa dyshim, është rruga që zgjedh çdo regjim i korruptuar, që në fund si shprehje finale e degradimit të tij grabit edhe votën duke korruptuar procesin elektoral, është rruga që çon drejt greminës maxhorancat që nuk e kanë bazën e tyre te vullneti i popullit, por te deformimi i dhunshëm i këtij vullneti përmes vënies së shtetit në shërbim të pushtetit. Fatkeqësisht. Ashtu si kundër edhe shprehje pantonimike të kryeministrit apo deklarata vulgare të atij që i thotë vetes kryeministër, ndërkohë që populli nuk e ka zgjedhur për të vazhduar ta ketë atë detyrë, janë pasqyrë e këtij degradimi. Megjithatë, ne kemi zgjedhur forcën e arsyes, jo arsyen e forcës dhe forca e arsyes dikton që ne të jemi përditë në kërkim të zgjidhjes dhe për të kërkuar deri në fund zgjidhje, kemi dhënë edhe një afat reflektimi për t’i parë gjërat me qetësinë e nevojshme që imponon barra e një pushteti që nuk lidhet thjesht me çështjet e një familjeje në rast se do të shkojë në drejtimin e kundërt të interesave të njerëzve, por lidhet edhe më çështje të tjera që kanë të bëjnë me interesat e gjithë atyre që jetojnë në Shqipëri, për të shmangur dëmet që sjell mungesa e reflektimit dhe sa të mundemi kemi dhënë një kohë për të reflektuar”, - u shpreh Rama.

Kreu i PS-së: “Bashkitë dhe komunat socialiste do të përfshihen në aksionin opozitar”

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, konfirmoi përfshirjen në aksionin e ri politik të opozitës të komunave dhe bashkive që drejtohen nga përfaqësues të Partisë Socialiste. “Bashkitë dhe komunat janë thjesht një pjesë e tërësisë së përfaqësive politike, përfaqësive të grupeve të interesit, atyre sociale, që janë në konflikt me këtë pushtet interesash familjare e klanore, me këtë pushtet që shkel përditë Kushtetutën, ligjin, liri e të drejta njerëzish e grupesh shoqërore, apo përfaqësi politike qytetarësh. Është thjesht një pjesë përbërëse e një problemi shumë të madh, që shkon e mblidhet direkt te qeverisja dhe te uzurpimi i pushtetit nga një grup që sot nuk përfaqëson aspiratën e demokratëve shqiptarë, por përfaqëson vetëm manipulimin dhe abuzimin me këtë aspiratë, transformimin e kësaj aspirate në një mjet për fitime të paligjshme në funksion të Familjes në pushtet”, - vijoi Rama.

24 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›