Skema e Partisë Socialiste për zgjedhjet e parakohshme
Bojkoti, protestat dhe pushteti vendor, elementet kyçe të planit të PS-së
Shaban Sulçe
Skadimi i ultimatumit 10-ditor të vendosur nga Partia Socialiste për hapjen e kutive të votimit do të pasohet nga vënia në zbatim i planit “B” të PS-së dhe i partive opozitare. Liderët e opozitës kanë deklaruar se në rast se pas këtij ultimatumi, kryeministri Sali Berisha do të refuzojë hapjen e kutive të votimit, atëherë ata do të nisin aksionin opozitar për rrëzimin e qeverisë dhe shkaktimin e zgjedhjeve të parakohshme. Ky aksion konsiston në vënien në veprim të një sërë elementesh, të cilat do të mundësojnë “dorëzimin” e Berishës përballë qëllimit të tyre.
Skema
Skema e opozitës për të shkaktuar zgjedhjet e parakohshme dhe rrëzimin e qeverisë synon në paralizimin dhe bllokimin e institucioneve kryesore. Socialistët do të vijojnë bojkotin në Kuvend duke e bllokuar maxhorancën në aprovimin e ligjeve të rëndësishme, të cilat duhet të miratohen sa më shpejt, pasi janë të lidhura me kërkesat që nevojit procesi i liberalizimit të vizave si dhe ai i anëtarësimit në BE. Ndër to përmenden ligjet që kanë të bëjnë me reformën në Drejtësi, apo ato që kanë lidhje me pyetësorin që do t’i dërgohet shtetit shqiptar nga BE-ja. Gjithashtu opozitarët do të fusin në lojë edhe pushtetin vendor. Pas datës 5 dhjetor ata kanë paralajmëruar ndërprerjen e shërbimit për qytetarët nga komunat dhe bashkitë që drejtohen nga përfaqësuesit socialistë. Zhvillimi i protestave popullore në mjaft qytete të vendit do të jetë një tjetër element që do të ndikojë, sipas opozitarëve, në rrëzimin e qeverisë dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme. Duke protestuar çdo ditë, ata do ta vënë maxhorancën në një trysni të madhe. Opozitarët shpresojnë edhe në rritjen e presionit ndërkombëtar ndaj qeverisë për zgjidhjen e krizës politike dhe plotësimin e kushteve të tyre.
Ngjela
I pari që artikuloi rrëzimin e qeverisë me anë të protestave dhe bojkotit ka qenë kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela. Pikërisht më 22 shtator të këtij viti Ngjela inkurajoi bojkotin dhe protestat e PS-së, për të cilat tha se është e vetmja rrugë për rrëzimin e qeverisë dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme. “E kam përkrahur bojkotin. E konsideroj një hap të madh përpara. Mendoj se është e vetmja garanci se mund të zgjidhen problemet. Opozita parlamentare, e cila ka refuzuar pjesëmarrjen në Parlament, e detyron gjendjen që të bie qeveria”, - do të deklaronte Ngjela.
Protesta e PS-së, jehonë në median e huaj, Rama: “Bota u njoh me shqetësimin tonë”
Protesta 3-ditore e organizuar nga Partia Socialiste dhe partitë opozitare vijon të bëjë jehonë në mediat e huaja. Protesta e opozitës ka zënë një vend të veçantë në shumë agjenci, gazeta dhe televizione të ndryshme. Një ndër mediat më të rëndësishme në botë, “Al Xhazira”, e vendos protestën e opozitës në një prej seksioneve më të rëndësishme të buletinit të saj të lajmeve ndërkombëtare. “Disa dhjetëra mijëra mbështetës të opozitës shqiptarë protestuan duke kërkuar ose rinumërimin e votave, ose në të kundërtën zgjedhje të parakohshme”, - shkruan në raportimin e saj në seksionin e lajmeve ndërkombëtare agjencia prestigjioze “Rojters”. Të njëjtin raportim të agjencisë “Rojters” boton në versionin online edhe “Nju Jork Tajms”. Protesta është pasqyruar gjithashtu nga agjencitë: “TGCOM”, “ANSA”, “ASSOCIATED PRESS”, “AFP”, “BBC”, “Zëri i Amerikës”, “DPA”, “SAUDI PRESS AGENCY”, “HURRIYET DAILY NEWS”, “IWR”, “BALKANINSIGHT”, “SETIMES”, “MTV”, “KOSOVA PRESS” etj. Ky pasqyrim në mediat e huaja është përshëndetur nga kryetari i PS-së, Edi Rama, gjatë konferencës së djeshme për shtyp. Ai deklaroi se tashmë i gjithë opinioni ndërkombëtar është njohur me shqetësimet dhe kauzën e Partisë Socialiste. “I gjithë planeti e ka parë nëpërmjet mediave ndërkombëtare më prestigjioze atë që ka ndodhur në Tiranë dhe e ka mësuar edhe arsyet që ajo masë e jashtëzakonshme njerëzish ka për të dalë ashtu siç doli në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’. Nuk është problemi ynë, por për fat të keq është edhe një shembull më shumë në vazhdën e atyre shembujve që këta zotërinj keqqeverisin pa pasur pushtetin e dhënë nga populli, por në një pushtet që ia kanë grabitur popullit, kur thonë se në protestën e opozitës morën pjesë 3 mijë veta. Ndoshta kështu i kanë numëruar edhe votat, siç kanë numëruar protestuesit e opozitës”, - u shpreh Rama.
24 Nentor 2009