E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: “Do të shkurtojmë distancën kohore për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian”



Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, deklaron se progresi i deritanishëm i Shqipërisë dhe roli i saj në ruajtjen e stabilitetit në rajonin e Ballkanit, në forcimin e bashkëjetesës mes popujve dhe respektimin e minoriteteve, do të bëjnë që të shkurtohet distanca për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Këto deklarata Meta i bëri gjatë promovimit të librit “Çështja shqiptare pas pavarësisë së Kosovës” të autorit Shaban Murati.
“Çështja shqiptare është çështja më e dhimbshme në Ballkan, sepse nga ndarja e Europës, shqiptarët e kanë pësuar më shumë se çdo komb tjetër. Por, për fat të mirë, që nga rënia e Murit të Berlinit dhe me Bashkimin e Europës, shqiptarët përfitojnë si asnjë komb tjetër në raport me kohën, pasi dihet se ata kanë përqafuar idenë e Europës së Bashkuar dhe kapërcimin e atij vendimi edhe midis tyre e shohin vetëm në kuadrin e Europës së Bashkuar. Kjo është edhe arsyeja përse shqiptarët ndihen sot më pranë njëri - tjetrit si asnjëherë tjetër më parë dhe kjo është arsyeja përse shqiptarët ndihen më pranë edhe me kombet e tjera, sidomos me fqinjët tanë. Ndaj dua të theksoj edhe njëherë rëndësinë që ka për të gjitha shtetet e Ballkanit, që të gjitha kombet në këtë rajon të adoptojnë të njëjtën politikë dhe mendësi që ka Shqipëria dhe shqiptarët. Kjo do të thotë se kudo ku ka shqiptarë në vendet e tjera, ne u kemi kërkuar të kontribuojnë për t’u integruar në vendet përkatëse dhe për të ndihmuar përshpejtimin e procesit të integrimit euroatlantik dhe europian të këtyre vendeve. Kjo është e vetmja rrugë dhe mënyrë që shqiptarët të fitojnë ato të drejta që u kanë munguar historikisht dhe që të jenë qytetarë të barabartë me gjithë të tjerët. Kjo është e vetmja rrugë e sigurt për paqen afatgjatë në Ballkan, për prosperitetin e të gjithë popujve të Ballkanit dhe mbi të gjitha, për të gjithë shqiptarët në rajon. Kjo është edhe arsyeja përse Shqipëria dhe politika e saj e jashtme është vlerësuar shumë si nga NATO-ja, ashtu edhe nga SHBA-të dhe BE-ja. Jam i bindur se duke punuar të hapur me të gjithë fqinjët, duke i shërbyer bashkëjetesës me të gjitha kombet në këtë rajon, ne kemi siguruar paqen, sigurinë dhe prosperitetin e të gjithë qytetarëve shqiptarë. Sepse Ballkani, sado i koklavitur që është për çështjet nacionale dhe etnike, aq edhe i thjeshtë është për t’i kapërcyer dhe për t’i zgjidhur këto çështje. Çdo komb në Ballkan, në një shtet është shumicë, në një shtet është pakicë. Dhe e vetmja rrugë përpara është që të gjithë të aplikojmë të njëjtat standarde në raport me pakicat dhe minoritetet. Unë besoj se më këtë ide dhe frymëzim ne do shkurtojmë distancën që na mbetet ende në raport me anëtarësimin tone në Bashkimin Europian”, - tha ministri i Jashtëm, Ilir Meta.

24 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›