Fullani: Mirëpres rishikimin e buxhetit
Ulja e borxhit publik është parakusht për stabilitetin makroekonomik të vendit
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, deklaroi dje se mirëpret rishikimin në ulje të buxhetit të shtetit të vitit 2010, pasi një hap i tillë sjell stabilizim të parametrave makroekonomikë. “Unë e përshëndes një veprim të tillë”, tha Fullani dje ndërsa theksoi se qeveria ka nevojë t’i rikthehet politikës së reduktimit të stokut të borxhit publik të vendit. Ministria e Financave ka propozuar pranë qeverisë uljen e shpenzimeve të programuara për buxhetin 2010 me 40 miliardë lekë ose 10 për qind të totalit, duke e konsideruar këtë si një masë të domosdoshme për të rivendosur kredibilitetin e Shqipërisë përballë bankave ndërkombëtare. Por, pavarësisht kësaj, qeveria nuk ka dorëzuar ende asnjë projekt në Parlament mbi këtë çështje. Financat parashikojnë se të ardhurat këtë vit do të jenë rreth 300 milionë dollarë më pak nga sa është planifikuar, gjë që do ta bëjë të papërballueshëm respektimin e axhendës së shpenzimeve.
“Rritja e shpejtë e shpenzimeve dhe deficitit buxhetor gjatë vitit 2009 ka rritur më tej nivelin e borxhit publik, i cili vlerësohet rreth nivelit 58 për qind të PBB-së në fund të muajit nëntor. Banka e Shqipërisë gjykon se orientimi i politikave të ardhshme buxhetore drejt konsolidimit fiskal, me qëllim reduktimin e borxhit publik, përbën tashmë një parakusht për stabilitetin makroekonomik në vend”, tha Fullani. Borxhi i Shqipërisë u rrit me mbi gjysmë miliardi euro gjatë vitit të kaluar, veçanërisht për shkak të kredive të marra për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës. Ministria e Financave thotë se dëshiron që stoku i borxhit të rikthehet në 52 për qind të PBB-së deri në vitin 2013, por kjo gjë kërkon politikë të shtrënguar fiskale për disa vite.
Ra kërkesa për kredi
Kreditimi i ekonomisë gjatë vitit 2009 ka ardhur në përkeqësim, sipas Bankës së Shqipërisë. “Gjatë pjesës së parë të vitit, bankat kufizuan kreditimin, por gjatë pjesës së dytë, u pakësua kërkesa për kredi”, tha dje Fullani.
Ngadalësimi i aktivitetit ekonomik dhe pasiguria për të ardhmen, përballë kushteve ende të shtrënguara të kredidhënies nga ana e bankave, kanë udhëhequr vendimet e agjentëve ekonomikë për të shtyrë planet e investimeve dhe për të financuar më pak konsumin nëpërmjet huamarrjes, sipas BSH.
Gjatë vitit të kaluar qeveria i mbajti të larta investimet publike, si dhe rriti pagat dhe pensionet pavarësisht krizës. Deficiti i stërmadh prej rreth 700 milionë dollarësh u mbulua me të ardhura nga privatizimi dhe me borxhe. Të dyja këto burime, sipas Bankës së Shqipërisë, dhanë një lehtësi të përkohshme dhe viti 2010 kërkon detyrimisht disiplinë financiare.
“Flukset hyrëse janë favorizuar dukshëm nga të ardhurat e privatizimit dhe nga huamarrja e sektorit publik. Të dy këta zëra janë të kufizuar në kohë dhe në madhësi, duke bërë të nevojshëm një korrektim më të qëndrueshëm të pozicionit të jashtëm të ekonomisë sonë”, arsyeton BSH.
Politika monetare, pa ndikim te kreditë
BSH pranoi dje se zbutja e politikës monetare që ajo kreu gjatë vitit të kaluar, nuk ia lehtësoi koston e kredive në lekë shqiptarëve, kryesisht për shkak se qeveria u tregua e gatshme të merrte hua të gjithë paranë e disponueshme. BSH e uli interesin bazë në ekonominë shqiptare me 1 për qind gjatë vitit të kaluar. Ulja e dytë e kryer në nëntor solli lehtësim të kostos së bonove të thesarit, por jo të kredive që shqiptarët morën në monedhën vendëse.
“Përcjellja e politikës lehtësuese monetare në normat e interesit të produkteve bankare ka qenë e kufizuar, si pasojë e problemeve të likuiditetit të sistemit bankar dhe e kërkesës së sektorit publik për fonde”, tha Fullani dje.
Leku i dobët rriti çmimet
Banka Qendrore deklaroi se inflacioni i shpejtuar në periudhën tetor-dhjetor të vitit të kaluar, veçanërisht në grupin e ushqimeve, erdhi si pasojë e zhvlerësimit të lekut përballë euros dhe dollarit. Por sipas Fullanit, kjo prirje inflacioniste nuk pritet të vijojë gjatë.
“Tendenca rritëse e inflacionit gjatë tremujorit të fundit të vitit 2009 ishte një zhvillim i pritur nga Banka e Shqipërisë. Ai është formuar në masën më të madhe nga faktorë me natyrë kalimtare, të cilët nuk pritet të gjenerojnë presione të qëndrueshme inflacioniste”, tha ai. Viti 2009 u mbyll me rritje të Indeksit të çmimeve të Konsumit me 3.5 për qind, por grupi i ushqimeve pësoi rritje prej 6.8 përqindësh. Struktura e inflacionit e vërejtur gjatë muajve të fundit penalizon veçanërisht pjesën më të varfër të popullatës, e cila shpenzon shumicën e parave të veta për ushqime.
#