Konfindustria: Të rregullohet ligji antimafia se do ketë pasoja

Tiranë, 28 janar, NOA - Pasojat e zbatimit të ligjit
antimafia do të jenë mjaft të rënda dhe me efekt afatgjatë për ekonominë
shqiptare nëse nuk kryhet njëkohësisht dhe në një kohë sa më të shpejtë amnistia
fiskale. Një fakt i tillë është pohuar nga Konfindustria përmes një deklarate të
saj për shtyp. Konfindustria mendon se vetëm shoqërimi dhe ndërthurja e ligjit
antimafia me amnisti fiskale të plotë mund të sjellë njëkohësisht goditjen e
grupeve kriminale dhe të garantojë mbrojtjen e pasurisë të biznesit e
qytetarëve shqiptare, por edhe të mundësojë të ardhura financiare të
rëndësishme për ekonominë kombëtare dhe buxhetin e shtetit, citon kjo deklaratë.
Sipas saj, zbatimi i ligjit antimafia në
gjendjen e tashme institucionale, ekonomike të Shqipërisë, pa kryer amnisti
fiskale per kapitalet, asetet dhe të ardhurat e qytetarëve shqiptare, rrezikon në
mënyrë të drejtpërdrejtë shkaktimin e pasojave të rënda në uljen e remitancave
të emigrantëve, nxitje për largimin e kapitaleve nga vendi dhe sistemi bankar
shqiptar, ngadalësim të nismave investuese, si edhe pasiguri në pasurinë e
qytetarëve të thjeshtë shqiptarë.
Në fund të kësaj deklarate thuhet se Konfindustria
prej kohësh i ka kërkuar zyrtarisht Kuvendit dhe kryeministrit Sali Berisha që
të përmirësojnë ligjin antimafia dhe shoqërimin e tij në zbatimin e një
amnistie të gjerë fiskale për biznesin dhe qytetaret shqiptarë.
n.e/NOA