E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza, 1200 vende pune të humbura

Ekonomia shqiptare humbet 1200 vende pune në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, bëhet e ditur nga statistikat e reja të publikuara prej INSTAT-it. Vendet e punës janë humbur në sektorin privat jobujqësor, pavarësisht investimeve të stërmëdha nga buxheti i shtetit. Sektori privat jobujqësor dhe sektori publik patën gjithsej 404 282 të punësuar në qershor të këtij viti, nga 405 518 të punësuar që numëroheshin në dhjetor të vitit 2008. Në administratën publike dhe në kompanitë nën pronësi publike punojnë 166 mijë vetë, ndërsa në sektorin privat punojnë 338 mijë vetë. Ekonomia shqiptare ka shënuar në shumë pak raste rënie të numrit të të punësuarve, kryesisht për shkak të rritjes së qëndrueshme ekonomike të dekadës së fundit. Nga statistikat vërehet se mbyllja e vendeve të punës ka ndodhur më herët në tremujorin e parë 2007, në tremujorin e parë 2004 dhe në tremujorin e parë 2002.

Investimet e mëdha të buxhetit të shtetit në infrastrukturë rrugore gjatë periudhës paraelektorale hapën shumë vende pune në industrinë e ndërtimit, por kjo gjë nuk mjaftoi. Shqipëria ka një numër të vogël vendesh pune stabël dhe vetëm një në katër të rritur ka një pagë të qëndrueshme. Gjatë dekadës së fundit, rritja e të punësuarve në sektorin privat është shoqëruar me ulje të numrit të të punësuarve në sektorin publik, gjë që ka sjellë si rezultat të përgjithshëm shtimin e vetëm 10 mijë vendeve të punës që nga viti 2001 deri në qershor të këtij viti. Papunësia rezulton se është stresi më i madh i shqiptarëve nga disa vëzhgime të opinionit të kryer para zgjedhjeve parlamentare të qershorit.

Qeveria klasifikon si të "vetëpunësuar në bujqësi" rreth 570 mijë vetë, pa marrë parasysh nivelin e tyre të të ardhurave apo sasinë e tokës në dispozicion për të punuar. Rreth dy të tretat e familjeve që jetojnë në fshat bazohen tek emigrimi i përhershëm apo sezonal për të jetuar.

Por papunësia nuk rritet

Rënia e numrit të të punësuarve nuk është shoqëruar me rritjen e numrit të të papunëve. Të paktën kjo gjë nuk vërehet në statistikat zyrtare që raportohen tek INSTAT-i nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Zyrtarisht në qershor kishte 141 mijë të papunë, shifër kjo e pandryshuar në krahasim me dhjetorin. Qeveria konsideron të papunë vetëm njerëzit që regjistrohen në zyrat e punësimit. Nga 141 mijë të papunë, vetëm 6 për qind e tyre ose 8500 vetë marrin pagesë papunësie. Pavarësisht se vendet e punës janë pakësuar, numri i përfituesve të pagesës së papunësisë është reduktuar në gjashtëmujorin e parë.

Paga mesatare në sektorin publik në qershor ishte 40 mijë lekë me një rritje prej 11 për qind kundrejt qershorit 2008. Pagesa e papunësisë ka mbetur e pandryshuar në 4900 lekë në muaj. Ndihma ekonomike e plotë është rritur me 16.4 për qind në 3746 lekë, ndërkohë që ndihma ekonomike e pjesshme është rritur me 24.3 për qind në 3114 lekë. Ndihma ekonomike u shpërndahet 90 mijë familjeve të varfra (rreth 10 për qind e popullatës së vendit), për të mbuluar nevojat e tyre minimale. Sipas studimeve të Bankës Botërore, ndihma ekonomike e dhënë nga buxheti i shtetit plotëson vetëm 40 për qind të shumës së nevojshme për të nxjerrë të gjithë të varfrit mbi pragun e minimumit jetik, që aktualisht është 5700 lekë për frymë në muaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›