Fullani: “Nuk kemi dalë nga kriza, qeveria kujdes me politikat fiskale”
Ervin KOÇI
Shqipëria nuk i ka shpëtuar krizës ekonomike botërore dhe pasojat e saj do të vijojnë edhe në vitin 2010. Këtë parashikim e ka dhënë dje Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i cili deklaroi se vendi vazhdon të jetë i kërcënuar prej krizës që do të shtrijë pasojat edhe në vitin e ardhshëm. Fullani përsëriti apelin e tij ndaj qeverisë për të treguar kujdes me politikat fiskale. “Ende nuk jemi jashtë rrezikut dhe është e rëndësishme të sigurohemi që oreksi i madh fiskal i vitit të kaluar i cili karakterizoi të gjithë rajonin nuk do të vazhdojë të jetë një fenomen mbizotërues. Duhet të nisim menjëherë vlerësimin e dëmeve anësore që ka shkaktuar reagimi ynë ndaj presioneve të krizës. Në këtë drejtim është mjaft e rëndësishme të vlerësojmë jo vetëm qëndrueshmërinë afatgjatë të ekuilibrave të rajonit por deh të analizojmë me kujdes dhe efektivitetin e politikave tona afat shkurtra”- deklaroi Guvernatori i BSH-së. Për kreun e BSH-së, janë të domosdoshme reformat e thella për thithjen e kapitaleve të reja. Muajt e fundit, Fullani i ka sugjeruar qeverisë gjetjen e mënyrave për të siguruar qëndrueshmërinë e ekonomisë pasi të ardhurat e emigrantëve po vijnë duke u ulur.
Burimet ekonomike
Më tej Fullani kërkoi nga qeveria që të ndërmarrë reforma strukturore me qëllim thithjen e burimeve të reja të financimit të ekonomisë. Edhe më parë guvernatori ka shprehur domosdoshmërinë e ndryshimit të modelit ekzistues të zhvillimit pasi burimet që deri tani kanë financuar ekonominë tonë, si të ardhurat nga emigrantët dhe eksportet kanë pësuar rënie. Sipas Guvernatorit Fullani, “është i rëndësishëm ndërtimi i politikave të duhura ekonomike për të identifikuar, modelin e ri të rritjes ekonomike, post krizë, në qendër të të cilit do të jetë thithja e kapitalit të huaj në rajon”. Ai sugjeroi ndërmarrjen e politikave fiskale që shmangin rrezikun si dhe ndërmarrjen e reformave të duhura strukturore për përmirësimin e mjedisit të biznesit, të cilat natyrshëm do të ndihmojnë në rritjen e flukseve të reja hyrëse të kapitalit dhe do të çojnë drejt një rritje të fuqishme dhe të qëndrueshme të tyre. Këto deklarata Fullani i mbajti gjatë një takimi pune me përfaqësues e bankave kombëtare të rajonit, ku nënvizoi se duhet një reagim i përbashkët ndaj pasojave të krizës. Kjo pasi të gjitha vendet e Europës Juglindore kanë përballuar pak a shumë në të njëjtën mënyrë ndikimin e krizës duke ruajtur sistemin financiar.
Takimi
Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me “Center of Excellence in Finance” (CEF)-Slloveni, si dhe me mbështetjen e Komisionit Evropian, Bankës Qendrore Evropiane dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, organizoi takimin “Ndërtimi i kapaciteteve për hartimin dhe zbatimin e politikave”. Takimi, i cili organizohet për herë të parë në Shqipëri, mblodhi përfaqësues nga bankat qendrore dhe ministritë e financave të vendeve të Evropës Juglindore si: Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Kosova, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia, Moldavia, Rumania, Turqia, Serbia, Shqipëria.
4 Dhjetor 2009