E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgjaken rrugët, 3 të vrarë dhe 7 të plagosur



Eljona Lata

Brenda 24 orëve kanë ndodhur katër aksidente automobilistike në akset rrugore të vendit, duke shkaktuar vdekjen e tre personave dhe plagosjen e shtatë të tjerëve. Burimet zyrtare raportojnë se ngjarjet ndodhën në akset rrugore Qafë-Mali - Fierzë, Ura e Naracit, autostrada Tiranë-Durrës dhe kthesa e rrethrrotullimit së Plugut në Lushnjë. Sipas tyre, dy nga viktimat kanë gjetur vdekjen si pasojë e përplasjes më automjetet, ndërsa po kalonin nga njëra anë e autostradës në anën tjetër. Përsa i përket viktimës së tretë, e ka gjetur vdekjen si pasojë e daljes së automjetit nga rruga dhe rënies në humnerë. Të gjitha viktimat dhe të aksidentuarit u përkasin kryesisht moshave të reja.
Aksidentet
Ngjarja më e rëndë ndodhi në aksin rrugor Qafë-Mali - Fierzë, ku pjesëtarët e një familjeje kanë rënë në humnerë bashkë me mjetin që po udhëtonin. Për pasojë, ka vdekur kryefamiljari dhe janë plagosur rëndë tre fëmijët e tij. Sipas burimeve policore, një mjet tip “Audi” me targa angleze ka dalë nga rruga duke rënë rreth 2-3 metra poshtë në humnerë. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të vendit të quajtur Ura e Dardhës. Drejtuesi i mjetit, Man Dushaj, 45 vjeç, ka gjetur vdekjen rrugës për në Spitalin e Pukës. Janë plagosur dy fëmijët e tij dhe nipi i viktimës, përkatësisht D. Dushaj, 13 vjeç, F. Dushaj, 11 vjeç dhe M. Dushaj, 9 vjeç, të cilët aktualisht po marrin mjekimin në Spitalin e Tropojës. Sipas burimeve spitalore, fëmijët janë jashtë rrezikut për jetën. Sipas burimeve të policisë, ngjarja e rëndë dyshohet se ka ndodhur për shkak të lagështirës në rrugë, por edhe errësirës dhe rrezikshmërisë së madhe që paraqet rruga e Qafës së Malit.
Një aksident tjetër ndodhi në Shkodër, ku automjeti me targë SH 8760 C ka dalë nga rruga dhe ka rënë rreth 40 metra poshtë, në vendin e quajtur Ura e Naraçit. Për pasojë kanë ngelur të plagosur 4 persona. Shtetaset Prena T., 48 vjeçe, Vera T., 43 vjeçe dhe dy shtetas të tjerë; Fran C., 48 vjeç dhe Aleksandër N., 35 vjeç.
Aksident automobilistik ndodhi edhe në autostradën Tiranë-Durrës, ku gjeti vdekjen një person. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e ditës së mërkurë, ku një kalimtar është goditur për vdekje nga një automjet. Sipas burimeve policore, shtetasi Agim Ndreu, 40 vjeç, banues në Martanesh, ka gjetur vdekjen pasi është përplasur nga një automjet tip “Wolksvagen Pasat”, me targë TR. 2562 N, i drejtuar nga shtetasi Alket Eapaj. Në momentin e aksidentit viktima ka tentuar të kalojë nga e majta në anën e djathtë të superstradës duke kapërcyer trafikndarësen, ndërsa 25-vjeçari ka qenë duke udhëtuar me automjetin e tij nga Vora për në Tiranë ku ka përplasur 40-vjeçarin. Ky i fundit gjeti vdekjen e menjëhershme. Në vendin e ngjarjes nga ekspertët e aksidenteve automobilistike u kryen veprimet procedurale, ndërkohë që në ngarkim të 25-vjeçarit do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”.
Edhe Lushnja është përfshirë në listën e aksidenteve. Në aksin Lushnjë-Rrogozhinë gjeti vdekjen një person ende i paidentifikuar nga policia. Ngjarja ndodhi në orët e vona të pasdites së djeshme, në vendin e quajtur kthesa e rrethrrotullimit së Plugut, i cili është bërë shpeshherë burim aksidentesh. Viktima ishte duke kaluar nga njëra anë e autostradës në anën tjetër ndërsa është përplasur nga një mjet me targa LU 1879 F. Viktima është ende i paidentifikuar nga policia.
Në fillimin e kësaj jave ndodhi një aksident tragjik në aksin Fushë-Krujë – Laç, ku gjatë përplasjes së dy automjeteve gjetën vdekjen 6 persona. Gjatë dy javëve janë shtuar ndjeshëm viktimat nga aksidentet.

TË VDEKUR
Man Tecuku 45 vjeç
Agim Ndreu 40 vjeç
I paidentifikuar

TË PLAGOSUR
D. Dushaj, 13 vjeç
F. Dushaj, 11 vjeç
M. Dushaj 9 vjeç
Prena T., 48 vjeçe
Vera T., 43 vjeçe
Fran C., 48 vjeç
Aleksandër N., 35 vjeç

4 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›