Itali, shkatërrohen dy banda shqiptarësh të trafikimit të drogës
ITALI – Dy grupe shqiptarësh që merreshin me trafikun e drogës janë asgjësuar nga Policia italiane në operacionet e organizuara në Piza dhe Rini. Mediat italiane raportojnë se kanë përfunduar në pranga 29 shqiptarë. Sipas ANSA-s, operacioni antidrogë, i koduar “Andromeda”, ka çuar në pranga 44 persona. Urdhër-arrestet ishin prerë për 29 shqiptarë, 9 italianë, 2 tunizianë, 2 lituanezë dhe një gjerman. Nga kontrolli janë sekuestruar 49 kg kokainë, 10 kg heroinë, dy kg hashash, 6000 tableta ekstaze. U sekuestruan dy pistoleta, 5 makina dhe një maune, 5 dokumente false, 170 mijë euro. Në operacion u angazhuan 100 policë, 5 grupe të specializuara në luftën e trafikut të drogës, 45 makina dhe një helikopter. Operacioni u krye nga Guardia di Financa e Pizas. Në lajmin e publikuar nga agjencia e lajmeve “ANSA” nuk bëhen të ditur emrat e të arrestuarve, shumica e të cilëve janë shqiptarë. Ndërsa operacioni tjetër i koduar “Babilonia është kryer nga policia e Rinit, ku ka çuar në pranga 4 shtetas shqiptarë dhe një rumun me akuzën e shpërndarjes së lëndëve narkotike. Sipas karabinierëve italiane, në pranga kanë rënë Bardh Malocaj 37 vjeç, Valeria Jorgjini, 22 vjeçe, Kastriot Malocaj, vëllai i Bardhi Malocajt dhe Elton Malocaj, kushëriri i tyre. Në pranga ka përfunduar edhe shtetasja rumune, pjesë e bandës, Nikoleta Dinu. Mësohet se kreu i bandës ishte Bardh Malocaj, ndërsa 4 anëtarët e tjerë të saj merreshin me shpërndarjen e lëndëve narkotike duke arritur deri në një kilogram heroinë të shpërndarë brenda një jave. Sipas autoriteteve italiane, B. Merlocaj rezulton i skeduar, pasi në datën 29 janar të këtij viti u arrestua me akuzën e tentativës për vrasje. Policia italiane po vazhdon për hetime të mëtejshme.
Prangosen dy shpërndarësit e hashashit në Elbasan
ELBASAN - Operacioni “Ndërmjetësi” ka çuar në pranga dy të rinj, të cilët u kapën në flagrancë duke shpërndarë lëndë narkotike nëpër dyqane. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Elbasanit, shtetasit Mirela Çaushi, 19 vjeçe dhe 33-vjeçari Dritan Hida, i dënuar më parë për plagosje dhe armëmbajtje pa leje, janë arrestuar në flagrancë me lëndë narkotike. Këta dy persona bashkëpunonin me njëri-tjetrin duke shpërndarë lëndë narkotike në dyqane apo pika të ndryshme të qytetit të Elbasanit, por janë mundur të vihen në pranga në kuadër të operacionit “Ndërmjetësi”. Sipas burimeve policore të Elbasanit, 19-vjeçarja Çaushi ka lënë një sasi lënde narkotike, pronë e shtetase A. I., ku më pas është larguar në drejtim të paditur me qëllim shmangien e kapjes nga shërbimet e policisë. Të dy shpërndarësit janë arrestuar në lagjen “11 Nëntori” të Elbasanit. Nga kontrolli që iu bë çantës së vajzës iu gjet një sasi prej 10 pakosh transparente Cannabis sattiva, si ato të farmacisë me peshë 65 gramë. Ndërsa gjatë kontrollit të bërë në banesën e Hidës, iu gjend 1 pako transparente, ku gjendej Cannabis me peshë rreth 6 gramë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme mbi veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së narkotikeve”.
Prangoset roja i spitalit, lëshonte raporte false
ELBASAN - Në kuadër të operacionit “Falsifikatori” është vënë në pranga roja e klinikës private në Elbasan, i cili u siguronte banorëve raporte mjekësore të falsifikuar. Këto raporte shërbenin për pajisjen me armë gjahu të shtetasve. Sipas burimeve policore të Elbasanit, shtetasi Gugash Çela, 40 vjeç, lindur në Peqin e banues në Elbasan, është roje private te Poliklinika e Specialiteteve Elbasan. Ai është arrestuar ditën e djeshme në flagrancë ndërsa po jepte raporte mjekësore të falsifikuara me qëllim pajisjen me armë gjahu. Këtë aktivitet 40-vjeçari e ushtron në një periudhë 1-vjeçare. Gugash Çela akuzohet për veprën penale të “falsifikimit të dokumenteve shëndetësore”.
Kakavijë, bllokohet kalimi kufitar për 2 orë
GJIROKASTËR - Gjatë ditës së djeshme dogana greke ka bllokuar kalimin drejt shtetit helen për gati dy orë, duke shkaktuar radhë të gjata të mjeteve që presin të kalojnë kufirin. Rreth orës 6 e 45 minuta të mëngjesit të djeshëm pala greke bllokoi punën në pikën e kalimit kufitar, pa asnjë njoftim. Kjo shkaktoi radhë të gjatë prej 1.5 kilometrash të mjeteve që prisnin për të kaluar kufirin drejt territorit shqiptar. Më vonë është mësuar shkaku i bllokimit, i cili ka qenë një defekt kompjuterik. Për rreth dy orë mjetet kanë qëndruar në radhë, në pritje për të rinisur puna në doganë. Menjëherë pas riparimit të defektit, procedurat e kalimit kanë vijuar normalisht, ndërsa janë shtuar sportelet nga të dyja anët e doganës. Aktualisht pala shqiptare po punon me 13 sportele dhe ajo greke me 6 sportele për të ulur fluksin e kalimeve në kufi.
Pas vendimit të KLD-së, gjyqtarja jep dorëheqje nga dosjet
TIRANË - Pas vendimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, gjyqtarja Marsela Balili është detyruar të japë dorëheqjen në të gjitha dosjet që me short i kishin rënë për gjykim. Dorëheqja e parë është bërë për dosjen e bandës së Lushnjës për të cilën ishte dhe seanca e radhës ditën e djeshme. Balili u zëvendësua me gjyqtarin e Gjykatës së Tiranës Albert Meçe. Ky zëvendësim u bë me një gjyqtar të Gjykatës së Tiranës për shkak se të gjithë gjyqtarët e Krimeve të Rënda janë ezauruar për të marrë pjesë në gjykim ndaj kësaj bande. Ndërkohë ndaj Balilit kanë nisur tashmë hetimet nga Prokuroria e Durrësit për akuzën e korrupsionit pasiv.
4 Dhjetor 2009