Padia në gjykatë, “Alitalia” kërkon falimentimin
Kriza ekonomike ka prekur edhe kompani të mëdha të huaja që operonin deri dje në vendin tonë. Dy ditë më parë juristët e kompanisë “Alitalia S.P.A. Tiranë”, kanë depozituar në Gjykatën e Tiranës kërkesën për deklarim falimenti. Burime pranë kësaj Gjykate sqaruan se objekti i padisë kryesisht ka të bëje me nisjen e procedurave për faliment të degës së kësaj kompanie që vepron në Shqipëri “Alitalia Linee aere”. Padia tashmë i është nënshtruar procedurës së shortit elektronik dhe i ka rënë për gjykim gjyqtares Altina Xhoxhaj. Pritet që në ditët në vazhdim kjo padi të nisë dhe shqyrtimin. Gjatë këtyre muajve në Gjykatën e Tiranës janë depozituar shumë padi me objekt falimentimi të subjekteve të ndryshme të biznesit. Kjo tregon edhe për gjurmët që po lë kriza ekonomike edhe në biznesin e huaj që zhvillon aktivitet në vendin tonë.
Jepen certifikatat e cilësisë për 19 kompani shqiptare agro-ushqimore
Janë 19 firma shqiptare në sektorin e peshkimit dhe atë agro-ushqimor që janë pajisur me certifikata të cilësisë. Ceremonia u zhvillua dje në një projekt të financuar nga ICE-s, që zgjati 18 muaj. Ky projekt synon të njohë firmat shqiptare të këtyre sektorëve me proceset e nevojshme për garantimin e sigurisë ushqimore, si dhe të ofrojë zgjidhje për problemet e ndryshme që kanë të bëjnë me konformitetin e përbërësve të produktit, me etiketimin dhe publicitetin. Projekti i certifikimit të produktit dhe të procesit realizohet në bazë të ligjit 84/2001, që trajton format e pjesëmarrjes italiane në procesin e stabilizimit, rindërtimit dhe zhvillimit të Ballkanit. ICE është enti zbatues i këtij projekti, i cili u realizua falë bashkëpunimit të “CDQ Italia Srl” në cilësinë e partnerit strategjik, të partnerëve të tjerë italianë dhe partnerëve shqiptarë.
Shtyhet koncesioni për HEC-in mbi Zallin e Germanit
Shtyhet pranimi i ofertave për dhënien me koncesion të hidrocentralit mbi Zallin e Germanit. Ministria e Ekonomisë, njoftoi se data për pranimin e ofertave është shtyrë më 7 dhjetor të këtij viti, nga 25 nëntori kur ishte planifikuar më parë. Sipas burimeve zyrtare nga ky dikaster, gara për dhënien me koncesion të HEC-it “Germani 1, 2, 3” është e hapur për të gjitha subjektet e interesuara, të cilat mund të dërgojnë dokumentacionin e kërkuar pranë ambienteve të METE-s. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës është autoriteti kontraktues, i cili në zbatim të nenit 18, mbi sqarimet dhe modifikimet e ligjit nr. 9663, “Për Koncesionet”, i ndryshuar ka vendosur të bëjë disa ndryshime në “Përmbajtjen e kërkesës për propozim”, duke shtyrë afatin e dorëzimit të ofertave për kompanitë vendase dhe të huaja që mund të marrin pjesë.
4 Dhjetor 2009