E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fullani: Po ndihen efektet e krizës

 

Edhe pse një ekonomi e vogël përsëri efektet financiare të krizës globale kanë nisur të ndihen edhe në Shqipëri. Një fakt i tillë është vënë në dukje nga vetë guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani gjatë një leksioni me studentët. Por sipas tij, bankat nuk janë infektuar nga kriza globale. Në deklaratën e tij ai i ka rekomanduar qeverisë të ketë kujdes me përdorimin e fondeve tw sektorit publik dhe privat. Kjo pasi si pasojë e krizës globale parashikohet një ulje e ritmit të kreditimit. “Stabiliteti makroekonomik ka mundësuar impakt më të vogël në ekonominë shqiptare, Banka e Shqipërisë do të fokusohet në ruajtjen e këtij stabiliteti si një parakusht për rritjen e qëndrueshmërisë afatgjatë”, tha Fullani. Në kushtet e likuiditetit të ulur për 2009 Fullani bën thirrje për rritjen e efeciencës të përdorim të fondeve te sektorit publik dhe privat duhet parashikuar një ulje të ritmit të kreditimit. “Ekonomia shqiptare është në pozicion me të mirë se ekonomitë e rajonit po efektet e krizës po ndihen në vend, megjithëse sistemi bankar paraqitet i shëndetshëm dhe i aftë të kryejw misionin e tij”, është shprehur kreu i Bankës së Shqipërisë. Sipas të dhënave më të fundit nga Banka e Shqipërisë gjatë muajit janar është ulur ritmi i kredidhënies. Sipas BSH-së duke e pastruar nga efektet e lëvizjes së kursit të këmbimit, rritja vjetore e portofolit të kredisë ka shënuar një ngadalësim të mëtejshëm në muajin janar, duke arritur vlerën 32 për qind. Ky ngadalësim reflekton shtrëngimin e kushteve të kreditimit nga bankat dhe riorientimin e aktivitetit të tyre kreditues drejt kredisë në lekë. Në terma vjetorë, kredia në lekë u rrit me 34 për qind, kurse ajo në valutë me 30 për qind. Gjithashtu, sjellja e bankave gjatë muajve të fundit ka dëshmuar për një rritje të interesimit të tyre për kreditimin e biznesit, ndërkohë që interesi i bankave për kreditimin e individëve apo huave hipotekare paraqitet në rënie. Portofoli i kredisë për biznese, në terma vjetorë, është rritur me të njëjtin ritëm si edhe një muaj më parë (35 për qind), ndërkohë që portofoli i kredisë për individë ka pasqyruar frenim të mëtejshëm të normës së rritjes në 26.1 për qind.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›