Legalizimet, jepen 150 leje në Korçë
Fabiola Çela
Ndahen 150 leje legalizimi në qytetin e Korçës. Me marrjen e lejeve të legalizimit këto objekte nuk do të quhen më të jashtëligjshme. Sipas kreut të Agjencisë së Legalizimeve, Shaban Memia, në qytetin e Korçës ka përfunduar përgatitja e dosjeve për 550 objekteve dhe tashmë ka nisur procesi i ndarjes së lejeve, e cila do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.
Lejet e legalizimit
Dje gjatë ndarjes së lejeve të legalizimit në qytetin e Korçës, drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Shaban Memia, theksoi se janë rreth 400 milionë dollarë kapital i vdekur vetëm për Qarkun e Korçës, që nuk janë pjesë e tregut, me këtë reformë ky kapital ligjërohet dhe bëhet pjesë e tregut. Qeveria për këtë reformë ka investuar gati 10 milionë euro në teknologjinë më të fundit, e cila do stabilizojë gati 10 miliardë dollarë pasuri në të gjithë vendin. Me këtë reformë, tha Memia, ne sjellim stabilitet për pronën me procedura korrekte ligjore. Ministri i Financave dhe Deputeti i Korçës, Ridvan Bode, në takimin e shpërndarjes së rreth 150 lejeve u shpreh se të gjithë të përfitojnë nga ky proces dhe qindra-mijëra prona të bëhen të sigurta theksoi Bode. Në Qarkun e Korçës janë deklaruar 9962 objekte informale. Janë kryer matjet në terren dhe është bërë azhurnimi për 60% të këtyre objekteve, nga të cilat janë të gatshme për qytetarët 1050 “Leje Legalizimi”, që mund t’i tërheqin pasi të kenë shlyer detyrimet për objektin sipas ligjit. Ndërsa për 550 objekte është përfunduar i gjithë procesi dhe po bëhet lëvrimi i lejeve. Kostoja financiare e shërbimit për legalizimin e ndërtimeve pa leje është 4000 lekë. Sipas ligjit, pronari i ndërtimit pa leje që në momentin që i legalizohet banesa ka 3 vjet afat për ta paguar atë. Projekti i ALUIZNI-t ka si qëllim që të krijojë lehtësira për të gjithë ata që do të paguajnë brenda një kohe shumë të shkurtër. Ndërsa për ata qytetarë që nuk kanë mundësi financiare për ta paguar menjëherë do të përdoret sistemi me këste deri në 3 vjet. Gjatë kësaj periudhe prona regjistrohet në hipotekë dhe mbetet në pronësi të shtetit deri në momentin që përfundon pagesa. Qeveria ka vendosur edhe kushte lehtësuese për qytetarët, ata që do të paguajnë menjëherë me para në dorë vlerën e legalizimit të objektit të tyre do të kenë 20 për qind ulje të vlerës totale.
Ndërtimet informale
Sipas drejtuesve të Agjencisë së Legalizimit të Ndërtimeve Informale deri më tani janë identifikuar në terren rreth 10 mijë pasuri informale. Nisur nga numri i përgjithshëm i objekteve informale të vetëdeklaruara administrata e ALUIZNI-t ka përfunduar dokumentacionin e nevojshëm për rreth 70 % të pasurive informale të vetëdeklaruara.