Përse nuk e humbi debatin televiziv Edi Rama
Maklen Misha
Sa mund të flitet për humbje apo fitore të një lideri politik në një debat televiziv? Natyrisht, është tejet e vështirë, pasi këtu nuk bëhet fjalë për një ndeshje boksi. Me përjashtim të ndonjë rasti të rrallë, kur i ftuari realisht “lë nam”, opinionet janë të destinuara të mbeten subjektive. Sepse në fund të fundit, politika për nga natyra është subjektive. Dhe kjo padyshim vlen dhe për debatin e kryetarit të opozitës pak ditë më parë në Top Channel, e komentet që pasuan. Gjithsesi, edhe pse i ndërgjegjshëm se as unë nuk mund t’i shpëtoj kurthit të subjektivitetit, besoj se dalja e zotit Rama ishte e suksesshme, pasi shpalosi disa elementë të rëndësishëm pozitivë në lidhje me vizionin e tij politik, si dhe me atë që do të jetë natyra e debatit të fushatës zgjedhore nga ana e opozitës. Dhe në fakt, nëse do të flisnim për të humbur dhe të fituar në këtë debat, pavarësisht rezervave të mia ndaj përdorimit të këtyre termave, besoj se “humbësit” do të duhet t’i kërkonim tek paneli i analistëve me të cilët u ballafaqua zoti Rama.
Elementi i parë pozitiv ishte padyshim toni qytetar dhe respektimi i etikës së debatit publik nga zoti Rama. Ndonëse pati provokime të shpeshta, ndonëse iu desh të ballafaqohej me disa filmime ku kundërshtarët e tij lëshonin akuza nga më të rëndat, në drejtim të atij vetë apo dhe të familjes së tij, për asnjë moment zoti Rama nuk u përgjigj me të njëjtën monedhë. Padyshim që kjo vetëpërmbajtje është diçka për t’u respektuar në politikën shqiptare, ku një pjesë e madhe e politikanëve, nga të gjitha nivelet e hierarkisë politike, i kanë kthyer hedhjen e baltës, shpifjet dhe akuzat e paprincipta ndaj kundërshtarit, në një normë të debatit publik. Dhe në këtë kontekst, kjo sjellje e liderit të opozitës, përbën padyshim një sinjal se opozita e drejtuar prej tij, ashtu si gjatë këtyre viteve të fundit, është e vendosur që edhe gjatë fushatës, të mos e sakrifikojë etikën dhe moralin e debatit. Pra, zoti Rama, sërish na konfirmoi se është i vendosur të ndjekë një model tjetër, i cili përjashton përbaltjen e kundërshtarit si një armë për të fituar pikë politike. A nuk është kjo diçka pozitive? Dhe a nuk është kjo diçka e re për politikën shqiptare?
Elementi i dytë pozitiv, ishte ai që unë do ta quaja largimi nga populizmi. Jemi mësuar tashmë prej 18 vjetësh të dëgjojmë kryeministra e kryetarë partish, që si gjatë fushatës, ashtu dhe ndërmjet fushatave, lëshojnë premtime nga më të ekzagjeruarat, të cilat as munden dhe as kanë ndërmend t’i përmbushin. Do t’ju ftoja këtu të kujtoni populizmin e zotit Berisha dhe premtimet që lëshon ai rëndom. A do të duhej vallë që edhe zoti Rama të ndiqte të njëjtin model për t’u quajtur fitues? A do të ishte vallë e besueshme dhe bindëse sikur ai t’i shtjellonte prioritetet dhe politikat e opozitës duke premtuar duar të pastra, punësim për të gjithë, universitet për të gjithë, vërshime turistësh e investimesh të huaja, ujë dhe drita 24 orë, mijëra kilometra rrugë, rritje pensionesh e rrogash me aq e kaq për qind, kanale ujore që lidhin Beratin me detin etj., etj., etj? Unë mendoj se jo. Dhe unë mendoj po ashtu se, duke refuzuar të bënte një lojë të tillë populiste, zoti Rama konfirmoi dhe njëherë se opozita e tij duhet parë si hapja e një porte, prej ku do të futet në arenën politike shqiptare një politikë që përpiqet të merret me problemet reale, që nuk premton qiellin, që nuk mundohet të manipulojë dëshpërimin e njerëzve duke u hedhur atyre hi syve me premtime boshe. A nuk është ky një hap premtues për një qeverisje ndryshe nesër?
Natyrisht, që në këtë pikë, është më se e natyrshme të shtrohet pyetja përse zoti Rama nuk e përdori kohën e debatit për të shpalosur programin qeverisës të koalicionit që drejton. Kësaj pyetjeje unë do t’i përgjigjesha me një tjetër pyetje: a iu dha vallë kjo mundësi? Dhe në këtë pikë ndoshta duhet zgjeruar pak debati e duhet thënë diçka mbi panelin që kishte përballë zoti Rama dhe modelin e tyre të gazetarisë. Pavarësisht respektit që ushqej për të gjithë pjesëmarrësit në panel, mendoj se gjatë debatit në Top Channel, disa prej tyre ndoqën një model gazetarie që më shumë se tek përmbajtja, pra programi dhe alternativat qeverisëse që ofron opozita, fokusohej në vogëlsira të natyrës personale: ti ke thënë këtë e atë në 1990! Fatkeqësisht ky është një model që e hasim rregullisht në debatet politike që shfaqen në mediat tona ku pjesëmarrësit, shpesh, duket se harrojnë që publiku është i interesuar të dëgjojë atë që ka për të thënë i ftuari dhe që roli i panelit është thjesht e vetëm t’i japë një zë këtyre shqetësimeve, pyetjeve apo interesimeve të publikut. Dhe në rastin konkret, personalisht, mendoj se një pjesë e panelit e keqkuptoi rolin që u takonte, e harroi se ishte aty për të bërë pyetjet e për të dëgjuar përgjigjet, e jo për të na penguar të dëgjonim përgjigjet duke shkelur shpesh dhe etikën elementare të një debati publik. Një të ftuari, që për më tepër vjen aty si i zgjedhur i këtij populli, minimalisht nuk mund t’i drejtohesh me “ti” apo me shpërthime të tipit “fole shumë ti!”, vetëm për ta akuzuar më pas se nuk foli sa duhet. Në një situatë të tillë, shpalosja e diçkaje aq serioze sa ç’është programi qeverisës i një partie, nuk është thjesht e pamundur, por dhe e kotë.
* anëtar i G99