E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpallen sot fituesit e "Ardhje"-s

 

Shpallet sot fituesi i konkursit të arteve pamore "Ardhje". Pas një periudhe të ngjeshur kërkimi stafi organizator i TICA-s nën përkujdesjen e Edi Mukës dhe Joa Ljungberg-ut, organizon ekspozitën "Pas çdo agimi, bota nuk është ajo e një dite më parë". Marrin pjesë artistët Enkelejd Zonja, Bevis Fusha, Elsa Martini, Genti Gjikopulli, Leonard Qylafi, Era Tula dhe Heldi Pema. Me një mori qasjesh dhe interesash, artistët e ftuar sjellin copëza poetike meditimi mbi realitetin përqark nesh. Subjektet ngjethëse dhe loja me dritën në fotot e Bevis Fushës, raportet e çuditshme arkitektonike të imazheve dhe shtëpive të Heldi Pemës, kërkimet vetjake të Elsa Martinit, fryma ekzistenciale në fotot e Leonard Qylafit, misteri i pikturave të Enkelejd Zonjës, klithma e heshtur e instalacioneve të Era Tulës dhe videot poetike të Genti Gjikopullit, do ta ftojnë shikuesin në përjetime të reja dhe meditime mbi realitetin e vrullshëm që na rrethon çdo ditë. Ekspozita e Çmimit "Ardhje" do të mbahet njëkohësisht në mjediset e Galerisë së Akademisë së Arteve të Bukura, dhe galerisë "ZETA" në Tiranë. Fituesit do të zgjidhen nga juria ndërkombëtare e përbërë nga Celia Prado, kuratore e Bienales së 5-të të Goteborgut, Roberto Pinto, kurator i pavarur, Milano, dhe Gëzim Qëndro, kritik arti, Tiranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›