Igli Tare: Derbi roman,si sfida Shqipëri-Greqi
Igli Tare, ish-sulmuesi shqiptar i Lacios, ka folur në mediat italiane për derbin që do të luhet të dielën mes Romës dhe La-cios. Drejtori teknik i bardhekaltërve e ka krahasuar këtë takim me një sfidë Shqipëri-Greqi për nga klima e ndeshjes.
De Rosi ka shumë mundësi të mungojë në këtë ndeshje?
Do të jetë një mungesë e rëndësishme për Romën, por gjithsesi, kushdo që zbret në fushë jep maksimumin, ndaj për ne nuk ndryshon ndonjë gjë.
Lacio ka 14 pikë më shumë se Roma, kjo nuk duhet të influencojë apo jo?
Në letër Roma është favoritja për ta fituar ndeshjen. Këtë nuk e them për modesti. Para se të fillonte kampionati, askush nuk fliste për ne. Tani gjërat kanë ndryshuar, sepse kemi marrë rezultatet që meritojmë. Do të jetë një ndeshje e fortë dhe e vështirë dhe ne duhet të jemi të përqendruar.
Lacio shpeshherë ka pasur mundësi të bëjë hapin e madh, por më pas ka dështuar. A është kjo një mundësi e mirë për të treguar se skuadra është solide?
Kjo është e vërtetë. Skuadra është e re, ka shumë talente dhe mendoj se ndeshje të tilla si derbi i shërbejnë asaj për të fituar më tepër eksperiencë. Jemi një skuadër që luan në grup dhe nëpërmjet lojës së bukur mund të shkojmë shumë larg.
Si do të luajë Lacio në këtë ndeshje. Thuhet se De Rosi mund të luajë me tre sulmues, e vërtetë është?
Ka shumë mundësi dhe alternativa. E rëndësishme është që skuadra të japë maksimumin e saj. Megjithatë, unë mendoj se "tredhëmbëshi" në sulm do të ishte një zgjedhje e mirë.
A mendoni se derbi është një ndeshje e veçantë?
Derbi është një kampionat më vete. Ndeshjet derbi kanë gjithnjë një histori më vete. Nuk mjaftojnë vetëm talentet në skuadër, por duhet të luash me zemër dhe me shumë guxim. Unë mendoj se duhet pasur kujdes ndaj një skuadre si Roma, që megjithëse duket "e plagosur", mbetet tejet e rrezikshme. Duhet të hyjmë në fushë si ushtarë.
Do ketë shumë debutues në këtë derbi, apo jo?
Do të ketë shumë lojtarë të Lacios që do ta luajnë për herë në një sfidë Roma-Lacio si Karizo, Zarate dhe Lihtshtajner. Besoj se të gjithë këta lojtarë janë shumë kureshtarë për të përjetuar këtë eksperiencë fantastike. Një ndeshje e tillë të dhuron shumë emocione dhe ata që i përjetojnë ato, mund të quhen të privilegjuar. Unë një ndeshje të tillë e krahasoj shpesh me një ndeshje mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Cili është lojtari për t'u pasur frikë te Roma?
Nëse u referohemi lojtarëve me eksperiencë, unë mendoj se Toti është lojtari më i rëndësishëm i Romës. Mungesa e tij i ka kushtuar shumë skuadrës në fillim të sezonit. E dimë që nuk është në gjendjen e tij më të mirë, por në një ndeshje si kjo karikohen maksimalisht edhe magazinierët dhe jo më lojtarët. Duhet të bëjmë kujdes edhe ndaj Vuçiniçit.
Si drejtues, nëse do të vendosnit bast për një lojtar të Lacios, cilin do të zgjidhnit?
Jam shumë kurioz të shoh se si do të luajë Zarate.