E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në gjithë Shqipërinë, lapidarë me pamje agresive dhe plot ulërima

Nga Gëzim Çelhyka

Në të gjithë këtë monstër shoqëri që kemi krijuar, në gjithë këtë monstër arkitekturë që kemi ekzekutuar, në gjithë këtë monstër pandershmërie, llumi e morali ku jemi zhytur, në gjithë këtë perandori korrupsioni dhe humbje të vlerave, përgjegjësinë e mbajmë të gjithë. Dhe të gjithë duhet t’i japim shuplakë vetvetes. Duhet të shkundemi e të tundemi si në një punëherë ekzorciste. T’i japim një shuplakë vetvetes, asaj pjesës djallëzore, ta izolojmë dhe ta burgosim e taposim në shishen e djallit për të mos e hapur më, dhe të celebrojmë e revizionojmë pjesën e mirë engjëllore brenda vetes. Duke filluar nga maja e piramidës hierarkike e deri te shqiptari më i humbur t’i japë vetes një shuplakë virtuale, një shuplakë ndërgjegjes që të ndalojë dhe të shtypë ato instikte dhe mendime djallëzore. Duhet t’i japin një shuplakë vetvetes (po qe për mua, politikanët le t’i japin dhe një grusht vetvetes se do t’i bënte mirë. Politika duhet të komunikojë me gjuhën e së vërtetës dhe jo të gënjeshtrës. Politika është ajo që mban peshën, vendos dhe mban ekulibrin moral të shoqërisë. Politika është ajo që vendos urat e komunikimit, që orienton dhe kompozon jetën e gjithë shoqërisë. E vërteta është një term filozofik që i ka fillimin me historinë njerëzore, por që ka një peshë dhe influencë të padiskutueshme në të tashmen dhe të ardhmen.

E vërteta e vërtetë

ǒështë e vërteta? ǒështë me të vërtetë e vërteta? E vërteta është vlerësuar që në kohët antike si diçka e pavarur nga ajo që njerëzit e njohin, u pëlqen apo s’u pëlqen si diçka ndërmjet absolutes dhe relatives. Nuk dua të kullos në parcelat e filozofëve e akademikëve, (po në fund të fundit të kullos, s’e kanë me tapi dhe hipotekë, janë parcela që u takojnë të gjithëve.) Po retorika e së vërtetës që pjell pyetje të tjera dhe retorikë tjetër që nga koha e Pilatit dhe sekteve intrigante të Jeruzalemit; kush e kryqëzoi Krishtin?!! E vërteta është që Jezusi u kryqëzua. E vërteta është që kanë kaluar mbi dy mijë vjet dhe Pilati nuk i lan duart nga historia e kryqëzimit. E vërteta nuk është qëllim në vetvete i njeriut, thonë filozofët, por është për t’i shërbyer që ai të orientohet duke kompozuar jetën e tij. Ky është definicioni i filozofëve për të vërtetën. Mrekulli! Bukur fort! Le ta ngjyros penën e shkrimit tim në një orientim të tillë filozofik. Pra, e vërteta është çelësi dhe rezultat i komunikimit në shoqëri. Rëndësia, pesha e së vërtetës përcakton të ardhmen, përcakton arkitekturën tonë sociale, përcakton rrugëtimin tonë. Shkencëtarë, filozofë, studiues, sociologë, teologë, kriminalistë, pra, njerëzit me kopetentë bëjnë në kohën tonë rikonstruktionin e vrasjes së personazhit biblik, bijve të Adamit dhe Evës, pra, Kainit dhe Abelit. Për të zbërthyer enigmën, motivin e vrasjes që çuditërisht tregohet në mënyrë të mjegulluar dhe të pasaktësuar në kapitullin e parë të Biblës, pra kur vëllai vret të vëllanë, Kaini vret Abelin..! Argumentimet, hamendësimet janë të gjitha hipotetike, meqenëse, sepse, sikurse, në qoftë se, po sikur, ndoshta.... e vrau për çështje dashurie, incesti, xhelozie, indetiteti, apo për çështje kulture, e të tjera enigma dhe pikëpyetje? Interpretimet janë nga më të ndryshmet dhe një nga këto është dhe interpretimi i teologut gjerman Reimer Gronwmeyer ku në librin e tij “DAS BLUT DEINES BRUDERS“ (Gjaku i vëllait tënd) shkruan që vrasja është kryer për arsye kulture. Preludi i kulturës filloi me gjak, me gjakun e të vëllait, ku vëllai vret të vëllanë. Altari celebrohet me gjak dhe ky është preludi i një kulture dhune. Nga latinishtja fjala kulturë do të thotë bujqësi, pra fshatari vrau qytetarin, sepse Abeli është përfaqësues i industrisë, i mishit, i bulmetit, i përpunimit të lëkurës dhe i novacionit i së resë. E përkthyer ndryshe e vjetra vrau të renë. Pra, kemi të bëjmë me përplasje kulturash, e cila doli në dritë me vrasjen që bëri Kaini. Do të perifrazoj pjesë pa i bërë asnjë koment fjalës që diktatori Ramiz Alia ka mbajtur në Byronë Politike të KQPPSH: “Shqipërinë do ta gëzojmë ne dhe fëmijët tanë. Nëse do të ndodhë që do të na marrin pushtetin dhe do të na rrezikojnë, atëherë harram na qoftë, nëse nuk do të dimë t’i mbrojmë fitoret e arritura, qoftë dhe me grykën e pushkës, si dikur, në rininë tonë. Mjerë ata që do të guxojnë të na dalin përpara e të na kundërvihen. Ne Komunistët Reformatorë do të zbatojmë strategjinë tonë në ekonomi, sipas së cilës Kapitalistët dhe Pronarët e ardhshëm në një vend socialist të jemi Ne dhe Njerëzit Tanë. Për këtë kemi derdhur kaq gjak dhe do të derdhim përsëri po të jetë nevoja. “Pra, rëndësia e së vërtetës historike është përcaktuese në kohën e tanishme. Është përcaktuese se na bën atë me të qenësishëm të njohim vetveten dhe të kompozojmë jetën tonë në bazë të kësaj të vërtete, të dimë të vendosim komunikimin tonë ndërmjet njëri tjetrit.

Historia e fabrikuar

Historia njerëzore është e mbushur plot me ngjarje ku e vërteta është manipuluar nga politikanët dhe shoqëria është orientuar dhe ka kompozuar jetën e saj në bazë të kësaj të vërtete të fabrikuar, në bazë të kësaj gënjeshtre të shitur për të vërtetë. Raste të tilla se si e kompozuan njerëzit jetën e tyre dhe si orientohen ata me të vërtetën e gënjeshtër, apo gënjeshtrën si të vërtetë mjafton të përmendim rastin e gjermanisë naziste. Injektimi, dhuna e propagandës, shitja e gënjeshtrave si induligjenca të së vërtetës bënë që e gjithë Gjermania të bëhej ortakë me Djallin, me Hitlerin, në krimet shfarosëse, duke jetuar të “vërtetën“ e supermacisë së racës ariane mbi racat e tjera, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në bazë të atij realiteti, në bazë të asaj të “vërtete“ që prodhoi politika dhe dhuna e Hitlerit, populli gjerman u orientua dhe kompozoi jetën e tij. Marrim shembullin e luftës në Irak. Bashkësisë ndërkombëtare dhe popullit amerikan ju servir nga politika një gënjeshtër si një e vërtetë, dhe në bazë të kësaj u orientua dhe u kompozua morali i luftës. Shembullin më të mirë e kemi përjetuar dhe e përjetojmë vetë ne shqiptarët. E vërteta është që në rrugëtuam e rrugëtojmë në llahtari si në tablonë e Pjetër Bruegelit “Parada e njerëzve të verbër“. E vërteta e gënjeshtër apo gënjeshtra e vërtetë dhe në bazë të kësaj të vërtete të gënjeshtër apo gënjeshtare të vërtetë në kompozuam jetën tonë. Jetën tonë monstër. Jetës sonë që i mungonte ajo më e qenësishmja komunikimi i vërtetë apo e vërteta komunikuese, shpirti e natyrshmëria. U droguam dhe u helmuam në bazë të një projekti absurd për të krijuar njeriun e ri të Partisë. Jetuam dhe kompozuam absurditetin brenda vetes sonë për afro 50 vjet. Të kompozosh jetën tënde dhe si të orientohesh nga e vërteta e vërtetë do të thotë të njohësh peshën e padiskutueshme të historisë dhe vërtetësinë e saj, dhe në bazë të saj të komunikojmë ndërmjet vendit. A e njohin shqiptarët historinë e tyre? A jemi në të rrethuar nga monumentet dhe butafori politike fallco? A nuk rrugëtojmë në mjegull si shoqëri nga që e kemi orientuar e kompozuar jetën tonë mbi të pavërteta dhe forma jonë e komunikimit është gënjeshtra? A është kjo detyrë në formën me sipërore të urdhërores duhet, duhet dhe përsëri duhet, e filozofëve, akademikëve, mediave e politikanëve dhe të gjithë intelektualëve që të thonë të vërtetën? Po. Po, dhe një po të madhe dhe do të doja që po-ja e së vërtetës, jo vetëm të shkruhej po të dalë nga shkrimi në formë relievi që të lexohej (ndjehej) dhe nga të verbërit. Le të mos shkojmë më thellë në histori po të marrim vetëm kohën e Luftës së Dytë Botërore. Kopetentët tanë, Akademia e Shkencave këto koka të shquara të mendimit dhe filozofisë, kjo busull dhe bibliotekë e vlerave universale të moralit e urtësisë që me filozofët, akademikët e historianët e saj, ka zgjidhur dhe dhënë zgjidhje gjithmonë për problemet sociale, etike, dhe që ka provuar kreativitetin dhe jo shterpësinë. Duhet, duhet dhe përsëri duhet të shkruajnë historinë e Shqipërisë ashtu siç është, ashtu siç ka ndodhur, të vërtetën dhe në bazë të kësaj të vërtete të kompozojmë të ardhmen. Por ne jemi të rrethuar nga monumente dhe butafori politike fallco. Po. Në të gjithë Shqipërinë klonime lapidarësh e heronjsh me nofulla të hekurta, me rrezatime agresive dhe plot ulërima. Dymbëdhjetë metra lapidar me bazoreliev në Kavajë për një demostratë fantazmë të bukës, vetëm e vetëm që ne ta kompozonim jetën tonë në paqe dhe nënështrim edhe pse buka nuk i ka munguar asnjëherë Kavajës. Ku dihet që Kavaja dhe gjithë treva e Shqipërisë së mesme është pjesa më pjellore dhe si ka munguar asnjëherë bereqeti. Mjafton të përmendim dhunën monumentale të bunkerëve. Po dhe e vërteta tjetër ishte që diktatura oruvelliane i kishte mbyllur të gjitha shtigjet e së vërtetës së vërtetë ku e gjithë jeta, skenografia dhe butaforia reale që jetonim ishte falsifikuar dhe e mitizuar për të përjetësuar diktatorin. Po. Ne rrugëtojmë në histori në mënyrë të llahtarshme dhe e kemi kompozuar jetën tonë mbi gënjeshtra. Në nuk dimë dhe nuk kemi respekt për viktimat dhe heronjtë e vërtetë. Ne nuk jemi të qartësuar për historinë tonë se politika investon me ndërgjegje në hipotekën e Djallit. Mospranimi i krimeve të kohës së luftës e i gjithë historisë të luftës të heshtur civile ku shqiptari vrau shqiptarin. Mos distancimi dhe mos pastrimi i Partisë nga komunistë agresivë që rrezatojnë jo vetëm fizikisht të keqen, po të mbushur me një gjuhë bubullime, vetëtime, patetike, agresive komuniste nga që janë trashëgimtarë direkt të diktaturës. Mjafton të përmendim gjuhën që përdoret kur dalin në konferenca shtypi ku nuk janë fjalë të urti apo intelektuali, po janë patetizëm komunist, nostalgji diktature e thënë plot skërmitje dhëmbësh: “Mos luani me zjarrin se do të digjeni brenda“. Flasin me ndërgjegje apo nga subkoshienca e trashëgimisë komuniste, fjalët e tyre të “Vërteta“ shtrigojnë dhe helmojnë me alkiminë e të pavërtetës bëjnë që të orientojë dhe kompozojë jetën një pjesë e shoqërisë shqiptare. Shembulli më i mirë është kompozimi plot urrejtje i jetës sonë, është zjarri i militantizmit që mbajnë të ndezur partitë. Shembulli më i mirë janë strukturat mafioze të mafias të zhytur në politikë apo politikës në mafia. Po. Shembulli më i mirë na vjen nga Europa e viteve 1984. George Orwell-i ose me saktë me emrin e tij të vërtetë Eric Blair dhe romanin e tij gjenial, profetik “1984“. Roman i shkruar në vitin 1948. Orwelli ky gjeni profetik, ky mjeshtër i Scienw-fiction, ky profet që përshkruan kohën e frikës, tiranisë, shtypjes, terrorit e horrorit të urrejtjes, trushplarjes, fabrikimit të gënjeshtrës për të vërtetë, dhe orgjisë së dhunës të pushtetit të Shtetit. Ky gjeni që është një nga shkrimtarët më të lexuarit e shekullit 20-të ku për nder të tij në të gjithë Europën viti 1984 është quajtur viti Orwellian ose count down Orwellian. Orwelli ka kohë që nuk është me literaturë shkruajnë profesionistët, por një realitet i zhvillimit teknik, një realitet prozaik social. Në bazë të këtij realiteti, në bazë të kësaj të vërtete “Big Brother is watching you“ u orientuan dhe kompozuan jetën të gjithëve. Kur them të gjithë nuk përjashtohet dhe Kancelari i Gjermanisë Helmut Kohl, i cili në kujtimet e tregimet e tij përmend faktin që shumë herë nuk telefononte nga zyra për problemet radikale e të formateve të një peshe e rëndësie të madhe. Kur them të një rëndësie të madhe them të një rëndësie monumentale si bashkimi i dy Gjermanive. Dhe ai maja e piramidës Helmut Kohli telefononte nga telefonat e rrugës e të rrugicave që të mos përgjohej. Në kohën Orwelliane titani i letrave shqipe shkruan “Pallatin e Endërrave“ që është një kryevepër e kadarejane. Shkruan për “Big Brother“-rin shqiptar të diktaturës syri dhe veshi i të cilit ishin deri të ëndërrat tona. Po ne nuk na u tha e vërteta që të jetonim koherencën që të kompozonim jetën tonë dhe të orientoheshim në realitetin që jetonim. Ne jetonim gjithmonë në gjendje lufte dhe të rrethuar nga armiq vetëm e vetëm që diktatura të jetonte. Të jetonte në Olimp dhe të nderohej si Zot. Dhe ne e kompozuam jetën tonë në formën më të skllavëruar. “Lufta është babai i të gjitha gjërave, i të gjitha gjërave Mbret. Ku një pjesë i ngre në Olimp dhe i bën zotër, dhe pjesën tjetër i bën skllevër. “Herakliti 500 vjet para Krishtit. Dhe ne kompozuam jetën tonë si skllevër dhe Zot ishte Diktatori. Me një trashëgimi dhe një komunikim të bazuar në një gënjeshtër si të vërtetë apo një të vërtete të gënjeshtër dolëm të sakatuar si shoqëri nga diktatura.

Dolëm nga diktatura me trauma dhe humbje të vlerave

E vërteta e së vërtetës është që dolëm nga diktatura me trauma depresioni dhe humbje të mëdha të vlerave. Vetëm për hir të së vërtetës duhet të citojmë Profesor Doktor Alfred Fritz rektor i universitëtit “Sigmund Frojd“ në Vienë dhe themeluesit të Këshillit Botëror të psikoterapisë, i cili konstatonte mbas viteve nëntëdhjetë se: “Shqiptarët janë një ndër popujt me çrregullime psikologjike në të gjithë Europën. Përgjegjës për këtë eshtë regjimi komunist dhe kalimi i veshtirë në demokraci. “Afro gjysmë shekulli diktature dhe na u la truri nga propaganda dhe ne u ushqyem me të “vërtetën“ dhe kompozuam jetën tonë në bazë të kësaj të “vërtete“. Të vërtetës së Djallit ku çdo gjë udhëhiqej nga lufta e klasave. Ku si gjuajtëm një herë vetes një shuplakë nga që na kishte pushtuar Djalli, e keqja brenda vetes, ajo pjesë errësire djallëzore, monstruoze, intolerante dhe çdo gjë ta luftonim dhe e luftuam me urrejtje. Po sot në ditët tona? E vërteta në ditët tona gjendet dhe mbulohet në një xhungël anëstezie që prodhon politika si të “vërtetën e vërtetë“-Gënjeshtrën. E vërteta është që akoma trashëgojmë dinozaurët e politikës diktatoriale, koshiencën dhe subkoshiencën e të qenit në Olimp, e të qenit Zot. E vërteta është që të gjitha klasat politike prodhojnë nga kuzhina vetëm alkimi anestezike për ta çorientuar dhe për të vendosur komunikim të tillë ku në ta kompozojmë jetën tonë në formën që e kompozuam duke humbur të gjithë kursimet tona në piramida finaciare. E vërteta është që titujt të cilët ne i dëgjojmë dhe i lexojmë nga mëngjezi në darkë për nëntëmbedhjetë vjet janë fjalët: Korrupsion, Rryfshet, Tradhëti, Konto, Para, Gërdec, Intriga, Mafie, Vrasje, Mbytje, Therje, Varje, Nëntëdhjetë e shtatë, Kontrabadë, Trafik njerezor, Luftë civile, Piramida, Armë, Kurvërime, Toka, Hipotekë, Zgjedhje, Pusira, Gjakmarrje, Atentate, Vjedhje, Kalimash e plot e plot të tjera. Shto këtu; përshkrime dhe ofendime pa etikë dhe doganë të demonizimit të kundështarit politik që na shoqërojnë nga mëngjesi në mbrëmje. E vërteta është që në nëntëdhjetë e shtatën ishim në prag të një lufte civile. E vërteta është që Gërdeci shkaktoi 26 viktima, rrafshoi shtëpi, helmoi tokën dhe zemrat e njerëzve. E vërteta është që krimi nuk ndëshkohet.??!!! Dhe e vërteta është si do ta organizoj unë jetën time në këtë xhungël gënjeshtrash që prodhon politika? Kur them unë si do ta kompozojë i gjithë populli jetën e tij? Do t’i nënshtrohemi duke ju bashkuar korit të të shtriguarëve të militantëve të Djathtë apo të Majtë? Apo do të orientohemi duke kompozuar jetën pa pasur ideale dhe duke ju bashkuar korit amoral kaotik “merrja Qenit, pija Qenit, bjeri karagjyzenit“? Apo do ta ndërtoj çdo gjë si në sentencën kanibale “Jeta ime, vdekja jote“. Apo do të vaxhdojmë të udhëhiqemi nga instikte urrejtjeje sipas devizës: “Një herë ta hypa, një herë ma hype“. Apo do të tregoj kurajo civile duke treguar vlera dhe të investojë për të vërtetën që ka vlera dhe të vete izolohem si një asket në këtë zhungël imorale dhe amorale? Shoqëria shqiptare të patentizon e definon menjëherë idiot, budalla, psikopat, koqe kandari e plot e plot nofka të tjera ofenduese po të mbash qëndrim si qytetare europian i mijëvjeçarit të tretë.

(Mjafton të lexosh shkrime shumë të bukura kritike të opinionistëve dhe komentët idiote skandaloze dhe ofenduese të lexuesve në faqet e internetit që ka të bëjë me indititetin dhe si e kanë kompozuar moralin dhe jetën ata (komentuesit). Krimi i orientuar e i kompozuar në jetën e politikanëve, si një e vërtetë, apo politika e orientuar dhe e kompozuar në krim po si e një vërtetë? (Mjafton një klik në internet me tekstin (albanische mafia) dhe bombardohesh nga faqe të pafundme. Ja vlen të lexohen raportet e shkrimet e ekspertit të mafias Jurgen Roth ku do të gjeni koka të politikës shqiptare dhe lidhjet e tyre me krimin). Slogani me jetëgjatë në Gjermani dhe në Europë është slogani: “Jeto dhe lër të tjerët të jetojnë. “Dhe Gjermania i dha një shuplakë vetvetes u ul në gjunjë dhe pranoi krimin. Dënoj djallëzoren dhe revizionojë engjëlloren brenda saj. Nisi një epokë të re duke mos harruar historinë. U nda me të keqen. Slogani nga e cila udhëhiqet tani e gjithë Europa është: “Kreativiteti është energjia e së ardhmes“. Po a ka kreativitet në Shqipëri? Sigurisht që ka! Shqipëria, shqiptarët janë krijesat të provuara që kanë një fuqi vitale titanike kreative. Po duhet ti ndajmë kreativitetin e shoqërisë (individit) si një kreativitet vital dhe kreativitetin e shtetit gjithashtu vital, po në anën dhe fuqinë e Djallit, me kreativitetin e Djallit. Shteti shqiptar e trashëgoi këtë virus dhe sëmundje kreative ku për çdo gjë e dinte Partia dhe udhëheqësi. Kreativiteti monumental i udhëheqësve qeveritare është fakti jo vetëm bunkeret e diktaturës, jo vetëm arkitektura e ferrit e ekzekutuar në të gjithë Shqipërinë mbas diktaturës, por zgjyra e skërbythja e moralit tonë. Nga kush pritet kreativiteti? Sigurisht nga të gjithë po me shumë nga njerëzit intelektuale dhe politika! A është politikani ynë kreativ? Sigurisht që po! Në vitin 1993 kryetari i Partisë Socialiste Pierre Beregevoi mbyti vetën. Mbyti vetën së në zgjedhjet e kohës socialistet Franceze pësuan humbje të thellë. Ja vlen të theksohet që mbyti vetën me 1maj. Në vitin 1997 Shqipëria provoi shijen e luftës civile. Në vitin 2008 vdiqën 26 viktimat e Gërdecit. Shijen e luftës civile, dhe viktimat e Gërdecit jo vetëvrasje po asnjë dorëheqje nga politika nuk pati nga politikanët. (E detajoi dorëheqje jo nga ekzekutivi, po politika). Të gjithë udhëheqësit europianë pa përjashtim sapo kanë humbur zgjedhjet kanë dhenë dorëheqjen si udhëheqës, dhe të shumtit janë larguar nga politika. Nuk ka nevojë për emra së thashë të gjithë. Ministri i mbrojtjes së Gjermanisë Rudolf Scharping dha dorëheqjen vetëm për një biletë avioni, që ju dhurua për arsye publiciteti. Ministri i mbrojtjes Fatmir Mediu padit prokurorinë në gjykatë. Kulmi i ulërimës dhe kreativitetit i nxitur nga slogani “Jeto dhe nxija jetën të tjerëve.“ ose “Vdekja jote, jeta ime.“ Mirsevini në Perandorinë dhe Simfoninë e kreativitetit djallëzor. “Dy shqiptarë tre konakë“, sentencë e nxjerrë nga realiteti “kreativ“ shqiptar. I vetmi shtet në këtë planet që është i rrethuar nga të tre anët e kufirit tokësor me shqiptarë. Citati famëkeq i nxjerrë nga fqinjë i jonë jugor “Dy shqiptarë tre konakë“ me keqardhje dhe dhimbje por sikur na shkon. E gjithë jeta jonë është e tillë e kompozuar që një konak në mes të jetë bosh nga që nuk merremi vesh me njëri tjetrin. Dy përfaqësuesit më të mëdhenjë të letrave shqipe Ismail Kadare nga njëra anë dhe Rexhep Qosja nga ana tjetër. A nuk duan këta një konak në mes që të jetë bosh se nuk mirren vesh? Mjafton të përmendim “bisedën“ ose me saktë komunikimin ndërmjet Bamir Topit me Gramoz Ruçit ku në mes qëndrote Europa dhe përkthente dy shqiptarë!!! Delegacionet e ndara e të padenja në vdekjen Papës, evenimentët kombëtare e ndërkombëtare, datat historike, ceremonitë, mitingjet, koncertet e plot e plot raste që bëjnë e përbejnë jetën tonë, një dualitet e polaritet që po kthehet dhe po bëhet mitologjik. Kanditimi për Presidenti i shqiptarëve të Maqedonisë. Vetëm normalitet jo. Kurora lavdie dhe defenicione të arta për zgjedhjen e Presidenteve, Prokurores, Ministrave e individëve e bashkëpuntorëve dhe jo me pak së një muaj kohë, jargë zemërimi, zgjyrë dhe fjalor patetike. Plot 85 për qind e çështjeve që ndiqen nga prokuroria kthehen mbrapsht nga Gjykata e Apelit duke sjellë dështim të prokurorisë, në luftën kundër krimit. Haleluja. Haleluja. Vëllezër që vriten për një gjethe Hurme. Zgjyrë dhe skërbythje morale, jargë urrejtje, sharje me libër shtëpie dhe dalje përpara shqiptarëve me shtrëngim duarsh. Kryeministri 1 apo Kryeministri 2 apo anasjelltas që çuditërisht ngjajnë jo vetëm fizikisht po edhe në gjithë rolin kryesor të gjithë kësaj katrahure dramatike dhe jo komedike, si manaxhues të kaosit dhe rrumpallës. Pra, ngjajnë me vepra dhe jo vetëm ta kujtojnë fizikisht Stan Laurelin dhe Oliver Hardyin. Tamam i “Holli me të Trashin,,. Kryetar i hipnotizuar i opozitës që jeton në qiellin e shtatë duket sikur është arratisur nga afreskat nudistë të Michelangelo-s, të Cappella Sixtina-s, pra nga “gjygji i madh,,. Rrëmini me epsh në jetën e kundërshtarit dhe marrje peng, manipulimi dhe nënshtrimi i së vërtetës sipas sentencës: “Po me shitë ti të shita dhe unë. Po më dole ti, të dola dhe unë. Po me mbajte ti, të mbaj dhe unë.“ e thënë me zhargonin e kohës tingëllon më bukur: Ma t´maj. Dil t´dal. I herë ta hypa, i herë ma hype,,. Në bazë të këtij realiteti të kësaj të vëtete ne kemi kompozuar dhe kompozojmë jetën tonë. Jetën tonë ku krimi dhe dhuna përjetojnë rilindjen plot lavdi. Ku gjakmarrja bën kërdinë, ku mbytjet, vetëmbytjet, vrasjet, vetëvrasjet, vetëdjegiet, vetëhelmimet, aksidentet rrugore, gënjeshtra, korrupsioni janë kthyer në natyrshmëri e normalitet. Ashtu si në të gjithë historinë njerëzore nuk ka luftë brezash, po ka luftë kulturash. Të gjithë luftrat e historisë njerëzore janë bërë në emër të kulturës. Në emër të një kulture të re që po lindte Abrahami ky pasardhes i Kainit i vuri thikën në fyt djalit të tij Isakut, (Makabraritetet dhe horrori i paimagjinushëm) gjersa zoti i pruri Delen. Dhe sot e kësaj dite kasapëria dhe prerja e fytit të Qingjave dhe Dashëve është rituali më i dashur i besimtarëve. Në emër të kulturës Iislamike, në emër të kulturës së krishterë u zhduken qytëterime, në emër të Kultures u dogjën me miliona njerëz në krematariume në Luftën e Dytë Botërore. Pra në emër të kulturës mbi 2000 mijë vjeçare vazhdon edhe sot e kësaj dite lufta izraelite palestineze edhe pse është e vërtetuar shkencërisht që i përkasin një populli e një geni. Në emër të përplasjeve të kulturës u shpërbë Jugosllavia. Dhe po në emër të kulturës një komb një kulturë do bashkohen të gjithë shqipëtarët. Qeveria të tregojë kreativitet. Të tregojnë kreativitet dhe jo të bëjnë politikë amok duke i nxjerrë sytë njëri-tjetrit. Të tregohen kreativë dhe të bëjnë projekte me definicionin një Kulturë, një Komb. Nuk ka luftë brezash, po ka vetëm luftë kulturash. Në emër të kulturës komuniste Enver Hoxha udhëhoqi një luftë civile duke mbytur me gjak shqiptari shqiptarin. Fundamenti mbi të cilën janë ngritur partitë tona është Komunizmi. Strategjia e diktatorit Ramiz Alia: “Pasuria e tyre na përket neve, se ne e bëmë. Ne kemi kuadro sa për shtatë komitete qendrore, ndaj nuk ka asnjë arsye që të kemi frikë... Të sekuestruarëve dhe të shpronësuarëve, do t’u japim nga një letër në dorë, që “t’u njihet prona“ po asnjëherë nuk do t’ua japin Pronën e Tyre, dhe në forma të ndryshme do t’i ngatërrojmë me njëri tjetrin... Të burgosurit dhe të persekutuarit janë të moshuar, nuk kanë fuqi dhe janë të parrezikshëm. ...“Është vënë në jetë, ai i ka pjellë të gjitha partitë dhe komunistët dirigjojnë akoma orkestrën e jetës në Shqipëri. E vjetra ose më saktë kultura e pamposhtur e ushtrisë së mediokrëve e armatosur me diploma part time dhe plot tituj akademikë të pamerituar si: Profesor, Doktor e plot poste të pa meritueshme e ndihmuar nga lëvizjet demografike në përgjithësi dhe fshatari shqiptar në veçanti që është monument i së vjetrës, që shquhen për një defiçit orientues në të renë e të vërtetën, mungesa e kompatibilitetit të shoqërisë për të mbajtur qëndrim qytetar dhe mungesa e guximit të kurajës civile. Alkimia e shpifur, pozitë opozitë që prodhon gënjeshtra, varfëria, krimi dhe problemet sociale, arkitektura fizike që ndikon në subkoshincën tonë zhvirgjërimi i dhunshëm i natyrës, nënshtrimi për të mbijetuar, militantizëm agresiv, dhe në fund i gjithë ky konglomerat konstelacioni i dalë nga kuxhina e djallit ku të gjithë jemi të detyryar ta përtypim e ta hamë. Gënjeshtra monumentale që shiten për të vërteta. Të gjitha këto na bëjnë një shoqëri me një moral të kompromentuar dhe jo kompatibile dhe apatike për mijëvjeçarin në të cilin jetojmë. I gjithë ky kompozim është muzikë për ato që duan të sundojnë, për mediokrit, që të mos humbin privilegjet, dhe në të orientojmë jetën tonë në mjegull, errësirë dhe llahtari. Në jetën tonë në kemi nevoje për shpresë. Po jo shpresë nga perandoria utopike e premtimeve. Në kemi nevojë për njerëz që të ecin kundër rrymës, që të na trimërojnë dhe të na japin shpresë. “E ardhmja i përket atyre, qe gjeneratës së ardhshme i japin një shpresë“ (Pierre Twilhard de Chardin)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›