KE dhe OSBE, kritika qeverisë për miratimin e Kodit Zgjedhor
Drejtori për Zgjerimin në Komisionin Europian, Dirk Lange, së bashku me ambasadorin e OSBE-së në Shqipëri, Bosh, kanë kritikuar vonesat në miratimin e Kodit Zgjedhor. Ata kanë bërë thirrje që politika shqiptare të përgatisë infrastrukturën ligjore për procesin e ardhshëm zgjedhor shumë kohë para zhvillimit të zgjedhjeve. Të dy përfaqësuesit e organizmave të rëndësishëm ndërkombëtarë e kanë mbajtur një deklaratë të tillë gjatë një vizite në zyrën e gjendjes civile në Bashkinë e Vorës, ku kanë monitoruar ecurinë e regjistrit elektronik. “Një nga arsyet që unë jam sot këtu është që Shqipëria të ketë një regjistër civil të saktë dhe të garantojë pajisjen e qytetarëve me dokumente identiteti shumë kohë para zgjedhjeve. Për fat të keq vëren vonesa në miratimin e legjislacionit për zgjedhjet”, - është shprehur Lange. Ndërsa Bosh ka kritikuar draftin, i cili po diskutohet në Kuvend, për mungesën e garancisë për përfshirjen e zonjave në Parlamentin e ardhshëm. Ndërsa kanë bërë një vizitë në zonën ku ndodhi tragjedia e Gërdecit, ambasadorët bënë të ditur se Komisioni Europian po sheh mundësinë e dhënies së ndihmës financiare banorëve të prekur nga kjo tragjedi. “Ne jemi të përkushtuar për këta njerëz që vuajtën nga ky shpërthim. Po shohim mundësinë e përdorimit të financave në ndihmë të banorëve”, - është shprehur Lange, ndërsa garantoi se kjo tragjedi nuk do të ndikojë në procesin integrues të Shqipërisë në BE. Përsa i përket luftës kundër korrupsionit, drejtori për Zgjerimin në BE, Lange, u shpreh se vendi ka bërë hapa përpara, por sërish mbetet një fenomen që duhet të luftohet. “Shqipëria ka bërë hapa përpara në luftën kundër korrupsionit. Ne po e shohim këtë çështje. Ka raporte pozitive si ai i ‘Transparency International’. Por ne mendojmë se korrupsioni mbetet një fenomen që duhet luftuar”, - është shprehur Lange.
USAID-i kërkon forcimin e institucioneve të pavarura në Shqipëri
Drejtoresha e USAID-it, Roberta Mahonei, gjatë një takimi të zhvilluar dje me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, ka vënë theksin në domosdoshmërinë e forcimit të shtetit ligjor dhe institucioneve të pavarura në Shqipëri. Një deklaratë e tillë vjen në mes të një debati të politikës shqiptare për reformën në Drejtësi dhe garantimin e pavarësisë së institucioneve. “Është e rëndësishme për një vend demokratik e aspirues për të qenë anëtar i familjes euroatlantike, konsolidimi i shtetit të së drejtës, ruajtja dhe forcimi i institucioneve të pavarura, lufta kundër korrupsionit dhe një sistem drejtësie i pavarur, i shëndoshë dhe i barabartë për të gjithë”, - është shprehur Mahonei. Gjatë takimit me kreun e shtetit Topi, Mahonei shoqërohej dhe nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Xhon Uidhers. Presidenti Topi, nga ana e tij, nënvizoi interesimin e shtetit shqiptar për vijimin e projekteve të zhvillimit që USAID-i ka ndërmarrë në vendin tonë, të cilat i shërbejnë përparimit të mëtejshëm të Shqipërisë edhe në drejtim të përmbushjes së standardeve të integrimit të saj euroatlantik.
4 Tetor 2008