E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndoka: “Berisha, alibi për shkeljen e marrëveshjes me PDK-në”



Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit Berisha, i cili deklaroi gjatë një emisioni televiziv se mënjanimi i PDK-së nga qeverisja e koalicionit erdhi për shkak të një problemi ligjor brenda saj. Ndoka e ka cilësuar këtë një provokim politik e institucional ndaj PDK-së. “Maxhoranca dhe PD-ja është njohur zyrtarisht me vendimin e institucionit të Prokurorisë për ndjekje penale për falsifikim të një zëvendësministri dhe nëse ajo ka respekt për shtetin ligjor, do të duhej që veprim të parë të kishte shkarkimin e këtij personi, për t’i dhënë mundësi drejtësisë të veprojë pa presione politike”, - është shprehur Ndoka, ndërsa ka shprehur keqardhje që kreu i qeverisë nuk ka respektuar marrëveshjen me PDK-në. “PDK-ja shpreh keqardhjen që kryeministri nuk zbaton marrëveshjen e nënshkruar midis meje si kryetar i saj dhe atij si kryetar i PD-së për bashkëqeverisje dhe detyrime reciproke. Gjatë qëndrimit tim njëvjeçar në krye të Ministrisë së Shëndetësisë unë i kam respektuar tërësisht detyrimet e marrëveshjes dhe se në çdo votim parlamentar, votim politik apo zgjedhje lokale PDK-ja ka qenë në krah të maxhorancës dhe të PD-së si aleati kryesor. Pra nuk jemi ne që nuk respektojmë marrëveshje, por është PD-ja që përdor deputetët dhe Ekzekutivin për një fushatë largimi e denigrimi kundër PDK-së”, - është shprehur Ndoka.

4 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›