E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbardhet skema e zgjedhjes së kryetarëve të PD-së

Sekretari Organizativ, Flamur Noka, sqaron procedurat e reja. Fushata zgjedhore, 12 grupet e punës janë shpërndarë në qarqe

Eljona Ballhysa
Sekretari Organizativ i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka zbardhur për gazetën “Albania” procedurën që do të ndiqet nga kjo parti për të zgjedhur 38 kryetarët e degëve të PD-së në të gjithë Shqipërinë. Noka gjithashtu ka bërë të ditur se tashmë ka nisur fushata zgjedhore në parti dhe 12 grupet e punës, të miratuara prej kohësh nga Kryesia e PD-së, janë shpërndarë në rrethe. Puna e tyre është organizimi i strukturave në bazë të ndryshimeve të fundit statutore dhe përgatitja për zgjedhjen e drejtuesve të seksioneve, grupseksioneve dhe në fund të kryetarëve të degëve. I gjithë ky proces është parashikuar që të përfundojë brenda 3-4 muajve, duke i paraprirë në këtë mënyrë fillimit të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Në përfundim të këtij procesi zgjedhor, në pranverë të vitit të ardhshëm PD-ja do të mbledhë Kuvendin Kombëtar.
Procedura
Sipas Nokës, me ndryshimet në statutin e PD-së, ku Kryesia miratoi shkrirjen e nëndegëve, tashmë kryetarët e degëve do të zgjidhen sipas variantit të vjetër të PD-së. Ky variant parashikon që seksionet e partisë dhe grupseksionet të propozojnë emra kandidatësh për kryetarë të degëve. Emrat e kandidatëve merren në shqyrtim nga Kryesia qendrore e Partisë Demokratike. Kjo e fundit, pas diskutimeve dhe verifikimeve, i dërgon sërish grupseksioneve, të cilat janë strukturat e partisë në bazë, emrat e dy ose tre kandidatëve. Më pas mblidhen kryesitë e grupseksioneve, të cilat votojnë midis këtyre kandidaturave që janë propozuar nga Kryesia qendrore e partisë. Pikërisht kjo do të jetë procedura që do të ndiqet për të zgjedhur kryetarin e degës së Tiranës, ku pritet të ketë një “luftë” kandidaturash për shkak të rëndësisë politike që ka ky post në kryeqytet. Një strukturë e re që i shtohet PD-së është dhe qarku. Pikërisht qarku do të drejtohet nga një grup individësh me një koordinator që do të zgjidhet nga strukturat e PD-së.
Grupet
Sipas Nokës, të gjithë deputetët, ministrat dhe dy nënkryetarët e PD-së, janë pjesë e grupeve të punës që kanë filluar tashmë fushatën zgjedhore brenda strukturave të partisë. Kështu, Kryesia e PD-së ka vendosur që deputetët të kryesojnë grupet e punës në zonat e tyre elektorale. Kështu, në Tiranë, grupi i punës do të kryesohet nga Sokol Olldashi, ndërsa në përbërjen e tij do jenë deputetët e Tiranës, por dhe deputetë të tjerë, anëtarë të Kryesisë së PD-së.
Ndryshimet
Vetëm një ditë më parë Kryesia e PD-së vendosi që në kuadër të përshtatjes me ndryshimin e sistemit zgjedhor të shkrijë nëndegët e partisë, të cilat kishin përputhje me zonat elektorale, që në bazë të sistemit maxhoritar ishin 100 në të gjithë Shqipërinë. Ndërsa tani, sipas vendimit më të fundit të Kryesisë, nuk do të funksionojnë më nëndegët, por për çdo qendër votimi do të jetë një seksion i PD-së. Më tej në çdo komunë dhe bashki do të ketë një grup seksionesh. Niveli i tretë do të jetë dega që përputhet më nënprefekturën ose rrethin, që është njësia drejtuese më kryesore territoriale e PD-së. Kurse niveli i katërt do të jetë qarku i cili përputhet me zonën elektorale, pas miratimit të sistemit të ri zgjedhor. Pikërisht qarku do të drejtohet nga një grup individësh dhe një koordinator që do të zgjidhet nga strukturat e PD-së.

Ekipi i PD-së në 12 qarqe
Tiranë (kryetarët e ekipit në 10 nëndegë të kryeqytetit)
Edi Paloka
Majlinda Bregu
Sokol Olldashi
Besnik Mustafaj
Jozefina Topalli
Edmond Spaho
Gent Strazimiri
Aleksandër Biberaj
Aldo Bumçi
Bujar Nishani

Durrës
Gazmend Oketa
Ferdinand Xhaferaj
Ndiçim Babasi

Gjirokastër
Genc Ruli

Korçë
Ridvan Bode
Ilir Rusmali

Kukës, Tropojë
Aleksandër Biberaj
Jemin Gjana

Elbasan
Lulzim Basha
Shkodër

Jozefina Topalli
Vlorë
Bujar Leskaj

Lezhë
Preç Zogaj
Aldo Bumçi

Berat
Ferdinand Poni

Sarandë
Astrit Patozi

Fier
Fatos Beja

4 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›