E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: “Me të rinjtë do të fitojmë zgjedhjet e 2009-s”



Lideri i LSI-së, Ilir Meta, mori pjesë në Konferencën e Lëvizjes Rinore për Integrim në Minibashkinë Nr.7 të Tiranës. Gjatë fjalës së tij në këtë takim, kryetari i LSI—së tha se LSI-ja dhe koalicioni i drejtuar prej saj “E majta për integrim” besojnë në arritjen e fitores së zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009. Meta tha se kjo fitore do të arrihet pikërisht falë mbështetjes së madhe qytetare dhe rinore që LSI-ja ka në të gjithë Shqipërinë. “LSI-ja dhe LRI-ja janë alternativa kryesore që u mbetet qytetarëve shqiptarë, por në mënyrë të veçantë rinisë shqiptare, për të refuzuar një herë e mirë një kastë të re politike dhe ekonomike, që synojnë të krijojnë Rama dhe Berisha me marrëveshjet dhe me aferat e tyre, e cila është në kurriz të shumicës dërrmuese të qytetarëve të Tiranës dhe të gjithë qytetarëve të Shqipërisë, që nga prishja e Kushtetutës e deri edhe te prishja e atyre pak mushkërive të gjelbra që i kanë mbetur kryeqytetit tonë, që dalëngadalë po shkon 1 milion banorë dhe që ka të bëjë edhe me atë pjesë të kryeqytetit ku ju banoni dhe votoni”, - tha kryetari i LSI-së.

G99-a: “Turi i Berishës në vend ndërpret mësimin në shkolla”

Lëvizja “G99” e ka akuzuar kryeministrin Berisha se me turin e tij në vende të ndryshme të vendit është kthyer në pengesë për zhvillimin normal të procesit mësimor në Shqipëri. Zëdhënësja e G99-s, Olta Xhacka, e akuzoi gjithashtu kryeministrin Berisha se po keqpërdor imazhin e fëmijëve. “Sa herë që kryeministri Berisha viziton ndonjë komunë për përurimet e veta elektorale, fëmijët e shkollave të atij fshati apo komune detyrohen të lënë mësimin, të shkëputen nga dita e zakonshme e dije-nxënies dhe të mbushin radhët e turmave që duhet të shërbejnë si sfonde zbukuruese për kryeministrin. Ky fakt i dhimbshëm dhunon ndarjen e domosdoshme të sanksionuar me ligj midis arsimit dhe politikës. Ky nuk është vetëm një abuzim i mirëfilltë me pushtetin, por është një abuzim krejtësisht i patolerueshëm mbi të drejtat e fëmijëve. Fëmijët shqiptarë nuk janë kukullat e Berishës, por pasuria më e brishtë dhe më e çmuar e familjeve tona”, - tha Xhacka.

4 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›