Kriza financiare, kryebankierët e Ballkanit, takim urgjent në Sofje të Bullgarisë
Ervin Koçi
Kriza financiare globale ka mbledhur dje në kryeqytetin bullgar, Sofje, guvernatorët e bankave kombëtare të rajonit të Ballkanit. Burime zyrtare nga Banka e Shqipërisë bënë të ditur për gazetën “Albania” se, gjatë takimit pjesëmarrësit kanë diskutuar mbi krizën financiare dhe ndikimet që ajo mund të shkaktojë në ekonomitë e vendeve të Evropës Juglindore. Sipas të njëjtave burime, “marrja e masave mbrojtëse për sistemet bankare të vendeve të rajonit nga kriza ndërkombëtare, ka qenë në krye të axhendës dhe diskutimeve të këtij takimi të posaçëm”. Takimi është zhvilluar me ftesë të Guvernatorit të Bankës Kombëtare të Bullgarisë, Ivan Iskrov, dhe në të kanë marrë pjesë guvernatorët e Bankës së Shqipërisë, të Bankës Kombëtare të Bullgarisë, të Bankës Qendrore të Bosnje-Hercegovinës, të Bankës Qendrore të Qipros, të Bankës Kombëtare të Republikës së Maqedonisë, të Bankës së Greqisë, të Bankës Qendrore të Malit të Zi, të Bankës Kombëtare të Rumanisë, të Bankës Kombëtare të Serbisë, si dhe drejtuesit e Agjencive Bankare të Bosnje-Hercegovinës dhe të Republikës Serbe.
Pasojat e krizës
Guvernatorët e bankave qendrore të rajonit u shprehën se pasojat e trazirave në tregjet financiare ndërkombëtare, të cilat filluan në vitin 2007 dhe janë intensifikuar gjatë muajve të fundit, kanë pasur deri në këto momente ndikime të tërthorta ose të kufizuara mbi ekonomitë e vendeve të Europës Juglindore. Aktualisht, bankat me prani të lartë në rajon nuk kanë ekspozim të drejtpërdrejtë ndaj tregjeve, që po ndikohen nga kjo krizë. Ekonomitë e vendeve të Europës Juglindore vijojnë të dëshmojnë qëndrueshmëri, rritje të lartë ekonomike dhe rezistencë ndaj mjedisit të përkeqësuar financiar dhe ekonomik në botë. Megjithatë, guvernatorët e bankave qendrore kanë pranuar gjithashtu, praninë e “pasigurive të mëdha” për të ardhmen e ekonomive të vendeve të Europës Juglindore, që rrjedhin nga ngadalësimi i mëtejshëm dhe i mundshëm i normave të rritjes të prodhimit dhe të tregtisë botërore, në rast se kriza financiare globale do të shtrihet në kohë. Në këtë kontekst, guvernatorët theksuan rëndësinë e të pasurit baza të shëndosha financiare dhe ekonomike në rajon. Duke pasur parasysh rritjen dinamike të kredisë në shumë vende të rajonit, autoritetet e tyre mbikëqyrëse po monitorojnë nga afër kushtet e likuiditetit të bankave dhe zhvillimet e kredisë, me qëllim sigurimin e cilësisë së portofolit të kredive të bankave dhe ruajtjen e stabilitetit financiar.
Temat e takimit
Ndër çështjet më të mprehta për diskutim në këtë takim midis guvernatorëve të rajonit ishin:
1. Sa është ndikuar sistemi bankar dhe segmentet tjera të sistemit financiar në ekonominë e vendit përkatës nga zhvillimet e fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Europë? Ju lutemi, diskutoni ndikimet e drejtpërdrejta dhe të tërthorta.
2. Cili do të jetë ndikimi mbi konsumin familjar, investimet e bizneseve dhe mbi rritjen ekonomike? Cila është perspektiva e ekonomisë së vendit tuaj? 3. Ka pasur ndryshime në politikën kredidhënëse dhe financuese të bankave të nivelit të dytë - standarde në kredidhënie, norma interesi mbi depozita dhe kredi?
4. Keni marrë masa në drejtim të likuiditetit, të mbikëqyrjes dhe masa rregullative (duke përfshirë ndryshimet në qëndrimin e politikës monetare)? A parashikoni ju marrjen e masave të tjera?
Qëndrimi i guvernatorëve
Gjatë takimit në Sofje të Bullgarisë guvernatorët e bankave qendrore të rajonit të Ballkanit vendosën që: 1. Krahas shkëmbimit të rregullt të informacionit, të shkëmbehet informacion sasior dhe cilësor mbi zhvillimin e sistemit bankar në vendet e Evropës Juglindore, në bazë vjetore dhe në rastet e tjera kur lind nevoja; 2. Të përgatitet dhe ruhet një listë e mbikëqyrësve bankare të linjës për çdo grup bankar, që operon në vendet e Evropës Juglindore; 3. Të ngrihet një grup i veçantë ekspertësh për “stress-test”-et, të cilët do të kenë për detyrë hartimin e metodologjisë për kryerjen e “stress-test”-eve në nivel grupi bankar, për çdo grup bankar të vendeve të Evropës Juglindore që operon në rajon; 4. Të nxisin më tej funksionimin e kolegjeve të mbikëqyrësve për grupet bankare që operojnë në vendet e Evropës Juglindore, duke u bazuar në modulin e Komitetit të Mbikëqyrësve Bankarë Europianë për marrëveshjet shumëpalëshe, për koordinimin dhe bashkëpunimin ndërmjet mbikëqyrësve brenda dhe jashtë vendit.
Takimi i ardhshëm
Ky takim, u zhvillua në kuadrin e Memorandumit të përbashkët të Mirëkuptimit, i nënshkruar në takimin e zhvilluar në Athinë në muajin korrik të vitit 2007. Ai kishte për qëllim rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit në fushën e mbikëqyrjes bankare në Evropën Juglindore, si dhe ruajtjen e stabilitetit financiar në rajon. Ky është takimi i tretë i zhvilluar midis autoriteteve të mbikëqyrjes bankare të Evropës Juglindore, pas atij të mbajtur në fillim të këtij viti në Selanik. Diskutimet e këtij takimi morën në konsideratë përfundimet e nxjerra nga takimi i drejtuesve të Departamenteve të Mbikëqyrjes Bankare, zhvilluar më datën 2 tetor 2008, në Sofje të Bullgarisë. Në këtë takim u ra dakord që takimi i radhës i guvernatorëve të Europës Juglindore të zhvillohet në muajin shtator të vitit 2009, në Rumani.
4 Tetor 2008