E Shtunë, 31 Tetor 2026

Venger, i zemëruar me penalltinë e Liverpulit

Arsen Venger nuk e ka kapërdirë eliminimin nga Liga e Kampioneve. Tekniku i Arsenalit e ka cilësuar inekzistente penalltinë e akorduar në favor të Liverpulit. Me një 11-metërsh të pastër të mohuar në sfidën e parë, zemërimi i francezit ka qenë edhe më i madh në momentin kur gjyqtari Frojdfeldt ka fërshëllyer një faull brenda zonës së Kolo Ture ndaj Babel, që Xherard e shndërroi në gol nga pika e bardhë. Episodi ndodhi vetëm pak sekonda pas golit të barazimit të përkohshëm 2-2, kur u duk se "topçinjtë" e siguruan kalimin për në gjysmëfinale. Megjithatë, ndeshja e kthimit u mbyll në shifrat 4-2 (pas një tjetër goli të shënuar nga Babel në minutat shtesë), ndërsa rezultati i përgjithshëm i derbit anglez ishte 5-3. Venger deklaroi: "Mendova se ndeshja do të mbyllej në barazim 2-2. Por, gjyqtari akordoi atë penallti inekzistente. E kam parë disa herë ripërsëritjen e atij aksioni dhe e kam shumë të vështirë ta pranoj. Ndiejmë se na është bërë një padrejtësi. Kjo e ka bërë eliminimin nga Champions dy herë më të vështirë për t‘u pranuar. Nëse humbet përballë një skuadre që është më e mirë se ti, këtu nuk do të kishte asnjë problem. Megjithatë, në dy sfidat çerekfinale nuk na është krijuar ideja se Liverpuli qëndron më lartë se ne".

Po aq i zemëruar ka qenë edhe shkaktari i penalltisë, mbrojtësi Kolo Ture. "Arbitri akordoi një faull kundër meje, por unë i isha larguar kundërshtarit tim (Babel) dhe mund të ketë qenë Çesk (Fabregas) ai që e ka penguar. Mbi të gjitha ky episod ka ndodhur jashtë zonës. Gjithsesi, kështu e ka futbolli dhe gjyqtari drejtoi dorën nga pika e penalltisë. Nuk kemi çfarë t‘i bëjmë". Ndërkohë, holandezi Babel deklaroi: "Ata po më mbanin paksa". Pengu kryesor i Venger mbetet gjyqtari holandez, Pietër Vink, që javën e kaluar nuk akordoi një penallti kundër Dirk Kajt, pasi sulmuesi frenoi në mënyrë të parregullt bjellorusin Aleksandër Hleb. "Ajo në ‘Anfilld‘ nuk ishte penallti, i kam parë disa herë pamjet filmike. Përkundrazi, mund të them se javën e kaluar neve na është mohuar një 11-metërsh i pastër, vazhdoi Venger. Ajo ishte penallti, jo kjo që u dha në favor të Liverpulit. Episodet e këtyre 180 minutave nuk mund t‘i harrojmë aq shpejt. Të dyja vendimet për penallti kanë qenë kundër Arsenalit. Është një realitet shumë i vështirë për t‘u pranuar. Edhe lojtarët janë shumë të mërzitur, sepse u është krijuar besimi se javë pas jave vendimet e gjyqtarëve janë kundër nesh".

Nga ana tjetër, Liverpuli do të ndeshet në gjysmëfinale me Çelsin, ashtu sikundër ka ndodhur edhe një vit më parë. "Reds" kanë fituar dy përballjet e mëparshme dhe duke u bazuar te historia, të besuarit e teknikut Rafa Benitez besojnë te kualifikimi. Edhe pse e vlerësojnë forcën e skuadrës së Avram Grant, eksperienca në Champions mund të jetë një faktor shumë i rëndësishëm për Liverpulin.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›