E Shtunë, 31 Tetor 2026

QSUT, çdo ditë një ankesë për shërbimin e munguar në spital

Vetëm një përqindje e vogël e pacientëve largohen të kënaqur nga shërbimi në spitalin më të madh në vend, QSUT. Pjesa dërrmuese jo vetëm që nuk janë të kënaqur, por ankohen dhe lënë spitalin me pesimizëm.

Brenda janarit të këtij viti, në drejtorinë e ankesave në spitalin "Nënë Tereza" janë paraqitur 30 "padi". Me një llogaritje të thjeshtë, rezulton që çdo ditë ka të paktën një ankesë për shërbimin spitalor që ofrohet në spital.

Të sëmurët, apo të afërmit e tyre ankohen për të gjetur një zgjidhje të problemit të tyre, ose për të përmirësuar gjendjen shëndetësore të tyre në më pak kohë, më pak shpenzime dhe në mënyrën më të mirë. Shumica e ankesave janë për mungesë ilaçesh, mungesë filmash për të vendosur pajisjet diagnostifikuese, mungesë parash për të blerë ilaçet që nuk ndodhen në farmacinë e spitalit. Në drejtorinë e spitalit bëhen kërkesa për një vend të lirë shtrimi, për të kryer të gjitha analizat dhe për t‘u vizituar në shërbimet më të populluara dhe me kapacitet të ulët.

Kërkesa për t‘u shtruar në një nga pavijonet e spitalit "Nënë Tereza" bëjnë kryesisht të sëmurët që vijnë nga rrethet. Këta të fundit nuk kanë mundësi të kurohen, apo të operohen në vendet e tyre të banimit, për shkak të kushteve të munguara spitalore.

Ankesa të tjera vijnë për të mos paguar disa nga shërbimet të cilat janë me gjysmë çmimi për ata që kanë sigurime shëndetësore dhe të parimbursuara për ata që nuk kanë librezë shëndetësore.

Pamundësia për të paguar, apo për të përballuar faturën e shpenzimeve, i çon të afërmit e pacientëve të kërkojnë ndihmë nga drejtuesit e spitalit. Mungesa e një çatie për të futur kokën derisa të vijë radha për t‘u vizituar, operuar, mungesa e parave për të blerë ilaçe të shtrenjta në farmaci dhe gjendja e rënduar shëndetësore, çon pacientët në dyert e administratës për të kërkuar ndihmë, për t‘u ankuar, për të dëgjuar fjalën e tyre.

Dhjetëra ankesa të tjera vijnë çdo ditë për shërbimin spitalor, për mjekët dhe mënyrën se si ata flasin me të sëmurët, si i trajtojnë, çfarë u kërkojnë në rrugë jozyrtare. Megjithatë, shumica e pacientëve kërkojnë të drejtën, por nuk pëlqejnë të hedhin firmën e tyre në një ankesë zyrtare.

Frika se mos mjekët e marrin vesh se ata janë ankuar, frika se mund të sëmuren përsëri dhe prapë te mjeku do përfundojnë, i lë pezull, duke folur shumë, duke bërtitur e thërritur, por pa bërë zyrtare as ankesën e tyre. Sipas statistikave të Urdhrit të Mjekëve, një sektor që merret me ankesat dhe denoncimet e pacientëve pas kalimit të shkallës së parë, rezulton se shumica e pacientëve nuk i vazhdojnë më tej ankesat e tyre, duke u përballur me mjekët, përfaqësues të sistemit shëndetësor. Të rralla janë rastet kur të sëmurët kërkojnë të zgjidhin çështjen, duke kaluar të gjitha etapat e ankimimit, deri në kërkesën për zgjidhje nga organet e drejtësisë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›