Fundi i “Botës së Tretë”
Fatos Tarifa, PHD
Në një konferencë të mbajtur në San Jose të Kalifornisë, në nëntor 2006, më zuri veshi të përsëritej shpesh termi “emerging countries” (vende që po ngrihen, dalin apo zhvillohen shpejt). Në një prej pushimeve midis seancave pyeta një sociolog nga Nikaragua, pjesëmarrës në atë konferencë, nëse vendi i tij është një “emerging country”.
Përgjigjja e tij, e shprehur me një fjalë të vetme, më ka mbetur në mendje: “Submerging”, që do të thotë një vend që po zhytet, ose po fundoset. Edhe pse e thënë me humor, përgjigjja e tij ishte e sinqertë. Siç më shpjegoi më vonë ky sociolog, gjatë 20 apo 30 viteve të fundit Nikaragua ka mbetur ekonomikisht në vend, për të mos thënë ka bërë prapa në krahasim me disa prej vendeve të tjerë të “Botës së Tretë” në kontinentin latino-amerikan.
Termi “emerging countries”, i cili sot ka hyrë gjerësisht në përdorim në leksikonin ekonomik dhe politik në Perëndim, mund të ketë një notë optimiste dhe të evokojë shpresë në mundësitë për zhvillim në mjaft vende të prapambetur të botës, por ai nuk është i saktë dhe nuk ndihmon për të kuptuar zhvillimet e brendshme ekonomike, politike dhe sociale në këta vende. Terma të tillë, të cilët janë thuajse sinonime, si “emerging countries”, “emerging societies”, apo “emerging economies”, ndryshojnë fare pak nga termat tashmë mjaft të përdorur si “developing countries”, “developing societies”, apo “developing economies” (vende në zhvillim, shoqëri në zhvillim, apo ekonomi në zhvillim). Sidoqoftë, asnjëri prej këtyre termave nuk ka pasur deri më sot popullaritet dhe përdorim më të gjerë se formulimi “Botë e Tretë” (Third World). Në këtë shkrim dëshirojmë të argumentojmë pse ky term, gjithashtu, sot duket se ka humbur tërësisht përmbajtjen dhe kuptimin e vet.
Termi “Botë e Tretë” është përdorur për herë të parë në fillim të viteve 1950-të nga sociologu francez Alfred Sauvy. Në atë periudhë bota ishte e ndarë në dy blloqe të mëdha: Perëndimi kapitalist, demokratik dhe Lindja komuniste; me fjalë të tjera, “Bota e Parë” dhe “Bota e Dytë”. Ky klasifikim, sipas tij, nuk ishte i saktë apo i mjaftueshëm pasi në të nuk përfshiheshin një numër shumë i madh vendesh të varfër, të prapambetur dhe të pazhvilluar në Lindjen e Mesme, në Azi, në Afrikë dhe në Amerikën Latine. Këta vende përbënin një botë “më vete”, të cilën Sauvy e quajti “Botë e Tretë” (Tiers Monde).
Për më shumë se gjysmë shekulli termi “Botë e Tretë” është përdorur për t’iu referuar kolektivisht të gjithë vendeve të varfra dhe të pazhvilluara të botës. Edhe pse ky term nënkupton kryesisht varfëri ekonomike, ai përdoret gjithashtu për të shprehur idenë e vendeve në zhvillim e sipër, në zhvillim ekonomik, politik dhe shoqëror dhe, mbi të gjitha, në solidaritet me njëri-tjetrin, duke ndjekur një axhendë politike të përbashkët, të tillë që kërkonte vëmendjen dhe sidomos ndihmën ekonomike të vendeve të pasura të botës. Ky konceptim i “Botës së Tretë” ka qenë dhe është, veçanërisht në ditët tona, i pasaktë dhe lë vend për keqkuptime. Ai është tashmë jo vetëm i vjetruar, por edhe i padobishëm për të kuptuar proceset e ndërlikuara të zhvillimit në një botë si kjo e sotmja, e cila po globalizohet gjithnjë e më shumë.
Shumë herë ne harrojmë, apo nuk marrim në konsideratë faktin se sa “të rinj” janë shumica e vendeve të varfra, për të mos përdorur epitetin vende të “Botës së Tretë”. Jordania dhe Siria, për shembull, janë krijuar si shtete të pavarur në vitin 1946. Libia u krijua më 1951 dhe Tunizia më 1956. India u bë vend i pavarur më 1947, Indonezia më 1949, ndërsa Malajzia u “krijua” më 1963. Gana “lindi” si shtet i pavarur më 1957; Senegali dhe Nigeria u “krijuan” më 1960. Kenia fitoi pavarësinë më 1963, ndërsa Zimbabve vetëm 28 vjet më parë, më 1980. Nga ana e tyre, shumica e vendeve të Amerikës Latine u bënë shtete të pavarur në gjysmën e parë të shekullit të 20-të. Po kështu, revolucioni në Kinë i dha këtij vendi të madh sensin se ai po niste një jetë të re vetëm më 1949. Midis fundit të Luftës së Dytë Botërore dhe fundit të shekullit të 20-të numri i vendeve anëtarë në OKB pothuajse u trefishua. Pothuajse të gjithë vendet e rinj anëtarë të OKB-së, me ndonjë përjashtim të rrallë, ishin dhe vazhdojnë të jenë vende të varfra dhe shumë të varfra.
Që nga fillimi i jetës së tyre politike si shtete të pavarur, të gjithë këta vende të “porsakrijuar” kanë pasur të përbashkët, përveç varfërisë, edhe sentimentet negative dhe zemërimin ndaj kolonializmit evropian si edhe ndaj atij fenomeni, të cilit shpesh i referohen si “neokolonializëm” amerikan. Kjo shpjegon përse intelektualët europianoperëndimorë dhe ata në Amerikën e Veriut kanë qenë, përgjithësisht, simpatizantë të vendeve postkolonialë dhe të vendeve në zhvillim dhe i kanë përkrahur ata.
Kolegu im sociolog nga Nikaragua, të cilin e përmenda në fillim të këtij shkrimi, më shprehu në San Jose mendimin e tij se, në fakt, “Bota e Tretë” “nuk ka ekzistuar asnjëherë”. Fjalët e tij më vunë atëherë, siç më vënë edhe sot, në mendime. Është e vërtetë se termi “Botë e Tretë” gjithnjë u është referuar një numri vendesh mjaft heterogjenë, shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri përsa i përket pozitës së tyre gjeografike, madhësisë së territorit, historisë kombëtare, kulturës, sistemit politik dhe atij të së drejtës, përbërjes etnike dhe fetare të popullsisë, formës së pronësisë dhe nivelit të zhvillimit ekonomik. Për më tepër, lidhjet dhe komunikimi midis vendeve që bëjnë pjesë në këtë kategori kanë qenë shumë të kufizuara. Po kështu, gjithnjë është shtruar pyetja se cilat vende përfshiheshin në “Botën e Tretë” dhe cilat jo. A bënte pjesë Kina, fjala vjen, në “Botën e Tretë”, apo ajo, si një vend komunist, ishte pjesë e “Botës së Dytë”? Po Shqipëria, Vietnami, Korea e Veriut dhe Kuba? Po Jugosllavia, e cila në vitet 1960-të dhe 1970-të u bë lidere e një lëvizjeje politiko-diplomatike që përfshiu pothuajse të gjithë vendet në zhvillim të “Botës së Tretë”?
Vendet e “Botës së Tretë”, sado heterogjen të ketë qenë ky grupim që nga krijimi i tij, arritën për një periudhë kohe të organizohen si një lëvizje “vendesh të paangazhuar”, lëvizje kjo, e cila formalisht ekziston edhe sot, edhe pse pesha dhe roli i saj në jetën politike dhe diplomatike ndërkombëtare janë pothuajse të papërfillshëm, me përjashtim të mënyrës se si këta vende votojnë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Fillimet e kësaj lëvizjeje datojnë në vitin 1955, kur në një takim të përfaqësuesve të 29 vendeve nga Azia, Lindja e Mesme dhe Afrika, të mbledhur në Bandung të Indonezisë me ftesë të presidentit indonezian Sukarno, u hodhën bazat e asaj që gjashtë vjet më vonë, më 1961, në një konferencë të mbledhur në Beograd nën drejtimin e presidentit të Jugosllavisë, Tito, dhe me kontributin e drejtpërdrejtë të kryeministrit të Indisë, Nehru, u institucionalizua si “Lëvizja e Vendeve të Paangazhuara” (Non-Aligned Movement). Kjo lëvizje synonte të evitonte sistemin kompetitiv të blloqeve, koalicioneve dhe aleancave të krijuara me fillimin e Luftës së Ftohtë, sidomos të evitonte krijimin nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj të organizatave të ngjashme me NATO-n në vendet e “Botës së Tretë”.
Qysh nga samiti i parë i saj në Beograd, “diplomacia e konferencave” (conference diplomacy) u bë metoda karakteristike e veprimtarisë së kësaj lëvizjeje. Axhenda e vërtetë e saj, sidoqoftë, nuk ka qenë neutraliteti në konfliktin midis Lindjes dhe Perëndimit, por kryesisht fillimi dhe ruajtja e një dialogu midis Veriut dhe Jugut. Çështjet që i kanë dhënë tonin këtij debati dhe kanë motivuar vetë këtë lëvizje kanë qenë çështje ekonomike, sidomos kërkesat e vazhdueshme të vendeve të varfra për ndihmë materiale dhe koncesione financiare e tregtare nga ana e vendeve të industrializuara të Perëndimit.
Disa analistë mendojnë se rëndësia e vërtetë e “Botës së Tretë” ishte dhe mbetet ajo e një ideje që influencoi qëndrimet dhe vlerat si në radhët e vendeve të kësaj “bote”, ashtu edhe në Perëndim. Këto qëndrime dhe vlera kanë të bëjnë me atë se si duhen organizuar shteti dhe shoqëria në mënyrë që të dilet nga varfëria ekonomike dhe të arrihet zhvillim. Deri vonë ka qenë i përhapur iluzioni se zhvillimi i këtyre vendeve do të ishte relativisht i lehtë. Opinioni mbizotërues ka qenë ai se vendet e “Botës së Tretë” vërtet u krijuan shumë vonë si shtete të pavarura, por ata nuk ishin të destinuar të mbeteshin të varfër; ata s’ishin veçse viktimë e një sistemi kolonial tashmë të përmbysur. Kolonializmi vërtet i kishte lënë këta vende prapa dhe e kishte penguar zhvillimin e tyre, por kjo s’do do të thoshte se ata nuk mund të dilnin nga varfëria. Zhvillimin e tyre, sidoqoftë, shumica e vendeve të “Botës së Tretë” e konsideronin si një detyrë kryesisht politike. Për të mundësuar këtë, mjaftonte që këta vende të ndihmonin njëri-tjetrin për të dalë nga gjendja e mjeruar në të cilën i kishte lënë pushtimi i gjatë kolonial, po të qe nevoja, madje, nën drejtimin e një partie politike avangardë (në shumicën e rasteve e kuptuar si një parti marksiste-leniniste), e cila të mund të udhëhiqte me sukses emancipimin e tyre ekonomik dhe shoqëror. Përgjithësisht, kjo detyrë politike vlerësohej se ishte e njëjtë për të gjithë vendet, çka ushqente iluzionin tjetër se ajo që mund të bënte kuptim dhe mund të ishte një zgjidhje e drejtë, fjala vjen, për Hondurasin, Brazilin, Panamanë apo Bolivinë, do të ishte e tillë edhe për Bangladeshin, Sudanin, Sri Lankën apo Nigerinë.
Në vitet 1960-të dhe 1970-të shumë qendra universitare dhe fondacione në Perëndim (si edhe në vendet në zhvillim) u kushtuan energji dhe resurse të shumta përpjekjeve për të promovuar shtetformimin dhe rindërtimin e vendeve të “Botës së Tretë”. Këto përpjekje u bënë në shumë fronte, që nga zhvillimi i bujqësisë dhe rritja e kujdesit për shëndetin e njerëzve deri tek zhvillimi institucional i tyre. Sidoqoftë, fronti më i rëndësishëm ka qenë ndoshta ai intelektual, në të cilin synohej t’i jepej përgjigje një çështjeje themelore: Si zhvillohet dhe modernizohet shoqëria? Kjo ka qenë periudha kur në tregun e ideve u vunë në qarkullim teori të shumta mbi zhvillimin dhe modernizimin e shoqërisë, të cilat vendi nuk e lejon t’i trajtojmë në këtë shkrim. Këtu dëshirojmë të themi, sidoqoftë, se me shembjen e “Botës së Dytë” (Bashkimi Sovjetik dhe regjimet komuniste në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore), përdorimi i termit “Botë e Tretë” u bë krejt i pakuptimtë. Për më tepër, pas dekadash të tëra mbledhjesh dhe fjalimesh në Kombet e Bashkuara dhe në forume të tjerë ndërkombëtarë, sistemi ekonomik global rezultoi se nuk kishte ndryshuar aspak për të favorizuar vendet e varfra. Nocioni “Botë e Tretë” humbi kështu përmbajtjen ontologjike të tij.
Së fundi, dhe kjo ndoshta ka më shumë rëndësi, heterogjeniteti i vendeve të varfra është bërë, në dekadat e fundit, gjithnjë e më i theksuar. Ndërsa disa vende janë zhvilluar shumë (Tajvani, India, Brazili, Meksika, Botswana, Afrika e Jugut, etj), madje disa prej tyre përtej parashikimeve të shumëkujt, vende të tjerë, si Çadi, Ruanda, Nikaragua apo Bangladeshi, kanë mbetur shumë prapa. Kontrastet janë të theksuar, madje edhe midis vendeve që gjeografikisht janë fqinj të njëri-tjetrit, si, fjala vjen, Tajlanda dhe Burma, Gana dhe Liberia, apo Argjentina dhe Kili. Kjo e bën të vështirë përgjigjen e pyetjes: Pse disa vende kanë mundur të dalin nga varfëria e dikurshme, të zhvillohen ekonomikisht, madje edhe të demokratizohen, ndërsa të tjerë jo?
Banka Botërore raporton se gjatë 40 viteve të fundit gjatësia mesatare e jetës së njeriut në vendet e varfra është rritur me 20 vjet, niveli arsimor është përmirësuar ndërsa niveli i vdekshmërisë foshnjore ka rënë në mënyrë të ndjeshme. Këto dukuri dhe tendenca, sidoqoftë, janë më të dukshme në disa vende dhe shumë më pak në vende të tjerë. Teoritë që kemi në dispozicion sot për sot e kanë të vështirë të shpjegojnë këtë progres të pabarabartë si midis kombeve të ndryshëm, ashtu edhe, madje akoma më shumë, midis rajoneve të veçantë brenda të njëjtit vend. Shteti më i pasur i Meksikës, Nueva León, për shembull, ka të ardhura për frymë dhjetë herë më të mëdha se Chiapas, i cili është shteti më i varfër meksikan. Përvoja e gjatë e vendeve të varfër në këta 50 vitet e fundit na ka mësuar shumë se si mund të arrihet zhvillim në fusha të ndryshme si bujqësia, infrastruktura, shërbimi shëndetësor, etj. Ajo që akoma mbetet “e pakuptuar” nga ne është se si të gjithë elementët e zhvillimit, të kombinuar mes tyre, e çojnë një vend përpara politikisht dhe ekonomikisht.
Një vëllim i botuar në vitin 2005 nga Universiteti i Oksfordit dhe Banka Botërore, me titull “Sfidat e zhvillimit në vitet 1990-të”, përmban ndoshta analizat më të mira në këta dy dhjetëvjeçarë të fundit mbi progresin ekonomik dhe politik të vendeve në zhvillim. Një ndër konkluzionet në të cilin vijnë autorët e këtij vëllimi është ai se hartuesit e politikave ekonomike në çdo vend, veçanërisht në vendet në zhvillim, duhet të fokusohen në krijimin e një mjedisi të favorshëm për tregun. Siç vë në dukje Timothy Besley në parathënien e këtij libri, “Çdo vend duhet të krijojë strategjinë e tij të rritjes, duke u mbështetur në procese që marrin shtysë së brendshmi në përgjigje të kapaciteteve institucionale dhe kushteve ekonomike të tij”. Një çështje e rëndësishme që kërkon shpjegim, sidoqoftë, është kjo: Kur e shtyjnë përpara një vend aktiviteti i tregut dhe aktiviteti politik i tij? Një përgjigje racionale për këtë pyetje e jep Prof. Michael Porter i Shkollës së Biznesit në Harvard. Ai fokusohet në atë çka sot është bërë sinonimi më i ri i konceptit “zhvillim”: kompetiviteti. Idetë e tij duket se kanë sot një influencë të madhe në qarqet e hartuesve të politikave makroekonomike në shumë vende. Porter i përmbahet pikëpamjes se prosperiteti i një vendi varet nga produktiviteti me të cilin ai përdor kapitalin dhe resurset e tij njerëzore dhe natyrore. Produktiviteti është, pra, baza e kompetivitetit. Kompetiviteti i një vendi kushtëzohet nga kapaciteti i industrive të tij për inovacion dhe përmirësim të vazhdueshëm. Shihni, për shembull, Finlandën, një vend me popullsi rreth 5 milionë banorë dhe me kushte klimaterike shumë të disfavorshme. Ky vend ka arritur të ndërtojë dy-tre ndër industritë më kompetitive në botë. Një ndër to është Nokia, kompania më e madhe dhe më novatorja në tregun botëror të telefonisë celulare. Të tilla janë edhe industria e letrës dhe ajo e ndërtimit të anijeve.
Në ditët tona, prosperiteti ekonomik nuk është diçka e trashëguar nga e kaluara, apo thjesht dhuratë e burimeve natyrore. Po të ishte kështu, Spanja dhe Portugalia, të cilat deri disa dhjetëvjeçarë më parë kanë qenë fuqi koloniale, do të ishin sot ndër vendet më të zhvilluar të botës. Po kështu, nëse resurset natyrore do të luanin një rol determinant në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të një vendi, vende të tillë si Nigeria apo Sudani, të cilët janë të pasur me naftë, apo vende të tjerë afrikanë me pasuri të mëdha natyrore, nuk do të kishin mbetur në këtë nivel të ulët zhvillimi ekonomik dhe shoqëror, ndërkohë që vende të cilët janë të varfër në burime natyrore, si Hong Kongu, Japonia dhe përgjithësisht Evropa Perëndimore, kanë shkuar shumë përpara. Natyrisht, vende të veçantë zhvillojnë me sukses një apo disa industri të caktuara (të cilat mund të variojnë nga prodhimi i bananeve, tek turizmi, peshkimi, industria e naftës apo e çelikut) sepse mjedisi i tyre është më dinamik dhe sfidues për këtë apo atë industri. Në një kohë kur lidhjet dhe ndërvarësitë globale janë intensifikuar shumë, vende të ndryshëm janë bërë dhe bëhen gjithnjë e më të rëndësishëm në tregun botëror për shkak se, sado paradoksale që të duket, avantazhi kompetitiv në industri të veçanta krijohet dhe ruhet përmes proceseve tepër të lokalizuar: Nokia në Finlandë, Hewlett-Packard, Abode Systems, Apple Computers, Netscape, Google, Yahoo dhe shumë të tjera në Silicon Valley në Kaliforni; Skype në Estoni, teknologjitë e Informacionit në Bangalore të Indisë, etj. Në botën e sotme vendet janë në garë të vazhdueshme për inovacione dhe tregje. Nëse nuk je kompetitiv sot je i humbur. Ç’kanë të bëjnë të gjitha këto me “Botën e Tretë” për të cilën po shkruajmë? Ja lidhja midis tyre: Sot nuk ka më një “Botë të Tretë” dhe ndoshta sociologu nikaraguan në San Jose kishte të drejtë kur më tha se “Bota e Tretë” në të vërtetë nuk ka ekzistuar asnjëherë. Sot ka shumë vende të varfra dhe dallimet midis tyre janë të theksuara. Këto dallime bëhen edhe më evidente nëse shohim shkallën në të cilën këta vende konkurrojnë me njëri-tjetrin për tregje. Sot ka një varg institucionesh, forumesh dhe botimesh, të cilët i klasifikojnë vendet e botës në bazë të shkallës së kompetivitetit të tyre. “Forumi Ekonomik Botëror”, fjala vjen, boton çdo vit një raport mbi kompetivitetin në shkallë globale. Ndryshe nga disa dekada më parë, sot është e vështirë t’i gruposh vendet e varfër të botës në një kategori të përbashkët, qoftë edhe për qëllime studimi. Është e pamundur, fjala vjen, të përfshish në të njëjtin grup vende si Kina, Singapori, India, Brazili apo Meksika, të cilët po konkurrojnë me shumë sukses në tregjet botërore, me vende të tillë si Togo, Zanzibari apo Somalia, edhe pse të gjithë këta do të konsideroheshin vende të “Botës së Tretë” 20 vjet më parë.
Pa “Botën e Dytë”, e cila u shpërbë me mbarimin e Luftës së Ftohtë, termi “Botë e Tretë” nuk ka më asnjë kuptim. Madje, siç vumë në dukje më sipër, ai ndoshta asnjëherë nuk ka pasur atë kuptim që i kemi dhënë deri më sot. Globalizimi i ka bërë shumë fluidë barrierat ekonomike midis vendeve dhe i ka rritur mundësitë si për ngushtimin e kontrasteve dhe të pabarazisë ekonomike e sociale midis vendeve dhe rajoneve të ndryshëm të botës, ashtu edhe për thellimin e mëtejshëm të tyre. Në një botë të globalizuar si kjo e sotmja, terma të tillë si botë e “parë”, e “dytë” dhe “e tretë” nuk thonë më asgjë, aq më tepër kur faktori ideologjik, i cili ka motivuar këtë ndarje të botës që nga fillimi i Luftës së Ftohtë, nuk ekziston më. Por me se mund të zëvendësohet termi “Botë e Tretë”? Ç’term do të ishte më i përshtatshëm për të karakterizuar vendet e varfër të botës në fillim të shekullit të 21-të? Si mund ta konceptualizojmë sot vendin që zënë ata në sistemin global vis-à-vis vendeve më të pasur dhe më të zhvilluar? Këto janë pyetje legjitime por teorikisht jo të lehta t’u përgjigjesh. Çdo përgjigje që mund të gjenim për to do të ishte eluzive. Një pikënisje ku mund të gjenim të paktën një përpjekje intelektuale për t’u dhënë përgjigje pyetjeve të tilla mund të ishte Shkolla e Biznesit në Universitetin e Havardit, falë studimeve shumë të rëndësishme të Prof. Michael Porter dhe kolegëve të tij në fushën e “kompetivitetit ekonomik”. Michael Porter argumenton se elitat drejtuese në vendet e varfër, ashtu si edhe kudo gjetkë, gjithmonë nisen nga interesat e tyre të ngushta, pothuajse njëlloj si firmat, duke konkurruar për niches fitimprurëse në ekonominë ndërkombëtare. Sipas tij, “modeli i biznesit” është ai që mund të shpjegojë më mirë se çdo model tjetër dallimet midis vendeve të zhvilluar dhe atyre të pazhvilluar. Porter argumenton se sot ka vende të pasur dhe vende të varfër, por nuk ka botë “të parë”, “të dytë” apo “të tretë”. Në botën e sotme, sipas tij, ka thjesht tregje dhe ndarje tregjesh dhe nëse një vend nuk është, apo nuk bëhet pjesë e tregut, ai edhe mund të “zhduket”, edhe pse formalisht mund të vazhdojë të ketë një vend dhe një mikrofon në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.