E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana fiton derbin,Partizani e konteston

Tirana ka fituar dje me rezultatin 2-1 në derbin përballë rivalit historik, Partizanit, duke shënuar kështu një minihakmarrje për dy disfatat e pësuara edicionin e kaluar. 

Një fitore ajo e djeshmja e bardhebluve që, gjithsesi, ka qenë aq e zbehtë, sa nuk është ndikuar thuajse aspak nga emrat e mëdhenj në kontingjent, milionat e shpenzuar, dobësimi i kundërshtarit më të betuar në merkato, Partizanit, dhe as inferioriteti numerik i të kuqve gjatë gjithë pjesës së dytë të takimit.
Fati
Realisht ka qenë vetëm fati ai që dje ka mbajtur ngjyrat bardheblu, duke favorizuar Tiranën në atë fitore të sekondave të fundit. Një gol në minutën e 90’ për bardheblutë dhe një traversë në të 94’ për Partizanin, janë dy detajet që dëshmojnë më së miri mënyrën se si është përcaktuar fati i këtij derbi. Nga ana tjetër, skuadra e Partizanit që nuk shihej aspak si favorite në këtë duel, pasi konsiderohej thuajse e zhveshur pas largimit të ish-titullarëve e liderëve të sezonit të kaluar, i ka rivalizuar dje bardheblutë mëse denjësisht.
Treshja braziliane
Treshja braziliane e prezantuar në përballjen e djeshme, njëlloj si me një shkop magjik ka ndërtuar një Partizan pretendent dhe në disa raste superior ndaj Tiranës, ndonëse suksesi i tyre u limitua vetëm në pësimin e një humbjeje dinjitoze përballë bardhebluve. Tirana superiore në mënyrë të ndjeshme ndaj Partizanit gjatë të gjithë pjesës së parë të takimit, ka arritur të kalojë në avantazh që në minutën e 20’ me anë të Xhafajt.
Pjesa e dytë
Krejt ndryshe nga fraksioni i parë i lojës, pjesa e dytë e ka shfaqur një Partizan më ofensiv, pavarësisht inferioritetit numerik pas daljes së Kalarit me karton të kuq që në minutën e 47’. Një ritëm loje i të kuqve ky, që është shpërblyer me golin e shënuar nga Bruno në minutën e 59’. Ndërkohë Tirana, ndonëse superiore numerikisht, ka zhvilluar një lojë jo pak të çorientuar. Megjithatë, falë një presingu në zonën e të kuqve në minutën e 90’, bardheblutë kanë kaluar në avantazh me një gol të Andi Lilës, që ka qëndruar në fuqi, duke i dhënë Tiranës fitoren, pavarësisht përpjekjes së fundit të Partizanit në të 94’, kur Bakaj goditi traversën e portës së mbrojtur nga Nallbani.

KATEGORIA SUPERIORE

JAVA E TRETË
Shkumbini - Teuta              1-0
Rizvanolli 40’
Besa - Dinamo                       0-0
Elbasani - Bylis                     1-0
Merxha 34’
Lushnja - Flamurtari             2-1
Sisoko 11’, Sekseri 79’/ Veliu 81’  
Tirana - Partizani                  2-1
D. Xhafaj 20’, Lila 89’/ Bruno 58’
Vllaznia - Apolonia             3-1
Dhëmbi 34’, 84’, Sinani 44’/Shoshi 38’ (11m)

RENDITJA
Ekipi     N       F        B        H        Gol    P
1. Vllaznia    3       2        1        0      5-2      7
2. Tirana         3       2    1        0       3-1    7
3. Elbasani         3       2       1    0    2-0    7
4. Shkumbini     3       2    0    1    6-4    6
5. Dinamo     3       1        2     0    3-1    5
6. Apolonia     3       1       1        1       3-3    4
7. Besa     3       1        1    1    3-3    4
8. Partizani     3    1    0    2    3-4    3
9. Flamurtari     3    1        0    2    2-3    3
10.Lushnja         3    1    0    2    2-4    3
11.Teuta     3    0    1    2    0-2    1
12.Bylis     3    0    0    3    3-8    0

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›