Fundi i botës tani vjen nga borxhet
Në SHBA debati është në kulmin e tij. Edhe dy javë dhe ekonomia më e madhe në botë nuk do ketë më aftësi të bëjë pagesat. Para pak ditësh BBC ngrinte pyetjen: A ekziston mundësia që vendi më i fuqishëm ekonomikisht në botë të falimentojë?
Presidenti amerikan i ka apeluar Kongresit: Na lini të mos lejojmë fundin e botës!
Këtë fundjavë Obama do zhvillojë një takim mes demokratëve dhe republikanëve. Kongresi ka një mundësi unike për të bërë diçka të madhe, tha ai në një konferencë për shtyp.
Presioni është mbi republikanët, për të votuar rritjen e kufirit të borxheve.
Çdo sekondë që kalon, SHBA zhytet gjithmonë e më shumë në kënetën e borxheve. Deri tani çdo amerikan ka 46.500 dollarë borxh. Dhe aty nuk bëhet fjalë për të bërë shkurtime në disa rrugë e shkolla. Këto janë grimca që nuk hyjnë në sy.
Kampi i Obamës synon që të taksojë më shumë ata që fitojnë mirë dhe të heqë lehtësirat për gjigandët e naftës. Republikanët kundërshtojnë ashpër.
Gjendja është kritike. Deri në 2 gusht duhet rritur kufiri i borxhit. Në rast të kundërt do ndodhë tërmeti, shteti nuk do paguajë dot pensionet e shërbimet e tjera sociale. Për herë të parë në histori do ndodhë që shteti më i fuqishëm nuk do ketë para.