I ftohti ngrin Shqipërinë, bora izolon veriun e jugun
Shqipëria ngrin nga i ftohti. Temperaturat e ulëta, disa gradë nën zero, kanë mbuluar vendin. Dëbora e ngrica kanë shoqëruar ditën e djeshme, duke bllokuar komuna të tëra, ndërsa thuajse të gjitha akset nacionale nga veriu në juglindje janë bërë të pakalueshme për disa orë, kryesisht gjatë natës. Dy ditët e ardhshme parashikohen me ngritje të lehtë të temperaturave, për t’u ulur sërish në fundjavë. Ministria e Brendshme ka raportuar dje për rajonet më problematike në vend, duke përmendur dhe rrugët që përbëjnë rrezik bllokimi. Në qarkun e Shkodrës, shqetësim përbënte rruga për në Theth, e cila është jashtë funksioni nga bora, ndërsa qarkullimi për në komunat e zonës së Dukagjinit, Shalë, Pult, Shosh kryhet nga rruga e Shoshit që lidhet me Shkodrën. Në rrethin e Pukës, komuna Iballë është e izoluar, kurse në rrugët Qafë Mali-Qafë, Shllak-Kukës-Morinë dhe atë Qafë Mali-Fierzë mund të kalohet vetëm me zinxhirë. Në qarkun e Kukësit, reshjet e borës ishin intensive, duke krijuar vetëm në qytet një trashësi prej 30 cm. Policia ka raportuar probleme në rrugën nacionale Qafë Mali–Morinë që në segmente të veçanta ka pasur bllokime të përkohshme për shkak të rrëshqitjeve të inerteve dhe reshjeve të dëborës. Në këtë qark vazhdojnë të jenë të bllokuara rrugët për në komunat Arrën, Grykë çajë dhe Zapod. Prej disa ditësh janë të bllokuara dhe komunat Lurë, Kala e Dodës, Sllovë, Trebisht, Ostren, Martanesh, Xibër e Macukull në qarkun e Dibrës. Drejtoria e rrugëve nacionale njoftoi dje për probleme në aksin Peshkopi-Bulqizë. Policia rrugore e Bulqizës ka bllokuar në “Qafën e Buallit”, për të pestën ditë radhazi autobusët e transportit të minatorëve, duke mos lejuar kështu vajtjen në punë të tyre, pasi rruga ishte e bllokuar nga dëbora. Kështu minatorë të 22 shoqërive private të shfrytëzimit të galerive, në Zonën D të minierës së Bulqizës, prej 5 ditësh kanë mbetur pa punë. Probleme ka pasur edhe në rrugën nacionale Peshkopi-Kukës, ku edhe kalimi me zinxhirë ka qenë i vështirë. Nga qarku i Korçës raportohen disa segmente të aksit Korçë-Librazhd, kryesisht në Qukës, Qafë Thanë dhe Korçë–Kolonjë. Gjendje e vështirë ishte dje në aksin Vlorë-Sarandë, pikërisht në Qafën e Llogarasë. Për 4 orë, qarkullimi i mjeteve është bllokuar nga bora e rënë. Vetëm rreth orës 11:00 është mundësuar hapja e rrugës, por dhe atëherë lëvizja është kryer vetëm me zinxhirë.Pa ngrohje, braktiset gjimnazi BURREL - Nxënësit e shkollës së mesme “Pjetër Budi” në qytetin e Burrelit kanë braktisur dje mësimin në shenjë revolte për mungesën e ngrohjes në klasat e saj. Një ditë më parë qeveria e nxënësve kishte paralajmëruar ndërprerjen e mësimit nëse nuk do të viheshin në funksionim kaldajat e montuara vetëm pak muaj më parë, pas rikonstruksionit të plotë të shkollës. Rreth orës 09:00 nxënësit kanë dalë nga auditoret, pasi kaldajat nuk funksiononin dhe ata nuk mund të vijonin mësimin për shkak të të ftohtit. Nënkryetari i bashkisë Burrel, Jarosllav Alla u shpreh se drejtorisë së shkollës i është bërë e ditur pika e karburantit ku duhet të furnizohet për kaldajën dhe sipas tij është detyrë e shkollës ta tërheqë atë. Sipas zyrtarëve të bashkisë kjo anomali ka ardhur thjesht se as bashkia dhe as shkolla nuk kanë marrë përsipër transportin e karburantit.