E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çështja e kërpit, banorët në protestë për shtyrjen e gjyqit

 SHKODER - Rikthehet në qendër të vëmendjes së Gjykatës Shkodër kërpi i Malësisë së Madhe. Gjatë muajit janar janë thirrur dy herë në prokurori për të dëshmuar rreth 60 banorë të zonave malore të Malësisë së Madhe, por seancat gjyqësore në ngarkim të tyre kanë dështuar. Paraditen e djeshme ka dështuar edhe seanca e tretë për këtë vit. Të indinjuar nga veprimet e organit të akuzës, banorë të fshatrave të Dedajve, Bogës, Razmës kanë protestuar para godinës së prefektit të qarkut Shkodër në shenjë indinjimi për sorollatjen e tyre nga organet e drejtësisë. Sipas vetë banorëve, edhe pse ata kanë qenë të detyruar që të përshkojnë një rrugë të vështirë nga zonat e mbuluara nga dëbora është e palogjikshme që pasi u thërriten emrat atyre t’u komunikohet vendimi për shtyrjen e seancës pasi nuk kanë ardhur të gjithë të thirrurit nga prokuroria. “Arsyeja që ne po gjykohemi është se çuditërisht, pas kaq vitesh prokuroria sërish na akuzon se kërpi që ne kemi mbjellë është kanabis. Kjo nuk është e vërtetë, se ne farën e mbjellë ia kemi blerë kryetarit të shoqatës së fermerëve të Shkrelit, Martin Pëllumbit. Ai e ka sjellë farën nga jashtë sipas një kontrate që ka pasur me një shoqatë britanike. Kjo farë ka hyrë nga dogana, e kontrolluar nga Ministria e Bujqësisë, e likuiduar për të gjithë detyrimet doganore dhe pas mbjelljes ajo na dilka drogë. Madje Pëllumbi, për këtë problem u pat gjykuar 2 herë dhe mori pafajësinë si dhe u dëmshpërblye. Tash si duket policia po kërkon të na bëjë ne fajtor me zor”, thotë Luigj Gjelaj. “Ne vijmë nga zona shumë të thella në Shkrel. Kemi ecur për orë të tëra në këmbë mes dëborës për të qenë në gjyq. Vijmë për të tretën herë dhe deri tani gjyqi nuk ka filluar asnjë herë të paktën të merrnim vesh se çfarë kanë me ne?”, akuzon ai. Banorët e komunës së Shkreli i kërkuan prefektit të Shkodrës Maxhid Cungu të ushtrojë autoritetin që i jep ligji për të zgjidhur këtë problem. Konflikti mes banorëve të Shkrelit dhe Drejtorisë së Policisë së Shkodrës dhe Prokurorisë ka rreth 10 vite që është hapur. Policia deri tani ka dështuar 2 herë. Banorët këmbëngulin se bima që ata mbjellin është kërp industrial, ndërsa policia deklaron se mes kërpit industrial banorët kultivojnë kanabis sativa.                     r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›