E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tangoja ime e fundit në Tiranë...

Ylli Dylgjeri

I përdhunuar politikisht Show titullohej "Tangoja ime e fundit në Tiranë". Me personazhet e mirënjohur të skenës politike z.Sali Ramë Berisha. Personazhi tjetër, pas kuintave z.Edvin Rama, aktroi në rolin e të përdhunuarit politikisht. Megjithëse ishte virtual, dallohej si nënpersonazh më poshtë të parit. 117 personazhet e tjerë ishin pako margarinë që u shkrinë së fundi në skenën e Kuvendit. Filmi më imoral i realizuar në historinë e kinemapolitikës së Republikës së Shqipërisë Show vazhdon
Shumë pak shqiptarë brenda të majtës dhe të djathtës, apo analistë politikë, pa folur për aleatët, vazhdojnë vërtet të besojnë se Rama do ta udhëheqë ndonjëherë të majtën drejt një fitoreje elektorale!? Deri më sot ka regjistruar vetëm humbje në kalendarin politik të përballjes me Berishën. E nëse Rama ende mbahet, kjo ndodh vetëm sepse askush në drejtimin e PS-së nuk dëshiron të marrë përsipër faturën e humbjes së radhës. As Ruçi, as Majko, as Blushi, e as ndihmësit e tjerë të Fondacionit, si fjala vjen Kaçi, nuk duan të marrin përgjegjësinë. Fundin e  dhimbshëm të Partisë Socialiste. Prandaj dhe ky konflikt ka dalë nga sfera e debatit të brendshëm dhe ka hyrë në sferën biologjike - të gjithë po presin që z.Rama të këputet nga kryesimi i PS-së. Gjynah që vetëm pi ujë pa gaz dhe ha fara.
Ja ka hequr vetes!
Zoti Rama është një i ndëshkuar politikisht, sepse ia ka hequr vetes - jo një herë, po tre.
Demokracia mbështetet mbi ligjin e shumicës, politikani duhet të përpiqet pa pushim për ta zgjeruar rrethin e mbështetësve të tij. Po si po vepron Rama pas emërimit të Prokurores së Republikës?
Së pari, hodhi poshtë propozimin e Nanos për paqe - në lëvizjen "Të Bashkuar Fitojmë".
E hodhi poshtë, sepse donte të tregonte së tashmë ai e zotëron monopolin e forcës në dy pushtete; në bashki dhe në parti. Pozicion i privilegjuar ky. I vështirë për t'u fituar nga kushdo. Më fodullëk sportisti e lekisti, ai po tregon se është "kapiteni i vetëm" i PS-së. Sipas tij, s'ka njeri tjetër që luan më mirë në dy fusha njëherësh, duke mohuar arritjet e kohës, si dhe duke i hequr të drejtën e qëndrimit në parti të liderit historik dhe  qindra militantëve të PS-së që sot po ikin si "refugjatët" nga PS-ja drejt partive të aleancës së majtë. Shkurt, paqja u prish.
Së dyti, Rama gaboi - pasi u mbështet fort dje tek aleatët në zgjedhjet lokale, dhe sot bëri zgjedhjen e pasaktë, duke prishur marrëveshjen e firmosur me to. Askush nuk mund të qëndrojë i vetëm në opozitë. LSI nuk mund të konsiderohet aleat i dobët. Të dish të tërheqësh pas vetes aleatët, do të thotë t'u ushqesh ëndrrat, t'i përkëdhelësh shpresat e tyre, t'i sigurosh. Berisha pas dy takimesh me aleatët, pak çaste para votimit, firmosi marrëveshjen e kandidimit për në krye të listave rajonale. Ndërkohë, Ramën e la dhe Gjinushi (fjalës në Kuvend). Shkurt, paqja u prish.
Së treti, Rama në marrëveshjen me Berishën për ndryshimin e Kushtetutës, kreu atentat vetëvrasës për opinionin e majtë. Jetojmë në ambiente militantësh e të papunë... nga ndëshkimet e Berishës dhe Ramës. Po kujtoj këtu edhe vetë ngazëllimet dhe SMS-të e Ramës së Parë, pas takimit aq shumë të përfolur Nano-Berisha. "E hëngri ky me takimin...", kompletohet ndjesia në publik e kësaj marrëveshjeje historike me komentin: Rama flirtoi turpshëm me Berishën, duke pranuar blic kushtet e tij për ndryshimet në Kushtetutë dhe në Kodin Zgjedhor. Shkurt, paqja u prish.   
Të tria këto sot përmblidhen thjeshtë:
U prish paqja! U "gris" ftesa për në NATO! Udhëheqësit po sillen si tiranë! Marrëveshja Sali-Rama në dukje vërtet i "siguron jetëgjatësi pushtetit", por nuk ka fituar zemrat e publikut votues. Dhe po të kujtojmë iluministin e madh francez Montesquie: "Nuk ka tirani më mizore se ajo që ushtrohet nën hijen e ligjit dhe me ngjyrat e drejtësisë", do të pranonim se kjo dyshe realizoi përkohësisht paqen mes vetes, por humbën shumë. Humbën të nesërmen. Qytetarët e kanë tani fjalën. Çifti është shtrirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›