E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nano & Meta, pasuritë i kanë vetëm gratë

 

Xhoana mori divident prej 16.380.169 lekësh të reja dhe shtoi në llogari 127.381 euro. Nano shpenzon pa limit

Monika Kryemadhi ka blerë një tokë arë dhe truall ndërtimi për pesë milionë lekë të reja

TIRANË- Edhe pse pothuajse i larguar nga jeta politike shqiptare, familja e ish- kryeministrit Nano vazhdon që të shtojë ndjeshëm pasurinë e tij. Madje këtë herë nuk është ai që shton pasurinë por e shoqja Xhoana. Kjo e fundit ka fituar gjatë një viti 127 mijë euro dhe 16.3 milionë lekë të reja. Për çudi e njëjta situatë paraqitet edhe për kreun e LSI-së Ilir Meta. Këtë herë bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi ka blerë tokë për ndërtim dhe arë për pesë milionë lekë të reja.

Nano

Pa u dukur pothuajse asnjë ditë në jetën politike shqiptare Fatos Nano vazhdon që të shpenzojë pa fre pasurinë e krijuar gjatë kohës në pushtet. Në një kohë kur pjesa më e madhe e politikanëve shqiptarë deklarojnë shpenzime tepër minimale, Fatos Nanos i janë pakësuar nga një llogari 669.287 lekë të reja. Ndërkohë, llogaria tjetër është pakësuar me 32.572 euro. Edhe llogaria e tretë e Fatos Nanos është pakësuar me 666.893 mijë lekë të reja. Në total llogaritë tregojnë se Nano ka shpenzuar gjatë një viti shumën rekord për politikën shqiptare prej 1.336.180 lekësh të reja dhe 32.5 mijë euro. Madje ish- kryeministri ka shlyer totalisht edhe një kredi prej 51.223 euro duke paguar më shumë se 11 mijë euro në muaj. Këto shpenzime pothuaje i kanë boshatisur llogaritë e tij bankare. Kjo ndodh në një kohë kur të ardhurat e vetme të Fatos Nanos janë paga nga kuvendi dhe pagesa kalimtare si ish- kryeministër. Në total të ardhurat arrijnë në 2.206.622 lekë të reja. Por situata ndryshon kur flitet për bashkëshorten e tij Xhoana. Vetëm nga dividenti i firmave të saj ajo ka marrë një fitim vjetor prej 16.380.169 lekësh të reja. Nga ana tjetër në llogarinë e saj në bankë janë shtuar edhe 127.381 euro duke bërë që llogaria të shkojë më shumë se 250 mijë euro. Kësaj vlere i shtohet edhe shuma "e papërfillshme" e 3910 eurove të përfituara si interes nga një depozitë tjetër.

Meta

Pothuajse e njëjta gjë ka ndodhur edhe me familjen e Ilir Metës. Në deklarimin e tij të pasurisë është pohuar se bashkëshortja Monika Kryemadhi ka blerë një tokë 500 metra katrorë arë dhe 200 metra katrorë truall. Vlera e blerjes së kësaj toke të blerë më 26 mars të vitit të kaluar është shënuar pesë milionë lekë të reja. Vetë Ilir Meta duket se nuk ka blerë asgjë gjatë këtij viti. Në deklarimin zyrtar të pasurisë ai ka shënuar vetëm pagat, shpërblimet dhe të ardhurat nga komisionet parlamentare. Ato arrijnë shumën e 1.425.167 lekë të reja. Të ardhurat e Monika Kryemadhit janë vetëm nga pagat e saj dhe arrijnë shumën enjë milionë lekëve të reja. Çifti Meta-Kryemadhi ka edhe një kredi të vjetër të marrë vite më parë. Gjatë një viti ata kanë paguar 11.750 dollarë amerikanë dhe në total kanë për të paguar edhe 21.124 dollarë

Nada Topi ka marrë dhuratë një makinë 10.500 euro dhe 4 mijë euro për shkollën. Etida merr bursë nga bashkia

Presidenti topi shpenzon për dy vajzat

TIRANË- Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka kaluar një vit të qetë financiar dhe duket se të vetmet shpenzime ekstra të tij kanë qenë për dy vajzat. Në deklarimin e pasurisë të plotësuar nga vetë kreu i shtetit është shënuar se vajza e tij Nada Topi ka marrë një dhuratë prej dhjetë mijë euro. "Ditëlindjen e saj të 20-të, gjyshi Myrteza Topi i ka dhuruar 10 mijë euro",- thuhet në deklarimin e pasurisë. Me këto para, duke marrë edhe 500 euro nga familja, Nada Topi ka blerë një makinë të vogël. Shpenzimi tjetër i familjes Topi për vajzën Nada është edhe pagesa vjetore prej katër mijë eurosh në një universitet privat në kryeqytet. Ndërkohë Presidenti i Republikës ka për të paguar edhe dy kredi të marra vite më parë. Ai ka marrë një shtëpi banimi nga Enti Kombëtar i Banesave dhe nga totali i ka mbetur për të paguar pak më shumë se një milionë lekë të reja. Në vitin 2006, Bamir Topi ka blerë një makinë për të cilën gjatë vitit të kaluar ka paguar një mijë euro dhe i kanë mbetur për të paguar edhe katër të tjera. Shtesat e pasurisë së presidentit vazhdojnë me një banesë në proces ndërtimi e me sipërfaqe 90 metra katror plus një bodrum. Ajo vlerësohet me një milionë lekë të reja dhe është e ndërtuar në truallin e trashëguar nga prindërit e tij në Tiranë. Por llogaria e tij rrjedhëse ka njohur pakësim në shumën 170.986 lekë të reja. Ndërkohë një tjetër llogari rrjedhëse është shtuar në shumën 659.262 lekë të reja. Bashkëshortja e tij, Teuta, ka njohur një rritje prej 139.666 lekë të reja në llogarinë e saj. Të ardhurat e familjes presidenciale shqiptare janë 2.066.776 lekë të reja. Bashkëshortja e tij ka marrë gjatë një viti 727.056 lekë të reja. Edhe vajza e vogël e kësaj familjeje, Etida Topi ka të ardhurat e saj nga një bursë e dhënë nga bashkia e Tiranës si studente e dalluar. Shuma e kësaj burse është 60 mijë lekë të reja në vit. Ened Janina

Ina Rama blen dhe shet makinën

TIRANË- Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama ka blerë në fillim të vitit të kaluar një makinë për 500 mijë lekë por në fund të vitit duket se i është mërzitur dhe e ka shitur sërish për të njëjtën vlerë. Ky është shpenzimi më i madh i shënuar në deklarimin e saj të pasurisë. Në të janë shënuar edhe të ardhurat e saj vjetore që arrijnë në 1.666.702 lekë të reja dhe 700 euro. Ndërkohë bashkëshorti i saj, Agron Nuredini vazhdon që të marrë një pagë të konsiderueshme nga Ministria e Brendshme. Paga e tij është 18.800 dollarë dhe 31.200 dollarë të tjera dieta. Në total ai merr 50 mijë dollarë në vit. Kryeprokurorja vazhdon që të paguajë edhe një kredi të vjetër nga e cila ka edhe 17 mijë dollarë.

Rama, pagë zyrtare e kredi në bankë

TIRANË- Edhe kreu i bashkisë së Tiranës dhe Partisë Socialiste, Edi Rama, sërish ka një vit tepër të qetë financiar. Në deklarimin e tij të pasurisë janë shënuar vetëm të ardhurat nga paga e shpërblime. Ato arrijnë shumën e 1.641.271 lekëve të reja. Kreu i i PS-së ka për të paguar edhe një kredi të vjetër nga e cila i kanë mbetur edhe 1.376.050 lekë të reja.

Përveç marrëveshjes me firmën bashkëshorti i Jozefina Topallit ka blerë edhe një tokë për katër milionë lekë

Topalli jep truallin merr 350 metra2 shtëpi e dyqane

TIRANË- Vizitat e shumta të kryeparlamentares Topalli jashtë vendit duket se nuk kanë ndikuar shumë në pasurinë e saj. Madje këtë vit bashkëshorti i saj Ndoc Topalli ka blerë edhe një sipërfaqe toke në një fshat të Shkodrës në vlerën e katër milionë lekëve të reja.

Sipas deklarimit zyrtare të kryeparlamentares rezulton se ajo ka pasur këtë vit një pakësim të likuiditeteve të përfituara nga kompensimi i tokave një vit më parë. Shumë e pakësimit është tre milionë lekë. Topalli ka tërhequr në një prej llogarive të saj bankare shumën e dy milionë lekëve të reja. Llogaritë e tjera të saj kanë njohur shtesa. Të ardhurat e kryeparlamentares shqiptare janë vetëm ato nga kuvendi por sërish mbeten më të lartat nga të gjithë zyrtarët shqiptarë. Të ardhurat e saj vjetore janë 3.286.221 lekë të reja, pothuajse dyfishi i deputetëve të kuvendit. Për këtë vit familja Topalli ka bërë një investim për të bijën duke e dërguar atë në një shkollë private në Strasburg. Taksa e shkollës dhe sigurimet shëndetësore janë në shumën katër mijë euro, nga të cilat janë paguar 2300 euro. Por ndryshe nga e shoqja, Ndoc Topalli ka pasur lëvizje më të shumta në pasurinë e tij. Ai ka pasur pakësime në vlerën 700 mijë lekë të reja në dy llogari bankare dhe shtim 4500 dollarë nën jë tjetër. Ndërkohë Ndoc Topalli ka dhënë një truall në pronësi tek një firmë private ku do të ndërtohet një pallat i madh. Këtu Ndoc Topalli do të përfitojë 350 metra katrorë apartamente e dyqane. Përveç këtyre ai ka blerë edhe tokën dy mijë metra katrorë në fshatin Boks Rrjoll të Shkodrës. Toka ka kushtuar katër milionë lekë dhe është blerë me paratë që ka tërhequr Jozefina Topalli në dy llogaritë e saj bankare. E. Janina

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›