Së paku për të paskrupujt është kështu...
Çmimet e artikujve ushqimorë janë përditë e më shumë në rritje. Për mijëra vetë nga vendet në zhvillim apo ato në tranzicion, do të jetë i vështirë sigurimi i bukës së përditshme, orizit dhe misrit.
Pamjet televizive të ditëve të fundit në botë i kanë sunduar protestat dhe trazirat që e kanë origjinën pikërisht në këtë problematikë. Kohë të tilla, janë kohë lulëzimi për spekulantët. Sepse me oriz me çmim të shtrenjtë dhe misër, fitohet më shumë para.
Tajlanda është eksportuesi më i madh i orizit në botë. Çmimet që janë rritur në mënyrë galopante sigurisht që paraqesin një joshte të veçantë për shumë tregtarë. Aktualisht ata përballen me akuzat se vonojnë qëllimisht furnizimet me oriz, me qëllim që të përfitojnë sa më shumë. Kush fshihet pas spekulimeve? Janë ndërmjetësues, tregtarë lokalë apo të tjerë që nuk janë tërësisht të ingranuar në biznesin e orizit, ata që vijnë blejnë nga fshatarët orizin e paqëruar dhe i mbajnë këto furnizime në magazina të fshehura. Kështu që dobësohet një pjesë e furnizimit.
Edhe politikanë lokalë, apo pjesëtarë të elitës së pasur të vendit, duket që janë të përzier mirë në këtë pazar. Kush ka mundësi, blen sa të mundet dhe e ruan për kohë të shtrenjta. Ja pse qarkullojnë lajmet për shtrëngesa në furnizim. Fakti që me orizin bëhen pazare të mira, josh edhe kriminelët.
E përditshmja e Bankokut, "Bankok Post" citon ekonomisten e Bankës Qendrore Tajlandeze, se vetëm para pak kohësh nga magazinat e shtetit janë zhdukur 200.000 tonë oriz. Vlera e këtij malli të vjedhur llogaritet me 100 milionë dollarë. Kush fshihet pas këtij akti, këtë nuk e thotë dot askush në Tajlandë.
Ministri i Tregtisë, Mingkvan Sangshuvan i është lutur ushtrisë të mbikëqyrë magazinat e shtetit. Por vjedhje po bëhen në Tajlandë edhe në fushat e hapura të orizit. Mjaft fshatarë kanë filluar të bëjnë roje natën. Daoruang Kijsiri kur u zgjua një mëngjes i mungonin 600 kg farë orizi. Për familjen e tij, kjo është një goditje e rëndë. "Kur e kuptova që më ishte vjedhur fara, më ra të fikët. Gruaja dhe djali më qetësuan disi, duke më thënë se çdo gjë do të rregullohet. Do të blejmë farë të re. Po dhimbja ime nuk mund të matet me para".
Ka mjaft fshatarë që përfitojnë nga gjendja aktuale, por vetëm ata që kanë mundësi të magazinojnë mallin. Shumë të tjerë janë të detyruar ta shesin menjëherë.
Është e qartë që janë kohë krize dhe spekulantët janë gati të përfitojnë. Në kohë krizash mund të fitohet shumë para. Së paku për të paskrupujt është kështu.
*Autori është i dërguar i radios gjermane "Deutche Welle" në Tajlandë